Home KRYESORE GAZMEND LEKA – PIKTORI DHE GJUHA E HUMBUR

GAZMEND LEKA – PIKTORI DHE GJUHA E HUMBUR

Nga Mira Tuci

“Piktura është si një lutje e gjatë që fillon cdo ditë me lindjen e diellit”

Ky është vetëm një nga pohimet e mencura të piktorit Gazmend Leka. Në fakt studio e tij sheh nga lindja e diellit dhe ai ngrihet herët dhe vjen këtu dhe mbyllet në universin e tij. Ai thotë: “Ky rit më ka shoqëruar në udhë timin tim për të zbuluar dhe gjetur GJUHËN E VJETËR, gjuhën e humbur që e dija dikur përpara rënies, kur i flisja gurit, pemës, frutit dhe gjarprit. Kjo lutje bëhet cdo ditë më e thellë, më e brendshme dhe më lejon t’u flas lirshëm gjërave që tashmë kanë vdekur. Të thënat e tyre bëjnë krijimet e mia njëra pas tjetrës…”

Nëse do të thonim që piktori Gazmend Leka është origjinal kemi dhënë tregues vetëm për 1/10 e personalitetit të tij. Shpesh e kanë cilësuar si të zymtë, ai luan me ngjyrat bazë të jetës, e bardha dhe e zeza si plotësim dhe antitezë të njëra-tjetrës por duke e shtyrë këtë koncept më tej. Në fakt sic rrëfen ai, vetë është krejt e kundë rta, ai ka një personalitet shumë diellor. Një portret që të kujton shndritjen e profetëve biblike, edhe pse ai e konsideron veten pagan. Po të hedhesh një sy në kaosin e rregullt të studios së tij kupton se biseda me artistin i kalon caqet e të folurit të përditshem, duhet të ngrihesh në një nivel shpirtëror shumë më të lartë .

Arti i Gazmend Lekës pa diskutim të fton në një dimension mistik pse jo dhe okult të qenies njerë zore. E jo thjesht një nga ekspozitat që Leka i ka vënë një titull të denjë për simbolikën që ai tenton të zbuloje si “Kutia e zezë e Qenies” por e gjithë krijimtaria e tij është një kuti e zezë që përcon vale dhe na flet për memorien, dhimbjen, vetminë, dashurinë, zemërimin, paqen e shpirtit e gjithcka tjetër. Krejt njerëzor me frikërat dhe me ëndrrat ai rrëfen se analogjia me kutinë e zezë të avionit nuk është e rastësishme, ka lidhje me fobinë e tij ndaj avionëve. Piktura e Gazmend Lekës prej vitesh e kapërcen fiziken, ashtu si edhe kërkimi i tij personal. Edhe pse nuk ka ndonjë ngjarje të caktuar në jetën e tij që ta ketë shtyrë drejt zbulimit të këtij dimensioni metafizik.

Krijimtaria e tij e fundit pë rfshin një tjetër fazë të piktorit atë të dëshmitarit të parë të ngjarjeve. Sidomos në pikturën “Eklipsi i fundit” artisti qëndron përballë vetes, një vehte që shfaqet herë si sfinks, herë si cerber.

Procesi i të qëndruarit para vehtes, mund të jetë sfidues, i vështirë, i pamundur apo për disa artistë si Gazmend Leka, një gjendje e domosdoshme për krijimin.

Pikturat e Gazmend Lekës na cojnë në vende të imagjinuara, të magjepsura që duken si jehonë e memories kolektive dhe individuale të njerëzimit… e megjithëse aty gjejmë monstra dhe përbindësha nuk ka asgjë për t’u trembur.

Për Piktorin koha nuk ekziston, dëshmi për këtë është edhe një nga tablotë në një prej ekspozitave të tij të disa viteve më parë, me vizatime dhe grafika e cila mbante datën 1010 ndërsa gjithë të tjerat 2010.

Shpesh kritikët e artit krijojnë një analogji mes pikturës dhe muzikës. Sipas piktorit përtej anës formale 7 nota muzikore dhe 7 ngjyra, lidhja apo shkrirja e këtyre dy gjinive është më e thellë.

Ciklet e pikturave të tij i referohen shpesh tematikave biblike dhe luftës së përjetshme mes së mirës dhe së keqes të cilat në vepren e Gazmend Lekës gjejnë shesh-betejë brenda vetë individit.Me origjinë të krishterë, por thellësisht pagan si në thelb të gjithë shqiptarët ai rrëfen se një prej figurave biblike së cilës nuk i ndahet dhe i kthehet dhe i rikthehet është Krishti në qefinin e shenjtë, shëmbëlltyra e njeriut në agoni.

Që prej dëbimit nga “Kopshti i Edenit” janë të panumërta rëniet që ka pësuar njeriu dhe njerëzimi, por procesi i rënies sipas artistit mund të kthehet edhe në mjet shpëtimi pasi kemi njohur humnerat më të errëta të qenies.

Teksa duart e tij janë bërë një telajo më vete, ngjyer me bojëra, piktori thekson se teknika është thjesht një instrument për të arritur tek materializimi i idesë që ulëret brenda qenies dhe kërkon të zbulohet dhe të flasë e të dialogojë.

E kotë ti thuash që studentët e Universitetit të Arteve janë me fat që kanë një profesor si ai, përkundrazi shprehet: “Jam unë fatlumi sepse komunikoj me ta, ata më japin dritën e nevojshme të krijimit”.

Në pikturat e tij nuk ka figura femërore dhe kjo duket se është pengu i piktorit që i mënjanuar me dëshirë në simbolikën fillimisht të filmave të animuar dhe të legjendave shqiptare dhe më tej në peshën e tematikave mistike, thotë se “e ka humbur atë lloj sensibiliteti”.

Një hartë e Anatomisë Okulte e ngjitur në një nga këndet e bibliotekës së tij të kujton se artisti prej kohësh është shkëputur nga tokësorja por duke mbetur thellësisht njerëzor.

Për të Arti në një kuptim është supersticion, por njeriu të gjitha këto do që ti zbërthejë me anë të fjalës sepse në themel të shkencës hyjnore qëndron Fjala. Ndoshta është kjo një nga arsyet se prej disa kohësh ai nuk mjaftohet vetëm me pikturën por lexon dhe shkruan shumë, diku ai thotë: “Piktura plotëson boshllëkun, kur fjala bën zbaticen… e mbushin gjëra të tjera… piktura, shkrimi, muzika, lëvizja… kur të vijë batica e fjalës të gjitha do të treten… Do të jetë vetë FJALA”.

Share: