Home KRYESORE Ministrja Vukaj shkarkon tatimorin. Drejtoria refuzon

Ministrja Vukaj shkarkon tatimorin. Drejtoria refuzon

Urdhrat e ministrave teknikë të Partisë Demokratike për shkarkimin e punonjësve të administratës që përfshihen në fushatë elektorale kanë hapur një betejë jo të vogël ligjore nëpër ministri dhe institucionet e tjera qendrore. Rasti më i fundit është një urdhër i ministres së Financave.

Të hënën, Helga Vukaj njoftoi disa media se ka urdhëruar shkarkimin e një punonjësi të administratës tatimore. Sipas njoftimit, Kliton Bistri u shkarkua për pjesëmarrje në një tubim elektoral të Partisë Socialiste, pasi u denoncua në “Facebook” nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Por Top Channel ka mësuar se Kliton Bistri është në detyrë. Burime nga Tatimet thanë se urdhri i shkarkimit është i paligjshëm, pasi sipas ligjit punonjësit e administratës tatimore mund të shkarkohen vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.

Sipas tyre, nëse ministrja ka prova për përfshirjen e punonjësve të administratës tatimore në veprimtari politike, atëherë ajo duhet t’ja paraqesë ato drejtoreshës së Tatimeve dhe është kjo e fundit që merr vendimin, në bazë të provave.

Por kjo është një tjetër pikë që mund të shkarkojë përplasje në ministritë ku bashkëqeverisin ministrat teknikë të Partisë Demokratike me stafet politike të Partisë Socialiste. Statusi i nëpunësit civil përcakton se nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, jashtë orarit zyrtar.

Kjo do të thotë se në bazë të ligjit nëpunësit civil nuk kanë asnjë pengesë të marrin pjesë në tubimet elektorale të partive politike, nëse ato mbahen jashtë orarit zyrtar. Kjo çështje duket se do të jetë një burim përplasjesh gjatë gjithë fushatës elektorale, mes ministrave teknik të Partisë Demokratike dhe stafeve të ish-ministrave socialistë që u larguan nga marrëveshja Rama-Basha dhe me gjasa shumë nga urdhrat e shkarkimit të dhënë nga ministrat teknike do të kundërshtohen.

Share: