Home KRYESORE Dënohet manjaku i Tiranës, kërcënonte gruan e martuar

Dënohet manjaku i Tiranës, kërcënonte gruan e martuar

“Do të djeg me benzinë. Kam dashur të vij te shtëpia për të të vrarë, por më ka ardhur keq për gocat që do shikonin gjak. Do të shkatërroj familjarisht”.

Përmes këtyre kërcënimeve dhe të tjerave të kësaj natyre një grua e martuar dhe nënë e dy fëmijëve është terrorizuar për disa muaj me radhë nga një i njohur i saj.

Gjykata e Tiranës dënoi me 1 vit burg pak ditë më parë shtetasin me iniciale F. Z. si autorin e këtyre veprimeve. Ai u deklarua fajtor për akuzën e “përndjekjes”. Sipas gjykatës, i pandehuri i kishte krijuar shqetësim të vazhdueshëm të dëmtuarës. Në muajin maj të vitit të kaluar kallëzuesja ishte detyruar të largohej nga puna e saj, për shkak se në mënyrë të përsëritur atje i shkonte i pandehuri.

Po sipas kallëzimit, i pandehuri nuk ka ngurruar t’i shkojë asaj edhe poshtë banesës, ku në një rast është vënë re edhe nga bashkëshorti i saj, i cili ka lajmëruar policinë për këtë fakt. Në vendim citohej edhe deklarimi i dhënë gjatë hetimit nga një prej fëmijëve të së dëmtuarës.

Sipas deklarimit të cituar në vendimin e gjykatës, ajo ka theksuar se i pandehuri i ndiqte nga mbrapa, duke thënë fjalë kërcënuese për mamanë e saj. “Unë do të vras ty dhe familjen tënde. Do pendohesh qe ke bërë kallëzim për mua në polici. Në një rast kam qenë së bashku me mamanë në ambulancë dhe ai ka ardhur aty dhe e ka kapur nga krahu mamanë me forcë duke e tërhequr”, thuhej në dëshminë e vajzës.

Nga ana e tij i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën. Ai ka pretenduar se akuzat ndaj tij ishin intriga dhe mashtrime të kallëzueses. I pandehuri ka këmbëngulur se ai nuk e ka ndjekur apo kërcënuar në asnjë moment kallëzuesen./Panorama

Share: