Home KRYESORE Dje në mother’s day u ndjeva i helmuar.

Dje në mother’s day u ndjeva i helmuar.

0

Nga Agim Xahfka

Dje në mother’s day u ndjeva i helmuar. Nga që nëna ime nuk rron më dhe nga që shumë e shumë miq në fb përdorën urimin e dhimbshëm:”Të përqafoj nga larg,o nënokja ime!”

Nuk ka popull mbi glob që të ketë kaq bij e bija larguar në raport me popullsinë e kaq e kaq nëna që si qyqe gdhihen e ngrysen mbi skype. Dhe me agimin nuk ia nisin bisedës si vërsnikët nëpër botë që më dhembin gjunjët,më dridhet dora,më thahen buzët,por nxjerrin psherëtima e dhimbje se si po mësohen fëmijët e tyre në dhé të huaj,si po e kalojnë dimrin,si i shmangen policisë ata pa letra,pse nipërit harruan gjuhën shqipe,kur do vijnë ndonjëherë për pushime. Një dramë kombëtare që luhet prej vitesh e për fat të keq ka një shigjetë që shkon veç lart. Ikin fëmijët e ngelen prindërit,nuk harrohen,por pa dashje hyjnë në pyllin e madh të pemëve të braktisura,mbuluar me heshtje dhe me dhimbje.

Më rastisi të lexoj edhe shtrëngime gjoksi nga ata që nuk vajtën dot në vendlindje as për varrimin e nënës. E loti i tyre dje u shfaq sa një liqen i madh,shoqëruar me pasthirrma e dufe

Dita e nënës na nxjerr të gjithëve zbuluar para atyre Shën Marive,para atyre që gjumin e bënin pasi ne flinim,që bukën e hanin pasi ne hanim,që dhimbjen e merrnin pa erdhur dhimbja,si mburoja çeliku per jetën e atyre që sollën në jetë. Nuk ka si në Shqipëri aq nëna pa fëmijët pranë,aq dhimbje që ecin si sonambul e flasin me vete,aq hidhërime që nuk treten e aq shpresa që nuk shuhen. U mplakën më shumë kur ikja mori fëmijët si një vrapim nga vdekja,u rrënuan kur po u vrapojnë para syve edhe nipërit,edhe mbesat. Një arratisje që nuk pushon,veç nxiton e nxiton. E nënat,ngelur pa fëmijë e shumë ngelur edhe pa burra duken si të harruara në Aushvicin shqiptar. Në një tokë ku mban ndrydhur veç të drobiturit e ku i shtyn matanë telave rininë e bukur e të tronditur.

Dje ishte dita e nënës. Urime bëri gjithë bota. Por pjesa më e madhe e jona,ikanakët,emigrantët,kurbetlinjtë,quajini si të doni,uruan me zemër e qanë me shpirt. Se nënoçkat e tyre dalin e flasin të qeshura e plot gaz në telefona e video,por sa shtypin off nisin ofshamat e fatit të përvuajtur. Ikja nuk largoi dhimbjen,ikja e njerëzve të dashur është kanceri i kohës që jetojmë. Gëzuar nëna,që lindët fëmijë për globin!

Share:
Reklama juaj