Home KRYESORE Profilet e rreme të facebook-ut & të tjerë

Profilet e rreme të facebook-ut & të tjerë

Nga Jeta TOÇILA

Ke facebook? Twitter? Instagram? Linkedin? Me siguri e ke të paktën një llogari. Mund ta kesh me identitetin tënd real, por ndoshta e ke edhe një profil të rremë. Të të tregoj disa emra që qarkullojnë në treg? Variojnë nga emra njerëzish deri tek togfjalësha të çuditshëm, si për shembull: “Hape derën..lule manjola, lule bora, Marti Marti.. Ola Ola, …alla shqiptarçe, lepurushja e bllokut, arbër arbëresh, mbreti luan, etj…

Nëse nuk e ke një të tillë dhe ndihesh i frustruar, krijoje dhe ti një të rremë. Do kesh mundës të shfrysh me tepri emocionet e shtypura, të shprehësh dëshirat e fshehta, të shash me “libër shpie” këdo që të ngre nervat, të ngacmosh vajzat apo gratë, t’u shkruash fjalë të bukura e nëse ato nuk ta varin, t’ua kthesh me fjalë të ndyra. Do kesh mundësi të provosh fatin tënd, ku i dihet, raste suksesi ka patur plot.

Pasi ke dërguar buqeta me lule në inbox, ti o i mjerë, provo më pas ti kërkosh dikujt të të transferojë disa megabite internet ose të të bëjë një ofertë në telefon. Fundja nuk humb gjë, e kuqe ose e zeze, të bjerë ç’të bjerë..!

Sot të duhen disa identitete për të jetuar ashtu siç do, për të pasur atë që nuk ke, për të shprehur atë që mendon ose ndjen, ose provokon. Identiteti i vërtetë të frenon, të penalizon nëse në prirjet e tua janë perversitetet ose paligjshmëritë. Me një profil të rremë mund të miklosh ndonjë vajzë apo djalë të parritur e më pas ta shantazhosh, kërcënosh me publikime fotosh apo bisedash, në këmbim të sexit ose disa parave. Diçka do fitosh…

Prandaj, krijoje një profil të rremë, merr hak që ke lindur femër ose mashkull, eksploro veten tënde, provo të jetosh gjininë që nuk ke. Je pas kompjuterit, askush nuk të sheh. Ja dërgoji një kërkesë miqësie asaj bukuroshes që e ke parë rrugës disa herë. Ajo do ta pranojë për të zgjeruar rrjetin social. Ndërsa ti mendon se ajo ka dalë në tregun e gjësë së gjallë ose mallrave të përdorur. Prandaj, rrihe hekurin sa është i nxehtë, përshëndete me zjarr, lajkatoje, komplimentoje e dërgoji madje dhe shampanjë ose puthje virtuale në inbox. Dërgoji ndonjë foto të ndonjë çuni të palestruar dhe bëhu i pacipë, kërkoji në këmbim asaj ndonjë foto hot. Nëse ecën mirë, nëse nuk ecën, futi një të sharë.

Ose nëse nuk je i frustruar në aspektin seksual, krijoje një profil për të vjellë vrer ndaj kujt’do që nuk është sinkron me mendimet e tua. Nëse je ndonjë militant i flaktë, jepi, ke rastin ti shash nga motra e nëna të gjithë që flasin kundër idhujve të tu. Gjëmoji minutë pas minute postimet e tyre, ruaji dhe sulmoji ku t’u djegë e t’u dhembë maskarenjve. Puno me zell aty pas kompjuterit, tabletit apo celularit tënd. Po vjen fushata, do të duhet të hidhesh si çakall në sulm ndaj kampit armik. Bëji kërkesë ose like ose follow faqeve të njerëzve të njohur. Përndiq jetën e tyre dhe xhelozohu.

Mendo pak: Çfarë ka ai/ajo më shumë se ty xhanëm, që bën jetë më të mirë?? Me siguri nëse është femër e suksesshme ka një dashnor me lekë që e ndihmon, nëse është mashkull pale lekët e kujt pastron. (Të jemi realist në këtë pikë mund të kesh për disa raste të drejtë). Por ti mendon se në vendin tonë nuk ka fare njerëz me vlera dhe as të zotë, se çdokush e ka një cen në CV. Prandaj ti përndjek e ndërsen, turbullon ujërat e bën një llum me komentet ose mesazhet e tua.

E ndjen adrenalinën si çlirohet kur lundron incognito?? Nuk ka norma për të respektuar, imazh për të ruajtur, një lojë pa rregulla ka të papritura. Ty kjo lodër të eksiton o i/e mjerë…!

Share: