Home KRYESORE Tillerson e viziton NATO-n, pas zemërimeve për mungesë në një takim

Tillerson e viziton NATO-n, pas zemërimeve për mungesë në një takim

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do ta vizitojë NATO-n në Bruksel javën e ardhshme, pas zemërimeve që shkakoi lajmi se ai nuk dotë merrte pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, tha mbrëmë se Tillerson do ta vizitojë selinë e NATO-s në Bruksel më 31 mars. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera.

Agjencia Reuters e ka cituar një zyrtar të lartë të këtij departamenti, që ka thënë se Tillerson do të takohet me ministrat e Jashtëm të NATO-s më 31 mars, në një takim me orar të ri, por NATO-ja nuk ka publikuar ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë çështje.

Më herët, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Tillerson po planifikonte të mos merrte pjesë në takimin e NATO-s të parshikuar për 5 dhe 6 prill në Bruksel, që do të ishte rasti i tij i parë për takimin me ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të tjera anëtare të aleancës veri-atlantike.

Tillerson planifikon që pak kohë pas këtyre datave të vizitojë Moskën.

Vendimi për anashkalimin e takimit e ministrave të Jashtëm të NATO-s ka shkaktuar shqetësime nga zyrtarët evropianë lidhur me përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për NATO-n.

Share: