Home KRYESORE Seksist apo mizogjin?

Seksist apo mizogjin?

Nga Jeta TOÇILA

Unë nuk jam nga ato feministet ekstremiste që dalin me shpatë në dorë kundër gjithçkaje që përfaqësojnë burrat. Por ka disa sjellje e qëndrime në shoqërinë shqiptare të spektaklit, të fortifikuara përmes personazheve publike, të cilat nuk i honeps dot. Ka politikanë, gazetarë apo persona të tjerë publikë që shfaqin hapur seksizmin ndoshta dhe mizogjininë e tyre të fshehtë.

Ata bëjnë shaka pakripë me personazhe femra në panele programesh televizive duke folur për to si për copën e mishit që e rreh kasapi për ta shitur për bërxollë a byftek. Ose ata përdorin gjuhë të papërshtatshme në seanca parlamentare për koleget femra. Për shembull ndodh të thërrasin një deputete me emrin e një pornostari, tjetrës mund ti thonë “u lage”. Për dikë tjetër mund të tregojnë se gjithë natën ka qenë me ndërkombëtarët. Ose gjatë takimeve me popull, e zemë në ndarje certifikatash pronësie, mund të shprehin hapur seksizmin, jo vetëm ndaj femrave, por edhe meshkujve që në sytë e tyre duken si dele. Pasi seksismi është neutral në raport me gjininë. Një person seksist mund të jetë i tillë edhe ndaj burrave.

Sipas shpjegimeve në fjalorë të ndryshëm seksizmi ka të bëjë me qëndrimet ose sjelljet e bazuara në stereotipet tradicionale të roleve gjinore. Misogjinia ka të bëjë me urrejtjen, mospëlqimin ose mosbesimin ndaj femrave. Sipas teorive feministe, mizogjinia mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, përfshirë diskriminimin seksual, denigrimin e gruas, dhunën ndaj grave dhe objektifikimin seksual të gruas. Mizogjini, shënjestron një grua të butë, e cila nuk aktivizon mekanizma mbrojtës ndaj tij, sepse në fillim ai shfaqet si pasionant emocionues, argëtues dhe karizmatik. Me kalimin e kohës, ai fillon të zbulojë personalitetin duke u shfaqur i vrazhdë dhe i pasjellshëm, pastaj përsëri i papërmbajtshëm.

Sjellja e tij ndaj grave në përgjithësi është dominante, madhështore, me kokëfortësi, kontrolluese. Nëse një grua ecën më shumë se ai përpara në karrierë ose në biseda profesionale ai ndihet keq. Atij I ecën për ti bërë gratë të ndihen të dobëta para tij. Ai nuk ka turp t’u kërkojë seks grave që punojnë me të, ti vërë në lojë edhe publikisht, t’u marrë para borxh apo edhe ide duke mos ua njohur meritat. Në një takim, ai do e trajtojë një grua krejt në mënyrë të kundërt me atë që ajo ka qejf. Nëse një grua është e pavaruar ai do sillet me të si dominant, nëse një grua preferon një zotëri me sjellje kalorsiake, ai do e trajtojë atë si shok birre. Ai papritmas mund të zhduket nga një marrëdhënie pa e përfunduar, por mund të kthehet tre muaj më vonë me një shpjegim të sajuar për të joshur gruan përsëri.

Nëse ky mizogjin është një lider, gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në pushtet, zgjedh të bashkëpunojë me gra, të cilat ofrohen dhe trajnohen të brendësojnë tiparet e një ushtari që përgjigjet gjithmonë “YES SIR”. Ato pranojnë të quhen kuçka prej liderit korridoreve, pranojnë të komentohen format e tyre trupore apo veshjet që kanë zgjedhur, pranojnë edhe të dhunohen. Zgjedhin të qeshin me këtë lloj gjuhe duke e glorifikuar liderin edhe për këtë tipar unik, pa kuptuar se ky tipar mund të jetë mizogjini e kamufluar me seksizëm

Me të drejtë mund të ngatërrohet me seksizëm, pasi këta persona nuk e kanë të shkruar në ballë, madje shpesh herë shfaqen edhe si persona pro-grua, për shembull duke shtuar kuotat e grave në vendimmarrje ose gardhet me police femra në protestë, ose propozimet për kandidate presidente femra.

Duhet thënë se në pjesën më të madhe të rasteve këta lidera nuk e dinë që i urrejnë gratë. Mizogjinia e tyre duket se është një urrejtje e pandërgjegjshme ndaj cdo gruaje, e formuar herët gjatë jetës së tyre, shpesh si rezultat i ndonjë traume ku është përfshirë ndonjë figurë femërore ndaj së cilës kanë patur besim. Për shembull një nënë e ftohtë emocionalisht, neglizhente, një grua që i ka zhgënjyer në dashuri, një motër abuzive, ose mësuese, ose e dashur mund të ketë mbjellë farën e urrejtjes në trurin e tyre.

Sapo kjo farë mbillet, lëshon rrënjë, të cilat afektojnë negativisht emocionet, sjelljet dhe mendimet në raport me femrat. Çdo herë që ata mund të lëndojnë ndjenjat e një gruaje, ata ndjehen mirë, sepse thellë fshehtas në trurin e tyre, sjellja e keqe shpërblehet me një dozë dopamine të kënaqësisë, gjë që i bën ata të duan të përsërisin sjelljen përsëri dhe përsëri.

Është fatkeqësi nëse dikush, lider ose jo të urrejë një grua. Në një rast të tillë, ky dikushi ka nevojë për ndihmë dhe rilindje!

Share: