Arsim paçavure!

Arsim paçavure!

0

Nga Jeta Toçila

Arsimi tek ne është një katastrofë. Do thoni ju, po shëndetësia, drejtësia, turizmi…etj…? Sigurisht që nuk mbeten pas. Por me arsimin/edukimin fillojnë të gjitha.

Shkollat tonë prodhojnë inteligjencë pasive, duke bërë që të humbim shumë njerëz inteligjentë, pasi nuk inkurajohet kreativiteti, kritika, interpretimi për të sjellë diversitete mendimi dhe ide. Kjo ndodh sepse me këtë nivel të arsimit, ku objektivat janë thjesht realizime numrash dhe përqindjesh, zor se arrin të gjesh hapësirë për të stimuluar apo ndërtuar një stil të individualizuar mësimdhënieje.

Është vështirë edhe për një mësues të zotë, (të paaftët nuk po i llogaris) të synojë në orën e mësimit fuqizimin e aftësive të të menduarit, zhvillimin e vetëbesimit apo të nxënit. Ai nuk ka kohë, pasi tekstet dhe pseudoshkencëtarët e arsimit e orientojnë ndryshe. Është vështirë që me tekstet e dobëta shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit, mësuesit të kenë mundësinë e operimit me inteligjencë dhe argëtim në orën e mësimit me të gjithë nxënësit.

Vihet re se shkolla nuk ecën me të njëjtim ritëm me të rejat e shkencës, teknologjisë, shoqërisë, historisë, edukimit në përgjithësi, por ama kujdeset që të jetë në koherencë me partinë. Po ti pyesësh sot nxënësit dhe studentët e çdo niveli si kaluan në shkollë, do të thonë se mësimi ose leksioni ishte i mërzitshëm. Vëmëndja e çdo nxënësi të sotëm nuk impenjohet dot maksimalisht në një orë mësimore ku pedagogë mustaqedirsur nuk dinë të gjejnë stimuj, ose ku mësues të urdhëruar e kanë mendjen te vizita e kryetarit të bashkisë apo te pjesëmarrja në mitingun e rradhës, apo nëse janë në shkollë private te reklamat për shkollën, fotot në facebook me nxënësit e lumtur apo tek takimet me pronarët.

Dhe në këtë paçavure të vërtetë të arsimit në vendin tonë, provimit i është dhënë një rëndësi e veçantë.

Si në institucionet arsimore shtetërore edhe ato private, gogoli provim u shfaqet fëmijëve e studentëve ditë e natë. Për drejtuesit e arsimit ky gogol, ka qëllim të japë efekt pozitiv në performancë dhe për këtë arsye e kanë kthyer testimin ne trend. Provimet fillojnë që në ciklin e ulët e nuk mbarojnë deri në doktoraturë. Ka provime ditore, javore, mujore, lëndore, semestrale si dhe provime kombëtare. Të mos flasim për testimet jashtëshkollore apo ato të administratës…

Për çfarë vlejnë testimet apo provimet? Për të stresuar nxënësit, studentët, mësuesit, punonjësit? Për të matur inteligjencën, arritjet, aftësitë, memorien, vëmendjen? Për të grumbulluar ca të ardhura sekserët e tezave? Për të fuqizuar ato institucione të arsimit jopublik që ua gjejnë anën tezave? Për të mbushur xhepin dikush në ministri apo agjensitë e posaçme që ngrihen për këto qëllime? Për ti dhënë të drejtën e shkollimit apo punësimit analfabetëve funksionale dhe për t’ua hequr inteligjentëve rebelë apo kritikëve të sistemit ?

Mendohet se provimet janë mjeti për të bërë kategorizimin e nxënësve apo studentëve “të mirë” dhe “të dobët” apo “mesatarë”, gjë që shërben dhe si shkallë për tu ngjitur apo zbritur në arritje shkollore (personalisht e refuzoj këtë kategorizim, aq më tepër kur kategorizohet edhe sjellja e nxënësve në këtë formë). Por, a është kaq e thjeshtë që të përcaktosh vetëm në sajë të provimit, nëse një nxënës është i tillë? A mundet që një provim të masë të gjitha llojet e inteligjencave të një individi? Natyrisht që jo. Provimet më së shumti masin cilësinë e kujtesës afatshkurtër dhe aftësinë e individit të riprodhojë tekstet dhe opinionet e miratuara nga autorët e tyre. Por këto nuk mjaftojnë për të matur mencurinë.

Ka shumë nxënës apo studentë inteligjentë, të cilët nuk dalin mirë në provim. Përvoja ka treguar se figura të shquara botërore të fushave të ndryshme nuk kanë shkëlqyer në provime, madje shumë prej tyre janë quajtur ngelës apo dështakë. Edhe në Shqipërinë tonë i kemi disa figura që nuk kanë spikatur në shkollim, mund edhe ta kenë lënë shkollën, por dukshëm kanë zënë vend në pozicione të larta publike, edhe nëse janë detyruar të blejnë diplomat për të qenë në rregull me falsitetin e sistemit.

Ndoshta sistemi tradicional i vlerësimit nuk ka arritur të masë aftësitë e tyre të veçanta për të ecur përpara, një lloj mëncurie është kjo. Ndërkohë që ka edhe nga ata që sistemi ynë arsimor i ka vlerësuar maksimalisht në arritje, por nuk i ka matur aftësitë ndërpersonale, duke i çuar drejt dështimit personal e social.

Prandaj, ka ardhur koha që arsimi të rilindë vërtet duke filluar nga kreu e deri tek bishti, duke sjellë e përshtatur modele suksesi si Finlanda, ku provimet nuk kanë kaq peshë të rëndë për supet e të testuarve dhe testuesve.

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY