Home KRYESORE Pse Rama e Meta nuk marrin dot një vendim?

Pse Rama e Meta nuk marrin dot një vendim?

Nga Mimoza Kociu

Ilir Meta ia ka dalë t’i heqë sigurinë e pushtetit Edi Ramës, e të marrë gjithë vëmendjen publike me qëndrimin e të hënës në darkë, ku fjala kyce ishte “besimi” që duhet të krijojë kryeministri për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, përmes një dialogu me opozitën e një qeverie besimi, një eufemizëm i qeverisë teknike që kërkon Lulzim Basha. E me këtë garanci besimi Meta kushtëzon edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Ramën. Përtej krediteve që I jep kjo lëvizje e Metës kërkesave të opozitës, praktikisht me rreshtimin krah saj duke I ofruar mandatet politike të LSI për aksionin opozitar, pikëpyetja kyce për lëvizjen e Metës do ishte, pse u pozicionua kaq vonë? Edhe Meta njëlloj si cdokush tjetër, e dëgjonte refrenin e Ramës për zgjedhje me apo pa PD, me apo pa LSI, e madje i shkoi edhe për darkë Ramës në zyrën e tij, duke I kaluar me makinë cadrës në krah. Pse duhej një darkë peshku më shumë, ku vetë Meta u përdor për spin politik, për të realizuar se “retorika e mazhorancës” ndaj cadrës është e papranueshme?

Që Meta e njeh më mirë Ramën se anasjelltas, kjo u provua kur Rama nga padurimi, foli në emër të Metës duke I dhënë notën 10 koalicionit me të, e duke e përdorur cdo darkë ku e fton si mbështetje e pashprehur e Metës, e duke I zhvlerësuar shigjetimet e tij si taktika parazgjedhore. Në këto 4 vjet bashkëqeverisje, tempizmi I Metës për të goditur është I pakrahasueshëm e I paarritshëm. Hesht e buzëqesh, por kur godet, lë pa frymë. Këtë I bëri Edi Ramës 24 orë pas një darke 4 orëshe me peshk.

Edhe pse përdorues I shkëlqyer I cinizmit, sarkazmës, asnjëherë nuk e ka përdorur ndaj Metës. Edhe këtë herë e kurseu duke I vënë si justifikim Kushtetutën, të njëjtën që u kapërcye në 2007-ën, për të shtyrë zgjedhjet vendore, pas kërkesës së tij në opozitë. Sot Rama shfaqet edhe njëherë më shumë si kryeministër I dobët, që nuk përballet me sfidat edhe kur ato janë kaq flagrante, por mbetet i hapur për marrëveshje pas kuintave.

Kur kërkon qeveri besimi, dukshëm Ilir Meta ndan të njëjtën pasiguri si opozita për zgjedhjet e ardhshme. Provat nuk I kanë munguar gjatë këtyre javëve sesi pas deklaratave për të shkuar në zgjedhje pa PD e LSI, alternativa opozitare do jetë rritja e partive të vogla në kuvend, ato parti që edhe pse nuk kanë komisionerë apo numërues, cuditërisht nuk shfaqin shqetësim për sigurinë e votave të tyre në zgjedhjet e ardhshme. Kjo lëvizje do kishte dy efekte, të deligjitimonte PD-në si opozita institucionale, dhe do tkurrte mandatet e Metës në parlament, duke I hequr kështu fuqinë për t’I bërë presion në vazhdim. Kësaj të fundit I ndruhet Ilir Meta më fort, sepse e di se fuqia e tij janë numrat në kuvend. Për pasojë Meta ndihet më pranë kërkesave të Bashës, e po tenton njëlloj si në konsensusin për reformën në drejtësi, për ligjin e dekriminalizimit e frenimin e lejimit të importit të mbetjeve,të bëhet faktori që lëviz edhe mazhorancën. Futja në lojë e PDIU, si zëri postMeta që thotë se nuk mund të shkohet në zgjedhje pa opozitën, është herët të dallohet nëse është një akt I sugjeruar apo spontan, edhe për faktin se propozimet e drejta për ndryshime në kodin zgjedhor paraqiten 10 javë para zgjedhjeve, nga një parti që përfaqësohet në komisionin e dështuar parlamentar për reformën zgjedhore.

Pyetja për të dy është përse nuk marrin dot një vendim për t’I kursyer minimumi vetes këtë shfaqje publike? Përse Ilir Meta matet e paralajmëron pa e finalizuar aksionin e vet? Përse Edi Rama pranon këtë lloj poshtërimi public, që nuk ia mbulon dot shënimi I ditës në FB? Takimet e të mërkurës të Ramës me Metën e Idrizin dhe ecejaket e Petrit Vasilit sa tek zyra e Metës, tek ajo e Ramës janë tregues I negociatave jo fort të lehta që po mbahen në koalicionin qeverisës.

Ata që shpresuan se Rama do I tregonte vendin Metës po publikisht, u zhgënjyen. Nuk e ka bërë asnjëherë në këto katër vjet, e kjo nuk ka për të ndryshuar. Admiruesit e kryeministrit duhet ta venë shpirtin e penën në paqe nga kjo anë. Si zakonisht përballë marrjes së përgjegjësisë, luan rolin e viktimës, të asaj që aleati I vet po flirton- riaktivizon lidhjen e hershme me opozitën për të penguar ecurinë e reformës në drejtësi, e për këtë ka një armatë jo të vogël njerëzish që e këndojnë këtë refren, me gjithë stonaturat, në cdo media, portal, a studio televizive.

Përkundër qeverisë së besimit të propozuar nga Meta e qeverisë teknike të kërkuar nga Basha, duket se Rama i ka vënë përballë propozimin për qeveri Meta-Basha, pa socialistët, cka e kthen krizën në pikën e fillimit, e stopon Metën në ndërmarrjen e një akti konkret pas paralajmërimit të së hënës.

Megjithatë ulja në një tryezë dialogu duket një opsion I pashmangshëm për të gjithë. Cështjet e shtruara për zgjidhje janë jo pak, përfshi më të afërmen, zgjedhjen e Presidentit të ri.

Të gjitha palët duhet të sqarojë: a është mosfutja e opozitës në zgjedhje “ngërci” që pengon koalicionet parazgjedhore, apo kanabizimi I vendit, rreziku I deformimit të votës, përdorimi I të fortëve në zgjedhje, i administratës a policisë janë shqetësimi që I bashkon të gjithë?

Një shprehje e njohur thotë se një njeri ka gjithnjë dy arsye për gjithcka bën: një arsye të mirë dhe arsyen e vërtetë. Kjo e fundit do zbulohet në ditët e ardhshme.

Share: