Home KRYESORE Disa pyetje gjysmë konspirative!

Disa pyetje gjysmë konspirative!

Nga Enver Bytyci

1. U bënë 70 ditë që Lulëzim Basha flet në Çadrën e Lirisë çdo ditë e madje dy herë në ditë! Ka dhënë mësazhe, ka shprehur ide, por edhe ka kërcënuar diktaturën e krimit! Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe pasi u kthye nga vizita e tij disaditore në SHBA! Edhe mbasi takoi në selinë e PD-së, politikanin e shquar McCain! A mund të më thotë dikush si, pse dhe nga kryetari i opozitës e gjeti këtë forcë të munguar më parë?! Ai kundërshtoi dhe nuk pranoi planin e zgjidhjes së krizës të ndërmjetësuar nga dy eurodeputetët, McAllister dhe Fleckenstein. A mund të ma shpjegojë dikush nga u buron kjo forcë, kjo vendosmëri?!

2. Shqipëria ka zhvilluar zgjedhje në kushte konflikti të ashpër deri me armë (1997) dhe PD ka marrë pjesë në to! E thotë edhe Majlinda! A duhet besuar se zgjedhjet në kushtet e konfliktit të atëhershëm ishin e vetmja zgjidhje me shpresë se do të stabilizohej, ndërsa zgjedhjet e këtij viti shihen si mjet për të legjitimuar një diktaturë kriminale në pushtet?! A duhet të jetë ky dallimi thelbësor midis dy kohëve, që na na u servir si argument për t’u rikthyer në institucionet e krimit?!

3. Në kushtet e krizave të mëdha kanë ndodhur përçarje të mëdha! Si shpjegohet fakti që opozita e sivjetme është kaq e bashkuar, kaq unitare dhe e vendosur në bojkotin parlamentar e bojkotin zgjedhor?! Këtë vit ofertat për përçarjen e opozitës kanë qenë shumë herë më të mëdha se çdo herë tjetër! Si shpjegohet që kërkesa për përçarje ka qenë më e ulëta se në çdo rast tjetër?!

4. Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë ka mbajtur herë njërën anë e herë anën tjetër. Por vetëm tani e për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar diplomatët perendimorë janë denoncuar për aferën korruptive politike të përçarjes së opozitës! Si mund të shpjegohet ky evolim, kjo vendosmëri e eksponentëve epozitarë për t’i denoncuar diplomatët europianë sa i përket këtyre përpjekjeve?! Dhe pse asnjë diplomat amerikan nuk ka ofruar një alternativë të tillë, për të lënë Partinë Demokratike të vetme në vendimin e saj për bojkotin e parlamentit e të zgjedhjeve?!

5. Dhe e fundit, Partia Demokratike edhe nën drejtimin e zotit Berisha, asnjëherë nuk ka qenë kaq unike në aksionin e saj politik, ndonëse të pazakontë për një vend kandidat për t’u pranuar në BE. Vetëm pas mbylljes së afateve për regjistrim në KQZ të kandidatëve për deputetë u shfaqën tre deputetë të saj me kundërshti për politikën e bojkotit të kryeopozitarit Basha. Po të përjashtojmë këtë kundërshti, sidomos të zotit Selami dhe zonjës Bregu, si qëndrime identike të arkitektit të diktaturës së krimit në Shqipëri, mund të thuhet se PD ka vepruar dhe vepron e bashkuar në këtë aksion politik. Si është e mundur të ndodhë kjo, nëse do të ishte aq dramatik sa e bëjnë sorosistët bojkotin e parlamentit e të zgjedhjeve?!

Share: