Home KRYESORE Shtëpia e Bardhë publikon pasurinë e personelit. Ja pasuria e Ivanka Trump

Shtëpia e Bardhë publikon pasurinë e personelit. Ja pasuria e Ivanka Trump

Shtëpia e Bardhë ka bërë publik një raport mbi pasuritë e anëtarëve të stafit të presidentit.

Raporti, që doli të premten në mbrëmje, paraqet detaje rreth aktiviteteve, detyrimeve dhe të ardhurave të anëtarëve të stafit më të pasur ndonjëherë të Shtëpisë së Bardhë, që kur ata morën postet në janar dhe kur filluan të shisnin asetet që mund të konsideroheshin së përbënin konflikte interesi në lidhje me postet e tyre të reja. Raporti përfshin të dhëna në lidhje me gjendjen financiare të vajzës së presidentit, Ivanka, dhe burrit të saj Jared Kushner, familja e të cilit ka është e përfshirë në biznesin e pasurive të patundshme në Nju Jork.

Jo çuditërisht, çifti ka pasuri të madhe nga pronat e patundshme dhe nga bizneset e tyre me vlerë $741 milionë dollarë, sipas gazetës The New York Times. Ivanka Trump gjithashtu zotëron aksione të Hotelit “Trump International” në Uashington, i cili ndodhet pranë Shtëpisë së Bardhë. Informacionet financiare tregojnë se Jared Kushner ka dhënë dorëheqje nga të paktën 260 subjekte, korporata, grupe dhe organizata jo-fitimprurëse që nga janari. Gruaja e tij Ivanka ka hequr dorë nga kontrolli i biznesit të saj të modës për të punuar në Shtëpinë e Bardhë. Dhënia e informacioneve financiare detyrohet me ligj që të bëhet publike.

Raporti, megjithatë, nuk përfshin marrëveshjet e Zyrës Qeveritare të Etikës me të punësuarit për atë që ata duhet të bëjnë për të shmangur konfliktet e mundshme të interesit. Gary Cohn, një biznesmen miliarder dhe një nga këshilltarët më të lartë ekonomikë të presidentit Trump, është edhe një nga anëtarët më të pasur të stafit.

Ai la punën e tij në kompaninë Goldman Sachs, ku ka fituar të paktën 40 milionë dollarë në të ardhura nga forma të ndryshme pagese, që të bëhet këshilltari kryesor ekonomik i presidentit Trump. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer i përshkroi anëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë si “shumë fatlumë dhe shumë të suksesshëm”, duke thënë se ata kanë bërë sakrifica për të punuar në shërbim të publikut.

Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë Reince Priebus, i cili udhëhoqi Partinë Republikane gjatë fushatës fitimtare presidenciale, ka marrë më shumë se gjysmë milionë dollarë në paga dhe shpërblime nga Komiteti Kombëtar Republikan dhe ka fituar të paktën 750 mijë dollarë nga shitja e aksioneve dhe fitimet e pronarëve të firmës ligjore “Michael Best and Friedrich”.

Asetet e këshilltarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon u vlerësuan ndërmjet 3.3 dhe 12.6 milionë dollarë. Informacion në lidhje me pasuritë e Presidentit Donald Trump nuk janë përfshirë në raport. Presidenti, ndryshe nga paraardhësit e tij, ka refuzuar vendosmërisht të lëshojë informacion rreth pasurisë së tij. /VOA

Share: