Home KRYESORE Do të thuhet në fushatë si do përkrahet sipërmarrja?!

Do të thuhet në fushatë si do përkrahet sipërmarrja?!

Nga Kasem Seferi

Një nga “lajmet” e ditës ishte një dukuri tejet e njohur që daton diku nga fundi i vitit 2008, kohë kur, si rezultat i shpërthimit të krizës financiare globale, që preku shumë vende me peshë të rëndësishme të ekonomisë, nga paniku u larguan rreth 540 million euro nga depozitat e kursimtarëve në bankat e nivelit të dytë.

Që nga ajo kohë e “zbaticës” së madhe, “baticat” e huadhënies drejt biznesit kanë qenë aq të vogla, për të mos thënë se nuk kanë ekzistuar.

Kush e pësoi?

Së pari, kursimtari shqiptar, që humbi fillimisht interesat dhe pas me rikthimin e tyre, përfitoi përqindje të zvogëluara.

Së dyti, sipërmarrja që u frenua nga një vlerësim tejet mase i riskut të huadhënies nga bankat e nivelit të dytë.

Fjala sipërmarrje të çon në mendje jo biznesmenin, por një funksion shumë të rëndësishëm të tij që lidhet me zbulimin, ose nuhatjen për mundësi, që shumë individë të tjerë nuk arrijnë t’i perceptojnë.

Pra, sipërmarrësit janë zbulues të përdorimeve të reja burimeve, produkteve të rinj, tregjeve të rinj, mundësive të reja me pak fjalë: mundësive të reja për tregti përfituese në proçesin dinamik të tregut.

Në proçesin e vazhdueshëm te zbulimit të mundësive për fitim të pastër sipërmarrësi kërkon ndryshim, i përgjigjet dhe e shfrytëzon ndryshimin si një mundësi dhe, për këtë arsye, i shërben mbështetja e qeverisë që është vendimtare në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit (krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike).

Një qeveri që nuk i siguron sipërmarrësve me ekspertizë profesionale mbështetje me politikat e saj, e dekurajon sipërmarrjen, ndërsa ajo kulturë politike që i siguron mbështetje e inkurajon sipërmarrjen,

Sipërmarrja nuk është rreth ekonomisë, por rreth njeriut, për arsye se konsumatorët janë qytetarë dhe jo mjete mekanike dhe, në proçesin e shitjes, i rëndësishëm nuk është sipërmarrësi, por qytetari.

Faktet flasin në mënyrë bindëse se sipërmarrja ka qenë burimi i vetëm i rritjes ekonomike në vend, por politikat e qeverive nuk mund të thuhet se iu përshtatën ritmit dhe kërkesave të sipërmarrjes vendase, veçanërisht, në proçesin e privatizimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Edhe pse që në hapat e parë të saj (veçanërisht në vitin 1994) sipërmarrja shqiptare krijoi vende të reja pune, furnizoi konsumatorët me mallra, mobilizoi kursimet dhe i dha fund monopolit shtetëror në ekonomi.

Nuk ishte aspak surprizë përse ata që e kishin shpenzuar jetën e tyre ndën ekonominë e planifikuar dhe të centralizuar nuk arritën ta parashikonin ndikimin e sipërmarrjes edhe pse analistët perëndimorë ua rekomanduan fuqishëm rëndësinë e hyrjes së sipërmarrësve të rinj në proçesin e transformimit të ekonomisë drejt një ekonomie të orientuar te tregu.

Madje mund të thuhet pa frikë se ndërmarrjet shtetërore, të frikësuara nga konkurrenca, i penguan sipërmarrjet e reja private, të cilat as nuk u kredituan nga sistemi bankar dhe as nuk u mbështetën nga sistemi rregullator.

Megjithëatë, shumë pjesë të tregut u mbushën në mënyrë spontane nga sipërmarrësit privatë në bazë të nismave të tyre; por mund të thuhet me siguri se një ndër faktorët që ndikoi në zhvillimin e sipërmarrjes vendase ka qenë reforma tatimore, e cila kishte shumë objektivë të mundshëm, por më i rëndësishmi ishte çlirimi i energjive krijuese të sipërmarrjes në ekonomi, me qëllim që ta bënte veprimtarinë sipërmarrëse më tërheqëse.

Një prej arsyeve më të rëndësishme për tregje të hapura dhe konkurruese është ajo që individët të kenë nxitës për fitim dhe shans për të përfituar, sepse rendi institucional i tregut të lirë krijon kushtet sipas të cilave njerëzit do të kishin më shumë gjasa për të qenë të motivuar për të qenë sipërmarrës.

Në këtë kuptim veprimtaria e sipërmarrësit është një cilësi në natyrën e proçesit sipërmarrës të tregut ku përputhja në ndarjen e punës në shoqëri është një ndarje e pashmangshme e njohurive.

Në anën tjetër, është “funksioni shoqëror” i konkurrencës për të krijuar mundësitë dhe nxitësit për sipërmarrësit për të konkurruar kundrejt njëri – tjetrit në ndjekje të këtyre fitimeve me tendencën për të kapur biznesin e konsumatorit.

Konceptimi i tregut si proçes paralajmëron për rreziqet që rezultojnë nga ndërhyrja e qeverisë, rregullimi dhe të tatuarit dhe kur këto të fundit shkelin të drejtat e lirisë së tregut, kur asfiksojnë dhe mbyllin mundësitë dhe nxitësit për sipërmarrjen, fshehin mundësitë e një bashkërendimi efektiv të shumë mundësive potenciale dhe përfituese në mënyrë të ndërsjellë për fitime nga tregtia, që me kënaqësi shumë biznesmenë do të merrnin përparësinë për këtë gjë.

Ndërhyrja, rregullimi dhe të tatuarit në mënyrë të gabuar vonon dhe parandalon eksperimentimin sipërmarrës me metoda të reja dhe shpikëse për prodhimin, që mund të përmirësonin cilësinë dhe varietetin e jetës, vetëm në qoftë se tregu do të lihej i lirë, i hapur dhe konkurrues nga dora e rëndë e barrëve fiskale dhe kontrolleve të ndryshme të qeverisë.

Askush nuk mund të provojë se zyrtarët e qeverisë kanë njohuri të përkryera dhe mençuri të mjaftueshme për të drejtuar çështjet ekonomike të mijëra e mijëra njerëzve.

Në shkallën që politikat e qeverisë ngrijnë, ose frenojnë proçesin e tregut, ato bllokojnë ecjen përpara të sipërmarrjes.

Sipërmarrja në kontekstin e mësipërm është manifestimi i aftësisë dhe i gadishmërisë së individëve dhe ekipeve të tyre, brenda dhe jashtë shoqatave ekzistuese, për të perceptuar dhe krijuar mundësi të reja ekonomike që kanë lidhje me vendndodhjen, formën dhe përdorimin e burimeve dhe të institucioneve.

Për të kuptuar më mirë dhe për ta hapur tregun për sipërmarrësit, qeveria duhet të konsiderojë rolin e dalluar të sipërmarrësit si person që e merr me mend:

  • riskun që shoqërohet me pasigurinë;
  • si furnizues të kapitalit financiar;
  • si një njeri të së resë;
  • si një vendim – marrës;
  • si një lider në një ose disa fusha të veprimtarisë ekonomike;
  • si një menaxher të pasurisë;
  • si një organizator dhe bashkërendues të burimeve ekonomike;
  • si një pronar biznesi/biznesesh; si një punëdhënës i faktorëve të prodhimit;
  • si një kontraktor; si një pajtues i palëve të kundërta;
  • si një caktues i zoti i burimeve midis përdorimeve alternative; dhe
  • si një person që realizon fillimin e një biznesi të ri.

Problemit të sipërmarrësit i është kushtuar pak vemendje në publik, shkak ky që, ndoshta, shpjegon faktin përse në çdo fushë të jetës publike ndeshemi me dukurinë e monopoleve në tregun shqiptar.

Besoj se, në fushatë, duhet të flitet për sipërmarrjen për këtë motorr që gjeneron vende pune, sepse vetëm kështu mund të premtohen, të paktën, afërsisht vendet e reja të punës. Me një klimë të tillë edhe bankat e nivelit të dytë do ta vlerësojnë ndryshe riskun e huadhënies dhe, ndoshta, nuk do të investojnë për rritjen e borxhit të brendshëm, duke blerë bonuset e thesarit.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: