Home KRYESORE Po vjen kriza presidenciale

Po vjen kriza presidenciale

Nga Qamil Xhani

Opozita ka bojkotuar çdo institucion politik që prej 18 shkurtit dhe nuk pranon të hyjë në zgjedhje, pa plotësimin e kushtit për qeveri teknike. Nga data 10 prill, me skadimin e afatit për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zyrtarisht vendi është në krizë politike. Kjo duket se është nga krizat më të rënda politike të viteve të fundit, por nuk është e vetmja. Veç bojkotit total opozitar, si për të thelluar dhe më shumë konfliktin politik, dje ka nisur një tjetër krizë; ajo e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi i dërgoi dje një letër kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ku sugjeronte nisjen e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në bazë të ligjit, Kuvendi duhet të fillojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe përgatitjen për seancën e votimit. Në zbatim të ligjit, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta mësohet se ka thirrur sot Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, e cila shënon dhe çeljen zyrtare të garës. Pas kësaj, mbetet që në datën 19 prill të kryhet votimi i parë për zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuta parashikon se një kandidat për deputet duhet të jetë propozuar nga të paktën 20 deputetë. Kuvendi mund të kryejë deri në pesë votime derisa të zgjidhet Presidenti. Sipas Kushtetutës, Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra 71 vota. Kjo është Kushtetuta që ndryshuan Rama-Berisha në vitin 2008 në një masakër kushtetuese që bënë ata të dy bashkë. Pra kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota, ndërkohë që emra të tjerë që dekreton Presidentin duhet të zgjidhen me 84 vota!

Nga ana procedurale votat e maxhorancës PS, LSI dhe PDIU mjaftojnë për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Por pikërisht këtu nis dhe kriza kryesore politike. Opozita ka deklaruar se nuk merr pjesë në asnjë proces politik pa u plotësuar kushtet e saj për zgjedhjet. Një president i zgjedhur nga mazhoranca, pa pëlqimin e opozitës mund të kthehet në një tjetër arsye madhore të Partisë Demokratike për të vijuar bojkotin. Nëse Kryeministri Rama vendosë të mos marrë asnjë shenjë konsensusi dhe miratimi nga PD për këtë proces, rrezikon që të dëmtojë dhe negociatat e mundshme për çështje të tjera me opozitën.

Në qëndrimet që ka mbajtur Rama për zgjedhjen e kreut të shtetit ka shprehur sigurinë se i ka votat e mjaftueshme brenda së majtës. Por një hap i tillë i Partisë Socialiste do të thellonte dhe më shumë ndarjen mes palëve. Emrat që në PS kanë zënë radhën për kryetar shteti edhe pse mund të jenë figura të njohura të skenës publike, sërish mbeten propozime politike që vijnë nga partia që është në pushtet. Ndërkohë, që presidenti si rregull duhet të jetë një figurë që garanton paanshmëri mbi palët. Sidomos në këtë krizë politike që po kalon vendi, ofrimi i një emri thellësisht politik nga Partia Socialiste do të thellonte dhe më tej ndarjen mes mazhorancës dhe opozitës. Me emrin e kandidatit për President, Edi Rama ka në dorë që të japë sinjale normaliteti në vend, se sa të provokojë edhe më tepër opozitën duke vendosur një emër që PD nuk do e pranonte as në një situatë normale. Sot, nëse Konferenca e Kryetarëve do të nisë procedurat e zgjedhjes së kreut të ri, do të shihet edhe mënyra sesi Rama ka menduar të sillet me opozitën.

Por kriza presidenciale nuk prek vetëm PS dhe PD. Indirekt emri i Presidentit të ri do të jetë dhe një provë e re për koalicionin mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nëse Rama tenton të vendosë emrin që ai ka në mendje prej kohësh kjo do ta shkatërronte më tej çdo konsensus jo vetëm me opozitën, por edhe me LSI-në. Nëse ai ka vendosur që të ketë dy lojtarë kundër, njërin përballë siç mbetet opozita dhe në mazhorancë, LSI-në, atëherë punët do shkojnë keq e më keq. Pavarësisht se dje pati një deklaratë të Mogerinit dhe Han, e cila nxiste opozitën të votonte Vetingun, përsëri opozita nuk do futet në zgjedhje dhe kriza do acarohet deri në ekstrem. Si rregull ndërkombëtarët përherë janë me pushtetet dhe vetëm kur plas rrëmuja dhe kaosi, dalin kundër pushtetit dhe thonë se, “ku ishte Kryeministri që nuk mori masa?!”.

Është mirë t’i drejtohen arsyes, pushtetarët e sotëm! Natyrisht edhe opozita.

Share: