Home KRYESORE Sa afër dhe larg zhvillimit është tregu ynë kapital?

Sa afër dhe larg zhvillimit është tregu ynë kapital?

Nga Dr. Sorina Koti*

Zhvillimi i sistemit financiar shqiptar, edhe sot pas 20 vitesh, funksionon vetëm me një degë të saj, sistemin bankar, ku tregu kapital mungon pothuajse plotësisht. Sistemi bankar i zhvilluar kryesisht nga banka me kapital të huaj dhe dy me kapital shqiptar, ka qenë i vetmi burim kreditimi i ekonomisë për shumë vite. Problematikë ka qenë dhe është zhvillimi dhe konsolidimi i një tregu kapital, Bursës shqiptare, ku biznesi shqiptar, individët dhe pushteti vendor të mund të gjenin mundësi alternative financimi, pasi sektori bankar ende ka kufizime për financimin e operacionevete këtyre aktorëve. Zhvillimi i tregut kapital mobilizon paranë e “fjetur” nëpër banka dhe u jep mundësi bizneseve dhe atyre, që kanë një kapital (profesionistët, njerëz me të ardhura të mesme e të larta) të jenë të pavarur nga investimet bankare. Nga ana tjeter, vetë prezenca e kësaj mundesie financimi do i nxiste bankat të ishin më konkurruese dhe të gatshme të financonin ekonominë.

Bursa është instrument, që sjell zhvillim, por është edhe një test që dëshmon sesa të zhvilluar jemi. Aktualisht, Shqipëria është i vetmi vend në Rajon, që nuk ka Bursë aktive. Ne duhet të mësojmë nga modelet më të mira, ku modeli anglo-sakson ka qenë më agresivi, me risk, por njëkohësisht edhe më efektivi. Ky model sugjerohet të ndiqet edhe në Shqipëri, i pajisur me një legjislacion sa më të plotë, që të reflektojë mësimet nga përvojat e këqija europiane dhe botërore.

Adoptimit i modelit anglo-sakson për sistemin financiar do sillte edhe një përmirësim të cilësisë së raportimit të bizneseve, duke pasqyruar realisht aktivitetin e tyre financiar. Kjo do të sillte ulje të informalitetit dhe evazionit fiskal, si dhe rregulla më shtrënguese për kontabilitetin dhe transparencën. Gjithashtu, kompanitë private do kishin mundësi të rritnin kapitalin nëpërmjet tregjeve likuide dhe do rritnin vlerën e kompanisë, të aksioneve dhe dividendëve të tyre. Aksesi i menjëhershëm në kapital do i bënte kompanitë shqiptare më konkurruese, më të adoptueshme ndaj nevojave të tregut, do rriste mundësitë për inovacion dhe rritje të produktivitetit, duke mundësuar fitime më të larta dhe punësim më të madh.

Për më tepër, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë një nxitës për krijimin e tregut kapital shqiptar, si një mekanizëm për të suportuar ekspozimin e bankave ndaj bonove të thesarit dhe fondeve të investimit. Gjithashtu, konsolidimi i tregut kapital do i ofronte Shqipërisë më shumë mundësi ndaj tregjeve globale dhe rritjen e besimit të tregut Europian.

Gjatë dekadës së fundit, shqiptarët dhe biznesi ka më shumë informacion për Bursën dhe tregjet financiare, duke investuar shumë nga fondet e tyre në këto tregjet kapitale ndërkombëtare. Një alarm i ngritur në Shqipëri është operimi i firmave ndërmjetëse pirate, të paliçensuara nga Agjensia e Mbikqyrjes Financiare, për kontrollin dhe funksionimin e tyre. Krijimi dhe hapja e këtyre firmave ka ardhur si nevojë e biznesit apo individëve për të investuar fondet e tyre, në një kohë, që për fat të keq, Shqipëria dhe tregu ynë financiar nuk ua plotëson këto nevoja. Atëherë, krijimi i Bursës do të rregullonte këto iniciativa, që po veprojnë në një treg të pa rregulluar/kontrolluar, duke mbrojtur individët dhe bizneset që investojnë në këto agjensi. Gjithashtu, mungesa e informacionit është rrezik i lartë, që kërkon medoemos informim të publikut, apo detyrim i operatorëve të japin informim të qartë e të kuptueshëm klientit.

Shqipëria ka nevojë urgjente për Bursë dhe kërkesa e vazhdueshme e grupeve të interesit për hapjen e saj, duhet marrë në konsideratë. Fakti, që kanë filluar disa iniciativa nga operatorë të këtij sektori të ri, është për t’u përshëndetur. Kjo është provë se ekonomia e pret dhe e kërkon këtë komponent, por që ato të mos dështojnë, duhet rregullim ligjor dhe kontroll institucional. Mbetet në dorën e AMF dhe Bankës së Shqipërisë, që të mbikqyrin dhe të garantojnë zhvillimin dhe operimin pozitiv të tregut kapital, si një nga format për të stabilizuar kërkesë-ofertën e grupeve të interesit për kapital.

Shqipëria, si vend që aspiron për anëtare e BE-së, duhet patjetër të zhvillojë tregut e kapitaleve, për të rritur konkurrencën e ndershme dhe rritjen e mundësive për investime kapitale dhe gjenerimin e fondeve.

*Koordinatore ekonomie, Partia Demokratike

Share: