Home KRYESORE M’u kujtua një udhëtim ne Stamboll…

M’u kujtua një udhëtim ne Stamboll…

0

Nga Miranda Haxhia

Pasi ikën të gjithë jashtë vendit; me eksodin e parë, me të dytin, me viza turistike, me ftesa nga të afërm, me dietat e punës, a  ku di une se qysh e çfare….kur mora njëherë ca pare nga një punë redaktimi, thashë me vete: – Do iki njëherë. Po ku? Do shikoj Stambollin, i thashë vetes.

Deri atë mot, kisha udhëtuar shumë, pothuaj njëherë në muaj, por para syve të mi kaloja të njëjtat pamje, me kalamajtë në prehër që të kurseja biletë: Vorë, Plepa, Kavajë, Rogozhinë, Lushnje, Ura e Kuçit…deri në Berat. Për t’i mbushur mendjen vetes se udhëtoja bukur, flisja për Beratin: herë si nëpër përralla, herë si muzikë, herë si poezi, nganjëherë, edhe tregim. Nuk i rrëfeja të gjitha. Që autobuzi e bënte rrugën të zgjatej si llastik; që te Plepat rrinim një orë për të blerë kokoshka apo misra të pjekur; që deri në Kombinat, kisha fjetur, isha zgjuar e isha përmalluar nga e para për Beratin që kisha lënë pas. Edhe Rogozhina e bukur është. Mahnitëse. Por nuk e mbaj mend. Çfarë ka? Asgjë. Sidomos Ura Vajgurore ku kanë përfunduar prindët e mi, nuk është më shumë se një Urë e vjetër dhe një Urë e re mbi lumë. Dhe ca njerëz që i shesin njëri tjetrit.

Stambolli ishte një dëshirë e imja e fshehtë. Kur më pyesnin të njohur: ke qenë në Stamboll? Unë: Ouu, kam qenë disa herë. Kam parë Barcelonën, kam qenë deri në Irlandë.

Gënjeja gjithmonë. Se, vesi më i bukur i ne, njerëzve të fshatit është të gënjejmë.

Por tani që po të tregoj, e kam parë vertet Stambollin. Kam ruajtur edhe biletat e të gjitha vendeve që pashë.

Por më shumë se çdo gjë, më bënë përshtypje varret. Ishin një formë e mrekullueshme arti. Punuar mjeshtërisht. Si është e mundur që mendojnë me kaq dashuri për varrin? Varret e pashallarëve të ngritura si kështjella në miniaturë.

I thashë vetes: dua të vdes në Stamboll. Por që të vdesësh në Stamboll, duhet të jetosh atje. Që të jetosh atje, duhet të kesh një mënyrë për të ndenjur, dikë që të kujdeset për ty, një shtëpi, një punë, një rrugicë, një lagje, një qytet, një xhami, një …tërë Stambollin.

Meqë isha në vend të huaj, thashë: po gjuaj ndonjë sevdalli me mustaqe. Maksi nuk di gjuhë të huaj, unë mburrem se di ca, edhe kur nuk di.

Kaloja rrugës: burra në radhë të lutnin të provoje gjellët në restorantin e tyre. Piliç… Piliç, thoshte burri në një prag gjellëtoreje. – Bujrum, marshalla!- tjetri.

Ua, thashë, qenka nga fshati im, se edhe ne – piliç – i themi zogut të pulës.

Në Stamboll kishte magji, kishte metro, kishte varre të mrekullueshëm, kishte edhe piliça.

Numërova paret që më kishin mbetur, iu futa njëherë me kokë atij Pazarit të famshëm me xhingla dhe u ktheva në shtëpinë time të nesërmen. Kisha blerë një sy blu që e vara në mur për të larguar syun e lig. Dhe mbeta këtu. Po ke parë ti, që kur jemi kthyer nga Stambolli, Maksi më thërret gjithmonë- Mirand- Xhan, më bëj bukën gati! Mirand – Xhan, ma hekurose këmishën?

Epo të vdisja, pa e parë Stambollin, nuk do ledhatohesha aq shumë sa nga ajo fjala Mirand- Xhan.

Share:
Reklama juaj