Home KRYESORE KUNDËR MISOGJINISË QË VRET

KUNDËR MISOGJINISË QË VRET

Shkrimi i fundit i serialit të dhunës verbale dhe shkrimeve misogjene të botuara në shtypin shqiptar i vuri kapakun gjuhës bastarde që përdoret kundër grave, sidomos atyre në karrierrë politike e vendimmarrëse.

Artikulli i paprecedent, me fjalë fyese e denigruese kundër Ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin ka prekur të gjitha gratë shqiptare për shumë arsye: Romana është mike në vendin tonë, është zyrtare e lartë e një institucioni ndërkombëtar dhe përfaqëson ato gra që ja dalin të ngrihen në nivele të tilla drejtuese.

Për cilin burrë është shkruar ndonjëherë në shtypin shqiptar “që është kurvar”, kur flitet për karrierën e tij politike? Asnjëherë! Ç’argument është ky për të sulmuar një grua apo edhe një burrë në karrierë?
Nuk ja kemi borxh askujt të lexojmë në gazeta shkrime të tilla, të cilat janë faqe turpi e të zeza të shtypit shqiptar.

Po, Romana Vlahutin është një grua e mençur dhe hijshme! Dhe ecën si ti dojë qejfi!
Mirëpo kjo shqetësoka Kastriot Myftaraj e ndonjë tjetër dhe e bën që të përdorë këto dy veti të adhurueshme si armë mediatike kundër zonjë Vlahutin. Sepse kështu ndër shekuj janë masakruar gratë, për bukurinë dhe mençurinë e tyre.

Kthjellohu z. Myftaraj, ndoshta se ke bërë ndonjëherë, por thirri mendjes sepse është fisnike të kërkosh ndjesë publike.

E drejta për tu shprehur në shtyp lirshëm e pa ndroje është e drejtë e gjithësecilit nga ne e fituar me ardhjen e demokracisë, por nga ana tjetër dëmi dhe turpi që na krijon ne shqiptareve e shqiptarëve ky lloj artikulli është shumë më i madh e i pamerituar. Është përgjegjësi publike e mediave shqiptare të mos botojnë dhe riprodhojnë artikuj që nxisin gjuhën e urrjetjes dhe denigrimit të personit.

Zonja Vlahutin, në emër të shumë grave shqiptare ju falenderojmë për punën tuaj dhe dëshirën e mirë që Shqipëria të përparojë në rrugën drejt Evropës, drejt të vetmes rrugë që duam duke zbatuar reformat e nisura.

Mirela Arqimandriti
Valdet Sala
Vjollca Meçaj
Vasilika Hysi
Milva Ekonomi
Olta Xhaçka
Delina Fico
Juliana Hoxha
Klotilda Ferhati

Share: