Home KRYESORE Bllokimi i pasurisë, Peza: Po më hetojnë si gazetar e jo politikan

Bllokimi i pasurisë, Peza: Po më hetojnë si gazetar e jo politikan

Nga Alfred Peza

Në lidhje me një informacion të publikuar sot në media mbi personin tim, dua të sqaroj se hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme është duke u zhvilluar jo kundrejt deputetit Alfred Peza, por për gazetarin Alfred Peza.

Pse? Sepse është duke u hetuar vetëm pasuria për periudhën kur unë kam punuar si gazetar. Tashmë edhe nga organi i Prokurorisë është provuar katërcipërisht se ka ZERO lekë shtim të pasurisë time, përveç rrogës së deputetit, nga momenti i shpalljes publike së kandidaturës sime dhe deri më sot. Kjo duhet kuptuar mirë, sepse kemi të bëjmë me një fakt të pakundërshtueshëm, tashmë i njohur zyrtarisht edhe nga organi i Prokurorisë. Që do të thotë se unë po hetohem si gazetar dhe jo si deputet.

Kjo do të thotë se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë problem me politikanin dhe deputetin Alfred Peza. Në këto kushte, për herë të parë, – në dijeninë time-, organi i Prokurorisë është duke hetuar sesi e ka vënë pasurinë një gazetar në Shqipëri. Kjo është e paprecedentë.

Çfarë po bën Prokuroria dhe mbi çfarë po heton ajo sot, është e njëjtë me atë se çfarë po kërkon dhe çfarë do të bënte Prokuroria që në vitin 2012 kundrejt qytetarit Alfred Peza. Më duhet ta evidentoj fort këtë fakt.

Pra, në një vend si Shqipëria, ku rëndom flitet dhe pranohet për persona që prej vitesh ushtrojnë aktivtet publik a shtetëror dhe zotërojnë pasuri disa herë më të mëdha se unë, Prokuroria gjen arsye dhe kohë të hetojë mbi pasurinë e vënë nga një person, i cili asnjë ditë të jetës së tij profesionale nuk ka patur një funksion publik dhe nuk ka përfituar asnjë lek nga fondet publike. Për rrjedhojë, asnjë aludim korruptiv nuk mund të qëndrojë mbi paratë e mbledhura ndër vite nga puna ime në media, e të kanalizuara në institucionet bankare sistematikisht prej vitesh, nga unë dhe bashkëshortja ime.

Nuk do të dëshiroja për asnjë moment që të komentoja qëllimet dhe shkaqet për dhe mbi të cilat Prokuroria e ka nisur dhe po e vazhdon këtë proçedim. Sa më përket mua, sjellja ime do të jetë gjithmonë institucionale dhe ligjore.

I vetmi aktivitet që unë kam ushtruar, që është edhe veprimtaria ime e vetme ekonomike, është gazetaria. Unë jam i hapur deri në fund për çdo lloj hetimi, sepse s’kam asgjë për të fshehur. Edhe pse detyra ime si qytetar është që t’i përgjigjem dhe t’i jap shpjegime akuzave për mospagim taksash, nuk mund të mos komentoj faktin e njohur tashmë botërisht se Alfred Peza është personi i parë në Republikën e Shqipërisë, – dhe ky për periudhën kur ishte gazetar, – të cilit i kërkohet llogari nëse i ka paguar ose jo taksat për pasurinë e vendosur në 51 vite punë së bashku me bashkëshorten. Secili të japë gjykimin e vet në lidhje me këtë fakt.

Referuar akuzës, konfirmoj se Prokuroria deri tani nuk ka paraqitur asnjë provë për pretendimet e saj. Nuk ka treguar se çfarë vepre penale kam kryer dhe paratë e kujt vepre penale unë kam pastruar. Nuk ka treguar se për cilën pasuri unë nuk kam paguar taksat dhe më shumë akoma, nuk ka treguar veprimet sipas të cilave unë paskam refuzuar deklarimin e të ardhurave. Ju takon atyre të provojnë se për çfarë më akuzojnë.

Fakti që kam një pasuri X nuk është një provë. Përcaktimi i kohës së kryerjes së veprës (që në çdo hamendësim të Prokurorisë daton sistematikisht përpara vitit

2013), veprimi parashkrues ose amnistues i ligjeve që më referohen dhe mungesa totale e një precedenti të mëparshëm administrativ,- të cilat janë kushte për veprimin penal, – bëjnë që qëndrimi im të jetë mohues ndaj akuzave të Prokurorisë.

Një fakt i pretenduar nga prokuroria në lidhje me deklarimin me diferencë të blerjes së apartamentit ku aktualisht banojmë prej 15 vitesh, është lehtësisht i sqarueshëm me dokumenta zyrtare të deklaruara nga ana ime dhe me akte të tjera ligjore e noteriale.

Si është e mundur që të kemi një konkluzion objektiv dhe të paanshëm në lidhje me këtë çështje, kur Akti i Ekspertimit është ndërmarrë pasi Prokuroria i ka ngritur akuzat. E nga ana tjetër, kur këtë akt e ka firmosur një punonjëse e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm?

Mjafton fakti që unë, Alfred Peza, pretendohet se kam patur ZERO, po, po ZERO të ardhura për periudhën janar 1999- maj 2006 për t’ia rrëzuar të gjitha akuzat. Pra plot TETË vjet të punës time si drejtues lajmesh në një televizion kombëtar, si kryeredaktor në një gazetë, si drejtor në dy revista dhe një gazetë tjetër, pa llogaritur të ardhurat nga projekte, shkrime, çmime kombëtare gazetarie dhe mësimëdhënia në fakultet,- që nuk janë llogaritur fare.

Kuptohet fare qartë se konkluzionet e ekspertëve janë fryt i një punë tejet sipërfaqësore, të pambështetur në hulumtime profesinale të domosdoshme për akte të tilla, që kërkojnë qëmtimin e çdo të dhëne ndihmëse për zbardhjen e të vërtetës.

Konkluzionet e nxjerra deri tani nga Prokuroria kanë lënë mënjanë me koshiencë disa fakte të njohura botërisht për punën time si gazetar prej 20 vitesh, nga të cilat si kryeredaktor, drejtor, analist dhe drejtues debatesh televizive, në mediat më të mëdha të vendit. Është fakt i njohur po ashtu, se jo vetëm mediat private e kanë patur praktikë pagesën në cash, por edhe vetë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, të paktën deri në vitin 2003, ka përdorur këtë formë shpërblimi për punonjësit.

Mediat private në Shqipëri, shumë vonë kanë filluar të formalizojnë marrëdhëniet e tyre financiare për të punësuarit. Madje ende sot, – sipas një raporti të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, paraqitur në Parlament, në vitin 2015, – thuhet se plot 92%, po, po, 92% e gazetarëve të Shqipërisë punojnë pa një kontratë kolektive pune. Që me fjalë të thjeshta do të të thotë: Paguhen me dy bordero.

Duke deklaruar në organin tatimor vetëm pagën minimale dhe pjesën tjetër të pagesës, këta 92% të gazetarëve të Shqipërisë e marrin pagesën cash në dorë. Pavarësisht se këtu përgjegjësia mbetet gjetkë dhe aspak tek të punësuarit.

Si përfundim, dua që t’i tërheq vëmendjen gjithë opinionit publik dhe medias, se hetimi që po zhvillohet ndaj pasurisë sime dhe familjarëve të mi, rrezikon të prodhojë një precedent shumë të rrezikshëm për secilin prej qytetarëve të Shqipërisë, të cilët zotërojnë sot një pronë sado të vogël, një shtëpi, një aktivitet privat, qoftë dhe pesë lekë në bankat tona të nivelit të dytë. Sepse një ditë të bukur, secili prej tyre mund të gjendet nesër nën hetim, me të njëjtën akuzë si edhe Alfred Peza sot, për çdo marrëdhënie të tij financiare të 27 viteve të fundit.

Faleminderit!

Share: