Home KRYESORE Pedagoge te Universitetit te Arteve mbremje koncertore ne Korce

Pedagoge te Universitetit te Arteve mbremje koncertore ne Korce

Sezoni Koncertor 2017 në qytetin e Korcës, me mbështetjen e Bashkisë, Qendrës së Artit dhe Kulturës, Qëndrës Kulturore” Vangjysh Mio”, solli në 12 prill” Mbrëmjen Koncertore” me pjesëmarrjen e sopranos Suzana Frashëri, violinistes Ina Kosturi dhe Kuintetit të Universitetit të Arteve nën drejtimin artistik të Lorenc Radovanit.

Kuinteti i harqeve të Universitetit të Arteve i përbërë nga Lorenc Radovani, Arian Paço, Arben Basha, Gëzim Belegu e Fatjon Memaj, sollën tingëllimin e pesë solistëve në rolin e orkestrës duke mundësuar realizmin e veprave dhe interpretimin si soliste të sopranos së njohur Suzana Frashëri dhe violinistes Ina Kosturi.

Arie të njohura të literaturës botërore, nga “Ave Maria” e Giulio Caccinit, “Arietës” nga Giuseppe Giordani,” Lauretës” nga Puccini erdhën në pjesën e parë të programit , për të përmbyllur në qytetin e traditës me katër arie shqiptare me “Eja Vashë “të Lola Gjokës, “Dy pritjet” e Zef Cobës, “Përse, Përse” të Elsie Markos dhe “Moj e Bukura në krua” të Vangjo Novës, interpretuar nga soprano Suzana Frashëri dhe Kuinteti i Harqeve.

Thyerja e programit dhe gërshetimi i muzikës së njohur botërore e asaj shqiptare, kuruar me kujdes në përzgjedhje , sollën tingujt e Divertimentit në re maggior K.136 të Moxartit nga kuinteti i harqeve, e më pas tre vepra interpretuar nga violinistja Ina Kosturi . Romanza e Johan Svendsen op 26 vinte për herë të pare në variantin origjinal për violinë e orkestër harqesh në skenën shqiptare. Më pas “Fantazi” e violinistes Ina Kosturi, orkestruar nga Robert Radoja solli tinguj shqiptarë me violinë, për të vijuar me Ciacconën e Tomaso Vitalit , edhe kjo për herë të parë në formacionin violinë soliste e orkestër harqesh në skenën tonë.

Faqja zyrtare e Muzeut Oriental Bratko e cilëson aktivitetin “ Nje mbremje koncertore e mrekullueshme me pjesemarrjen e sopranos se njohur Suzana Frasheri, violinistes dinjitoze Ina Kosturi, Kuintetit te Universitetit te Arteve, nen udheheqjen artistike te Lorenc Radovanit”

Në një intervistë të dhënë para koncertit për TV Korçën soprano Suzana Frashëri do shprehej për kënaqësinë e realizmit të një koncerti të tillë pranë një publiku të ngrohtë si ai korçar, ndërsa në faqen zyrtare të Mësonjëtores e Parë vizita e violinistes Kosturi cilësohet si kënaqësi për rikthimin në vendin e të parëve, si pasardhëse e Jovan e Spiro Kosturit.

Share: