Home KRYESORE Marrëveshja që i duhej Shqipërisë, por që nuk mjafton. Nga Alfons Çupaj

Marrëveshja që i duhej Shqipërisë, por që nuk mjafton. Nga Alfons Çupaj

Edi Rama dhe Lulzim Basha shtrënguan duart mbrëmë pas mesnate, pas 3 orë bisedimesh kokë më kokë, takim që u finalizua me arritjen e një marrëveshjeje që i hap rrugë pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje, votimit të vettingut dhe çlirimit të ekonomisë. Shtrëngimi i duarve, çka në fakt duhej të ishte diçka normale dhe e përditshme, ishte vendimi i duhur i dy liderëve që vendosen të heqin dorë nga disa qëndrime të tyre maksimaliste (për qeveri teknike dhe mos shtyrje të datës së zgjedhjeve) në interes të stabilitetit të vendit dhe forcimit të demokracisë.

Sot është padyshim një ditë më e bukur për shqiptarët dhe dielli ndriçon më fort. Arritja e marrëveshjes është mirëpritur maksimalisht, nga të majtë dhe të djathtë, nga shqiptarë të zakonshëm, të paangazhuar, që për parti kanë Shqipërinë. Por e gjitha kjo është e pamjaftueshme, e mangët, e cekët, dhe që nuk jep asnjë garanci. Shqiptarët e paparti, kërkojnë deputetë të popullit, jo të partive. Kërkojnë emra të rinj, të ‘paanatemuar’, intelektualë, mësues, mjekë, të mirëshkolluar. Shqiptarët duan një tjetër Kod Zgjedhor, ku të kenë mundësi të zgjedhin, dhe jo vetëm të votojnë fitues të paracaktuar, të dëgjohen dhe jo vetëm të dëgjojnë, të pyeten dhe jo të nëpërkëmben, të marrin vendime dhe jo të ftohen të degjojnë vendimet e marra nga një grusht pushtetarësh. Shqiptarët duan qarkullim elitash, emrash, moshash, profesionesh. Aktualisht nuk kemi asgjë nga këto.

Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të kuptojnë se momenti historik, ndoshta edhe fati, por mbi të gjitha vota dhe besimi i shqiptarëve u ka dhënë atyre një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla, atë që njerëz të zakonshëm të këtij vendi nuk do të kenë mundësi ta kenë kurrë. Ndaj konflikti, tensioni, arroganca, në një vend që ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet, nxitje të punësimit, rritje të ekonomisë, janë të papranueshme.

Shqipëria ka nevojë emergjente dhe për një moment duhet t’i harrojmë flamujtë e partive, postet, ofiqet, gjuhën arrogante dhe konfliktuale, pasi shqiptarët kanë nevojë për meritokraci, punë, arsim më cilësor, siguri, media të lira, informacione të paanshme dhe te sakta, si dhe liri për të vepruar dhe menduar sipas gjykimit të tyre, pa frikën se mund të largohen nga vendi i punës. Të gjitha këto gjëra lehtësisht të realizueshme, mjafton vullneti i përbashkët i liderëve tanë politikë. Shqiptarët, në mazhorancë absolute, kanë parti Shqipërinë. Shqipëria ka nevojë për mesues, mjekë, nëpunës të papolitizuar, të cilët nuk flasin për politikë në orarin e punës, që nuk u bëjnë “share” postimeve të deputetëve apo kryetarëve të partive.

Shqipëria, më të vertetë nuk ka më kohë për të humbur. Kemi humbur shumë destinacione për shkak të konflikteve politike, arrogancës dhe mungesës së përgjegjësisë. Shqipërinë, për të cilët stërgjyshërit tanë dhanë jetën për ta mbrojtur, nuk mund ta braktisim, tani që e kemi tonën. Unë dua të jetoj këtu. Do e bëj edhe në vështirësi, por që të jetoj i lumtur, të dashur politikanë, hiqni dorë nga konflikti. Historia u ka dhënë një shans të artë. Mund ta ndryshoni përgjithmonë rrjedhën e këtij vendi, ose do mbaheni mend ndër breza, si përgjegjësit për shkatërrimin e tij.

Share: