Home KRYESORE Kodheli e politikës dhe Demiraj teknik

Kodheli e politikës dhe Demiraj teknik

Nga Azem Parllaku

Dritan Demiraj, i propozuar nga Partia Demokratike si ministri teknik që do të drejtojë ministrinë kyçe të vendit, do të jetë pjesë e kabinetit, së bashku me ministren Kodheli. Demiraj pas 31 viteve kontribut në Forcat e Armatosura u lirua nga detyra me firmën e Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli 3 vite më parë. Në atë kohë kolonel Dritan Demiraj lirimin e tij nga detyra me urdhër të Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli e pati cilësuar si të padrejtë. Në kohën e lirimit të kolonelit me një karrierë të gjatë në fushën e mbrojtjes, Kodheli la në dispozicion edhe 160 oficerë të tjerë.

Mënyra se si këta oficerë u përzgjodhën për t’u lënë në dispozicion u tha se ishte e motivuar politikisht. Investigimi i disa mediave për çeshtjen në fjalë nxori në dukje arrogancën e Ministres së Mbrojtjes. Ndërsa kolonelit Demiraj, nuk i’u ofrua punë në përputhje me gradën, pjesa tjetër e oficerëve në dispozicion, u emëruan në mospërpuethshmëri me gradë-funksion. Për rrjedhojë më pas shumë prej këtyre oficerëve, edhe pse kishin bërë karrierë të ndershme, u demotivuan dhe për emrimet jashtë kriterit ligjor i’u drejtuan gjykatave për të vendosur drejtësi. Ndërsa një pjesë e tyre i kanë fituar të drejtat, disa të tjerë u dërguan në lirim pa asnjë masë paralajmëruese. Kështu, para 3 vitesh, Mimi Kodheli, doktore e shkencave ekonomike, aktualisht e “importuar” elektorale politike nga Tirana, pas ikjes enigmatike nga Qarku i Kukësit të Kordinatorit të maparshëm socialist, Ilir Beqja, goditi jo pak, por 160 oficerë të gradave major deri kolonelë. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në çdo komunikim me ushtarakët u drejtohet atyre, sikur këta ushtarakët të ishin militantë të devotshëm rilindas. Kodheli duhet t’a ketë të qartë, nëse jo dikush duhet t’ia thotë se; Në Republikën e Shqipërisë ekziston që nga viti 1991 Ligji nr. 7492, dt. 8 qershor 1991, “Për departizimin dhe depolitizimin e disa organeve shtetërore”. Sipas këtij ligji ndalohet propaganda politike, ndër të tjera edhe në Forcat e Armatosura.

Përpara ushtarakëve në bazat ushtarake, e shoqëruar nga gjeneralët e saj Ministrja nuk bën tjetër, veçse polemikën politike të ditës me opozitën. Kodheli flet plot pasion për NATO-n, ndërsa harron se një pjesë e mirë e ushtarakëve, i përkasin korpusit të profesionistëve, që prej shumë vitesh kanë punuar, pa u shqetësuar nga politika për t’iu afruar disa prej standarteve të Aleancës Ushtarake Euro-Atlantike. Antarësimi i Shqipërisë në NATO, ka qenë një proçes i gjatë, e për këtë meritë kanë në radhë të parë shqiptarët, më pas politikanët qeveritarët e opozitarët së bashku. Fjalimet politike të Ministres së Mbrojtjes para ushtarakëve dhe në garnizonet ushtarake kanë një qëllim të saktë, atë të vetëdijësimit të trupës ushtarake se ajo është edhe ushtarake edhe politike, që sipas kreut të mbrojtjes duhet të jetë edhe në shërbim të pushtetit politik të sotëm. Ushtarakët të cilët Kodheli i përdor si auditor i fjalimeve politike të saj, janë qytetarët nën uniformë të Republikës së Shqipërisë, të cilët ligjërisht janë të departizuar, e ligjërisht duhet të ndëshkohen nëse bëhen pjesmarrës të tubimeve politike.

Përtej pozitivitetit të shënuar në ecurinë e Forcave të Armatosura, prezencës së tyre në NATO dhe misionet e saj për llogari të sigurisë dhe paqes, ka ende sfida për t’u kapërcyer, për të cilat ushtarakët janë të interesuar që Ministrja e tyre t’i ketë në vëmendje: Ka mjaftueshëm qasje që janë prezente, të cilat kanë të bëjnë më së shumti me personelin, burimet tjera të fushës së mbrojtjes, si strukturat, sistemet, pajisjet, armatimi, teknika, pronat, shërbimet e përkujdesjes për ushtarakët siç janë pagat, uniforma, trajtimi me strehim, përkujdesja shëndetësore, stërvitja, arsimimi, etj. Dritan Demiraj ka 24 medalje në ushtri dhe 27 në sport. Ish-komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, ai njihet si “babai” udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle” pedagog, autor i shumë librave, manualeve e kumtesave deri në kategorinë akademike të kërkimit shkencor. Koloneli Dritan Demiraj, është “Nderi i Kombit” me dekoratë presidenciale. I liruar pas 31 vitesh kontribut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, do të ulet si ministri teknik në tryezën qeveritare me Kodhelin si ministre politike.

Profesionet më të njohura civile e kanë origjinën që nga mesjeta dhe ekzistojnë në formën e zhvillimit më të lartë, me fillimin e shekullit të tetëmbëdhjetë. Profesioni i ushtarakut profesionist dhe atij të karrierës, është thelbësisht produkt i shekullit të nëntëmbëdhjetë, e në të vërtetë është një nga krijimet më të rëndësishme institucionale të atij shekulli. E ndërsa pjesa më e madhe e personelit të Forcave të Armatosura janë ushtarakët profesionistë, ata nuk kanë mundur, të zhvillojnë normat, vlerat dhe unitetin organizativ, si një tip social, si një karakteristikë unike e shoqërisë moderne. Praktikisht trupa e ushtarakëve profesionistë, paraqitet e arsimuar relativisht, por mungesa relative joshëse e profesionit dhe karrierës ushtarake e kanë bërë të pamundur sigurimin e cilësisë së profesionistëve të mirëfilltë ushtarakë. Ajo ç’ka konsiderohet si resursi njerëzor i Forcave të Armatosura, e ka të domosdoshme zhvillimin e etikës profesionale, për të krijuar bindjen e arsyeshme në shoqëri për tipin e ri të ushtarakut dhe institucionet e reja në këtë fushë. Realisht, korpusi aktual i ushtarakëve shqiptarë gjendet përbri hendekut të përgatitjes speciale, që i imponon atij një përgjegjësi të veçantë shoqërore.

Profesioni i ushtarakut është monopol i shtetit, dhe aftësia e njerëzve nën uniformë është drejtimi i forcës ushtarake dhe sigurimi ushtarak i klientit të tij, i shoqërisë. Marrja e kësaj përgjegjësie kërkon zotërimin e përgatitjes që bën të nevojshme e të mundur pranimin e përgjegjësisë. Për fatin e keq, trupa ushtarake shqiptare nuk mundet dot të rrisë cilësinë e përgatitjes profesionale në kushtet, kur arsimimi i mirëfilltë ushtarak, është joefiçent, dhe kur motivimi për profesionin nuk është në shkallën e duhur. Pse ndodh kështu?! Ka disa arsye që lidhen me mospatjen e vizionit të ngritjes, ringritjes dhe mbajtjes së strukturave të mbrojtjes, në të cilat rekrutohet një personel arsimimi i të cilit është relativisht i dobët, e përtej kësaj Forcat e Armatosura, janë shndërruar në një “treg pune”, ç’ka i shkon përshtat klimës politike. Personeli i Forcave të Armatosura, kryesisht ushtarë profesionistë, punonjës civilë dhe ushtarakë të gradave të larta, nuk e demonstron kohezionin e një Ushtrie të mirëfilltë dhe me standarte.

Gradat e larta gjithnjë e më tepër u janë larguar trupave ushtarake, teksa këto të fundit u qëndrojnë larg poligoneve të stërvitjes. Një numër i kufizuar personeli i cili merr pjesë në operacionet e NATO-s, nuk mundet dot, të marrë përsipër veçse detyrat e rëndomta të rojes. Kjo nuk duhet të na bëjë krenarë aspak. Nga një vështrim më i thelluar i Tabelave të Organizimit dhe Pajisjeve (TOP), lehtësisht evidentohet se, Forcat tona të Armatosura në strukturën e tyre organizative, kanë me tepri, njësi, reparte e nënreparte të cilat nuk e justifikojnë misionin për të cilin janë ngritur. Ndonëse thuhet, që për përmirësimet strukturore dhe formulimin e misioneve dhe listëdetyrave të strukturave, merret në konsideratë konsulenca e ekspertëve të NATO-s, duhet pranuar që vendimmarrjet definitive mbeten në dorën tonë. Armatimi, teknika dhe pajisjet mbështetëse, që administrohen nga struktura ushtarake shqiptare, nuk janë ato që e kërkojnë standartet, për një institucion të Sigurisë Kombëtare. Në buxhetet për mbrojtjen vazhdimisht janë planifikuar shifra marramendëse për riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe nevojave të furnizimit me karburant-lubrifikante, për t’i lëvizur mjetet dhe teknikën e vjetër ushtarake. Kërkesat për modernizimin e sistemeve dhe pajisjeve të luftimit, një rutinë kjo e përvitshme, nuk ka mundur dot të kalojë as në sekretarinë e Shtabit të Përgjithshëm, për faktin se, mbi këto kërkesa kanë fituar terren investimet për fasada dhe pajisje zyrash.

Ndodh që pas çdo shiu të ngrihet zëri për lëvizjet në buxhet, me justifikimin e përfshirjes së Forcave të Armatosura në operacionet e mbështetjes së komunitetit. Mirëpo, as edhe në këtë përfshirje nuk ka rezultat, përpos vendosjes në kolonë të disa mjeteve ushtarake dhe parkimit të tyre përbri rrugëve në periferi të Tiranës, sa për të bërë self-image Ministrja dhe vartësit e saj. Kodheli si politikane e ka lënë ushtrinë pa Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Teksa, Shefit të Shtabit i kishte mbaruar mandati, ironikisht edhe Kryeministri i’a shprehu atij në një takim aty nga mesi i nëntorit të kaluar, duke e thumbuar se ai nuk e zotëronte situatën, aq më keq, kur dhe bëhet fjalë për çështje të operacionalitetit të strukturave ushtarake. Është e mjaftueshme “ironia”, për të kuptuar çfarë vlerësimi ka Kryeministri për fushën e përgjegjësisë që duhet të ketë gjenerali i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa Shqipëria është anëtare në NATO.

Sigurisht që, “ironi” të tilla ka dhe do të ketë, përderisa zverdhja e spaletës ushtarake kalon nga selia e Partisë. Është Partia ajo që rekruton edhe ushtarin profesionist, i cili betohet në emër të Partisë. Në harkun kohor të 3 viteve, Kodheli u vendua në krye të fushatës për rekrutimin e ushtarit profesionist, çuditërisht fushata u zhvillua vetëm në njësitë administrative, bastione të së majtës, teksa zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes, e raportoi zellshëm axhendën e “Nënëmadhes”. Shefi i Shtabi i Përgjithshëm është ai që duhet të drejtojë strukturën organizative më e lartë ushtarake në Forcat e Armatosura, strukturë e cila planifikon, dhe zhvillon komandim-kontrollin strategjik të Forcave të Armatosura, me komponentin tokësor, detar e ajror, si dhe strukturat e tjera mbështetëse, të afta për të plotësuar misionin e tyre kushtetues.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i cili është përgjegjës përpara Presidenti të Republikës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes për komandimin e Forcave te Armatosura, që prej nëntorit 2016-ës, nuk “ekziston”. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i cili, drejton përgatitjen dhe gatishmerinë luftarake të Forcave të Armatosura, siguron plotësimin me personel ushtarak përmes stafit të integruar të mbrojtjes dhe Qendrës së Personel Rekrutimit si dhe merr drejtimin dhe organizimin e veprimeve ushtarake dhe joushtarake, që prej nëntorit 2016-ës, nuk “ekziston”. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i cili vepron si shtab i bashkuar i Forcave Tokësore, Detare, Ajrore dhe përgjigjet për përgatitjen dhe stërvitjen e përbashkët të të tre komponentëve për të gjitha datat e tyre, aktualisht nuk e ka drejtuesin e tij. Funksioni që duhet të udhëheqë detyrat që kanë të bëjnë me përballimin e kërcënimeve, rreziqeve, që prekin sigurinë në vend, programimin e mbrojtjes në mbështetje të misioneve, operacioneve, trajnimit, stërvitjes, mbështetjen logjistike, hartimin e kërkesave për zhvillimin dhe pajisjen e tri shërbimeve të Forcave të Armatosura, etj, aktualisht është bosh.

Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të cilat, sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij kushtetues në Republikën e Shqipërisë, ruajajtëse të pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit, në bashkëveprim me forcat aleate, mbrojtëse dhe mbështetëse të popullsisë në kohë paqeje, krize e lufte, kontribuese për mbrojtjen kolektive, në kuadër të nenit 5, të Traktatit të Uashingtonit, u duhet roli i padiskutueshëm i funksionit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Demiraj ministër teknik, duhet t’ia kujtojë politikanes Kodheli, bëmat e saj në fushën e mbrojtjes.

Share: