Home KRYESORE 1 Maji, festa apo protesta e njerëzve të vuajtur

1 Maji, festa apo protesta e njerëzve të vuajtur

Nga Azem Parllaku

Sot është dita kur sindikatat dalin në shesh anembanë globit. Për të kërkuar më shumë të drejta për punëtorët që përfaqësojnë si edhe për ti kujtuar qeverive se ato janë aty e janë të forta. Në Shqipëri kjo nuk ndodh sepse, sindikatat që duhej të merreshin me protestat janë të përçara njësoj si partitë politike. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, në shumë vende të botës përkujtohet me 1 Maj, si një ditë në të cilën kujtohet angazhimi i lëvizjeve sindikale që mbrojnë të drejtat e punëtorëve.

Në Shqipëri, në këtë ditë ndryshe nga vendet e tjera, festohet në vend që të protestohet. Në të gjithë globin, aktivistët e punës kërkuan që të bënin Ditën e 1 Majit festë zyrtare në nder të punës dhe shumë vende e kanë bërë këtë. Dita e 1 Majit ka qenë një festë e rëndësishme zyrtare edhe në Shqipëri, ashtu sikurse në vende të tilla si: Republika Popullore e Kinës, Koreja e Veriut, Kuba dhe ish-Bashkimi Sovjetik. Festimet zakonisht funksionin si parada të përpunuara popullore dhe ushtarake. Madje gjatë Luftës së Ftohtë, Dita e 1 Majit u bë rasti i paradave të mëdha ushtarake në Sheshin e Kuq në ish-Bashkimin Sovjetik.

Dita ndërkombëtare e punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre, e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886. Disa argumentojnë se, në të vërtetë në Europën e lashtë, dita e 1 Majit është llogaritur si dita e parë kur fillon koha e ngrohtë dhe dita e luleve. Romakët vallëzonin në shenjë falënderimi ndaj zotit të natyrës e quajtur Flora. Druidët kanë ndezur zjarre si shenjë falënderimi ndaj zotit Bela.

Kurse në mesjetë europianët zbukuronin shtëpitë me lule. Sipas paganëve evropian, në këtë ditë bëhen rituale falënderimi ndaj zotit të pjellshmërisë, lëshohet muzikë dhe ka gëzim të madh për shkak gjelbërimit të natyrës. Kjo datë është edhe data e themelimit të organizatës sekrete, “Iluminatët” (Mendjendriturit), e themeluar në vitin 1776 nga Adam Weishaupt një lëvizje e veçantë e fshehur republikane. Rrugën e Weishaupt dhe të lëvizjes së tij “Iluminatët” e vazhdoi treshja: Karl Marks, Fridrih Engels dhe Ferdinand Lassall.

Ata e përpunuan fasadën e kësaj doktrine duke i ruajtur idetë e saj thelbësore. Duke e vënë theksin në parimet altruiste, ata e ruajtën anën revolucionare të doktrinës. Ende më interesant është fakti se kjo treshe u pranuan si liderë të klasës punëtore, edhe pse kurrë nuk kanë qenë punëtorë, ose të shpërblyer për “drejtësinë” për të cilën në mënyrë aq të flaktë kanë luftuar. Komunizmi e festoi 1 Majin, ditëlindjen e Illuminati-ve, nga shkaku se përkrahësi i Komunizmit, Karl Marksi, ishte anëtarë në këtë shoqëri. “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parrulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855 e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore.

U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Nga kongresi i Internacionales së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ato që luftuan më tepër për realizimin e kësaj aspirate qenë pa dyshim organizatat e punëtorëve amerikanë. Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh.

Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane. Më 20 korrik 1889 kongresi themelues i Internacionales së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 majin e 1890-ës manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima. Vetëm në gusht të vitit 1891, kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si, festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit. Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha.

Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte ne orarin e punës, në 8 orë. Në Shqipëri, vite më parë dita e punëtorëve ishte ditë feste dhe festohej nëpërmjet ceremonive të ndryshme. Gjatë viteve të fundit qytetarët shqiptarë këtë ditë preferojnë ta kalojnë në heshtje. Në ndërkohë 1 Maji ka shërbyer edhe si ditë proteste, ç’ka nënkupton se edhe qytetarët shqiptarë po shkojnë drejt orientimit perëndimor përsa si përket 1 Majit, ditë e cila në mbarë botën është ditë protestash për të drejtat e qytetarëve dhe jo ditë festash, siç ishte në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës.

Share: