Home KRYESORE Mbi 140 militantë të PD në spital, mjekët: Ja për çfarë dyshojmë

Mbi 140 militantë të PD në spital, mjekët: Ja për çfarë dyshojmë

Raportohen mbi 140 persona, mes të cilëve edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, qe janë paraqitur gjatë ditës së djeshme në urgjencën e spitalit francez në QSUT me shenjat e një helmimi ose me qarte: skuqje e djegie të syve, lotim, irritim të shprehur të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe në raste të veçanta vështirësi të lehtë në frymëmarrje, marramendje e dhimbje koke.

Ministria e Shëndetësisë mbetet e rezervuar në parashtrimin e shkaqeve, duke pohuar veç që po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Nga shërbimi i urgjencës së okulistikës, raportohet se që prej mëngjesit numri i pacientëve ka ardhur duke u rritur. Janë 140 raste të paraqitura për të marrë ndihmën e parë, ku midis tyre 14 pacientë janë shtruar. Aktualisht në shërbimin e okulistikës në QSUT, po marrin shërbim 7 pacientë. Gjendja e tyre është e stabilizuar, por mosnjohja e agjentit shkaktar ka imponuar monitorimin nga afër të tyre për ndonjë komplikacion të mundshëm. Edhe pacientët që janë paraqitur më vonë shprehin të njëjtat shenja klinike, të një intoksikacioni (helmimi), si: skuqje të syve, dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës, marrje fryme”, thuhet në njoftimin zyrtar te MSH.

Nuk dihet dhe nuk mund të thuhet ende me siguri se çfarë fshihet pas situatës së krijuar vetëm pak orë pas tubimit të mbajtur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet. Dyshimet e para janë për një rrezatim të fortë, por shkohet edhe më tej, duke aluduar mbi përdorimin e lëndëve kimike, gjë që mund të këtë sjellë helmimin e mbështetësve të opozitës.

Nga ana e ekipit mjekësor të shërbimit të okulistikës, që ka asistuar në mjekimin e pacientëve, dhënia e informacionit është e kufizuar. Duke na kërkuar që të ruajnë anonimatin, mjekët bëjnë me dije se më të prekur kanë qenë ata që kanë qenë afër podiumit.

Alarmi sipas tyre është dhënë në mesnatën e së shtunës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës. Por gjatë ditës numri i pacientëve ka ardhur në rritje, ndërkohë që nuk raportohet për asnjë fëmijë të dëmtuar.

“Aktualisht janë 14 që mbahen në observim. Pjesa më e madhe prej tyre janë në moshën mbi 50 vjeç, 4 nga të shtruarit u takojnë grupmoshave nga 22 deri në 30 vjeç dhe 1 prej tyre është 18 vjeç. Nuk ka pasur asnjë fëmijë të dëmtuar”, – shprehen mjekët.

Të pyetur se për çfarë dyshohet paraprakisht, ata zgjedhin të heshtin, duke ia lënë fjalën e fundit Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Share: