Home KRYESORE Zbulohen kushtet e Ramës dhe Bashës para nisjes së takimeve me zyrtarin...

Zbulohen kushtet e Ramës dhe Bashës para nisjes së takimeve me zyrtarin e Brukselit

Zv.presidenti i PPE-së, David McAllister, dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein do të mbërrijnë sot në Tiranë me misionin e zgjidhjes së ngërçit politik përmes një marrëveshjeje të dakordësuar mes palëve, shkruan “Panorama”.

Ardhja e dy përfaqësuesve të lartë europianë shihet si shansi i fundit për t’i bërë palët të reflektojnë në kërkesat e njëra-tjetrës dhe të gjejnë një zgjidhje për zhvillimin e zgjedhjeve normale parlamentare.

Pasi kanë kontaktuar në mënyrë intensive mes palëve, zv.presidenti i PPE-së dhe eurodeputeti Fleckenstein do të vijnë sot në Tiranë për t’u bërë një ofertë konkrete për zgjidhjen e krizës aktorëve kryesorë politikë në vend.

Burime të “Panorama” sqarojnë se e sigurt është që nuk do të ketë një tryezë të përbashkët Rama- Meta-Basha, për aq kohë sa këta të fundit nuk do të kenë rënë fillimisht dakord për nënshkrimin e një marrëveshjeje politike.

Sipas burimeve, fillimisht dy negociatorët gjermanë, McAllister dhe Fleckenstein, do të zhvillojnë takime me dy drejtuesit e koalicionit të majtë, Rama e Meta. Sipas burimeve, Kryeministri Rama ka deklaruar se është i gatshëm të pranojë çdo kusht apo zgjidhje të ofruar nga opozita me kushtin e vetëm që ajo të jetë një ofertë që nuk shkel Kushtetutën.

I gatshëm për të negociuar dhe për të arritur drejt një marrëveshjeje të dakordësuar, ka qenë edhe kreu i opozitës Basha. Por ndryshe nga kreu i qeverisë, për Bashën me rëndësi është që të ketë një zgjidhje politike, çfarë nënkupton krijimin e një qeverie teknikedhe shtyrje e datës së zgjedhjeve.

Pas takimit me Kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit Meta, negociatorët kanë përcaktuar edhe takim me kreun e opozitës Basha. Por sipas burimeve, në takim me Bashën nuk do jetë i pranishëm eurodeputeti Knut Flenckenstein, por vetëm zv.presidenti i PPE-së, David McAllister.

Takimet e veçanta të negociatorëve me përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës do të jenë përcaktuese lidhur me thirrjen e një takimi të përbashkët nga negociatorët, apo largimit të tyre nga Shqipëria pa marrëveshje.

Share: