Home KRYESORE Numri i kroçierave dhe pamundësia e përballimit të kësaj oferte bujare

Numri i kroçierave dhe pamundësia e përballimit të kësaj oferte bujare

Nga Kasem Seferi

Çudi!

Lajm, për mendimin tim personal, është një intervistë e Zotit Auron Tare, që me profesionalizëm, dha opinionin e tij në lidhje me numrin e madh të kroçierave që do të vizitojnë bregdetin shqiptar, për arsye se në vend të Turqisë kanë zgjedhur Shqipërinë dhe pamundësia për t’a përballuar këtë “dyndje”.

Ky “zog i rallë” nuk të vjen gjithnjë në dorë.

Prej vitesh, kemi shpallur se turizmi është një prej drejtimeve strategjike të zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Turizmi, si veprimtari ekonomike, në formë nuk është si eksporti, por në përmbajtje është një eksport, për arsye se sjell para nga jashtë.

Po përse nuk e kemi të mundur t’i përgjigjemi një oferte kaq bujare?!

Po përpiqem t’i jap një përgjigje.

Zhvillimi i turizmit në Shqipëri nga qeveria kërkon:

  • siguri dhe administrim të mirë në porte, në aeroporte dhe në zonat turistike;
  • konkurrueshmëri (strukturën tatimore, etj);
  • marketing të fortë;
  • forcim të lidhjeve me pjesën tjetër të ekonomisë;
  • mbrojtje të mjedisit në zonën bregdetare me anë të programeve sociale për pastrimin e mjedisit;
  • cilësinë dhe standartet.

Sot një nga çështjet që shtrohet për diskutim lidhet me pyetjen: “Është apo nuk është turizmi një investim i ndjeshëm? Dhe nëse po, në cilat rrethana ai jep ndikim mbi të varfërit?

Këto pyetje janë bërë dhe po bëhen gjithnjë e më shumë për tre arsye:

Së pari, turizmi vazhdon të jetë në valët e radarit të politikëbërësve të vendeve në tranzicion, sepse në pjesën më të madhe të vendeve në zhvillim, turizmi ka ruajtur një rritje ekonomike prej 7 – 12 për qind në pesë vitet e fundit (turizmi në Shqipëri në vitin 2009 u rrit me 10 për qind).

Së dyti, në nivelin vendor dhe kombëtar, turizmi shihet si një rrugë për zhvillim më të gjërë dhe për veçimin e rritjes ekonomike më shumë si gjenerator i shkëmbimit të huaj, gjë që përfshihet në Strategjitë e Zvogëlimit të Varfërisë të më shumë se 80 për qind të vendeve me të ardhura të ulta.

Së treti, veprimi praktik për ta orientuar turizmin në veçimin e rritjes ekonomike po goditet nga natyra e pakapshme e dëshmisë mbi ndikimin mbi të varfërit dhe një politikë e zbrazët mbi turizmin, gjë që vihet re edhe në veprimtarinë e shumë organizatave financiare dhe donatore.

Vitet e fundit nga një sërë institucionesh janë bërë shumë deklarata për forcën dhe aftësitë zvogëluese të varfërisë nëpërmjet industrisë së turizmit, të cilat zakonisht kanë përparuar në një (ose më shumë) në lidhje me tre argumentat e mëposhtëm:

Problemet e madhësisë: Turizmi është një prej sektorëve më domethënës të eksportit në shumë vende në zhvillim, veçanërisht, në një vend si Shqipëria.

Llogaritë e Turizmit Satelit janë përpjekur të vendosin madhësinë “e vërtetë” të sektorit të turizmit me anë të ripërkufizimit të këtij si të kaluarit mirë përtej veprimtarive mikpritëse që përfshihen në Llogaritë e Standartit Kombëtar.

Megjithëatë, argumenti që turizmi është i rëndësishëm sepse është i madh ka po aq forcë tërheqëse të pakët sa dhe sugjerimi se industria e naftës meriton vemendje të veçantë për të njëjtën arsye, sepse madhësia nuk zbulon gjë mbi ndikimin shpërndarës aktual, ose potencial.

Krijimi i vendeve të punës: Turizmi krijon një numër shumë të madh të vendeve të punës ku përfshihen, veçanërisht, gratë (rreth 50 për qind të forcës punëtore) dhe punëtorë pa aftësi profesionale të sektorit informal.

Fitimet vendore të mjeteve të jetesës: Dëshmi empirike, sipas disa studimeve mikro, demonstrojnë rrjedha të të ardhurave dhe përfitime të tjera neto për pjesëmarrësit në nivel biznesi, veçanërisht, atje ku vihen në jetë inciativat e “turizmit pro të varfërve” për të ndihmuar sipërmarrësit e vegjël të fitojnë të drejtën e hyrjes në treg.

Këto argumente nuk vendosin natyrën, shkallën dhe përcaktuesit e ndikimeve të turizmit mbi varfërinë, prandaj ato nuk ua bëjnë të mundur praktikantëve të zhvillimit të vendosin sa duhet të investojnë në turizëm dhe nuk u sigurojnë planifikuesve të turizmit udhërrëfyesin si duhet t’i rrisin ndikimet e sektorit mbi varfërinë.

Cilën pjesë të përfitimeve ekonomike që vijnë nga turizmi marrin njerëzit e varfër?

Studimet e fundit empirike sugjerojnë që, në rastet më të mira, ndërmjet një të pestës dhe një të dhjetës së xhiros turistike në destinacion kapet prej “të varfërve” nga të ardhurat e fituara direkt me punë dhe nga zinxhirët e furnizimit.

Politikëbërësit nuk i ndihmon aq shumë fakti që të ardhurat nga turizmi mbrrijnë te të varfërit, por fakti si ndodh kjo gjë, veçanërisht, në qoftë se duan që të thellojnë lidhjet pro – të varfërve.

Turizmi mund të ndikojë mbi njerëzit e varfër në disa mënyra të ndryshme, por qartësia mbi këto shtigje të ndryshme dhe faktorët që udhëheqin ndikimin mbi varfërinë është e rëndësishme sepse disa drejtime janë neglizhuar si në kërkime ashtu dhe në politika.

Në fakt turizmi mund të ndikojë mbi njerëz të ndryshëm në tre drejtimet e mëposhtme:

Efektet direkte nga turizmi për të varfërit: të ardhurat nga puna në vendet e punës në turizëm ose ndërmarrjet e vogla, forma të tjera të të ardhurave nga turizmi dhe ndryshimet jofinanciare të mjeteve të jetesës (si negative ashtu dhe pozitive), të ardhura këto me të cilat ka gjasa që të varfërit të jetojnë në zonën turistike, ose ta ndrrojnë destinacionin.

Efektet dytësore nga turizmi për të varfërit: të ardhurat indirekte me punë nga sektorët joturistikë që furnizojnë turizmin (p.sh. me ushqime); të varfërit mund të rrojnë larg destinacionit dhe përveç kësaj janë efektet nxitëse për t’i shpenzuar të ardhurat nga turizmi në ekonominë vendore.

Efektet dinamike në ekonomi: ndikimet mbi procesin e sipërmarrjes, tregjet faktor, sektorët e tjerë të eksportit, ose mjedisin natyror që përfshihen të gjitha këtu; mund të përjetohen në ekonominë makro, ose të kufizuara në ekonominë vendore; të varfërit mund të ndikohen pak a shumë nga turizmi se sa nga ndryshimi i pagave dhe çmimit të tokës.

Pjesa më e madhe e studimeve për lidhjet e varfërisë me turizmin nuk shqyrtojnë asnjë prej drejtimeve të mësipërme, ose pak studime e hedhin vështrimin në dy prej tyre. E mira qendron te detaji, ndërsa hamendjet e përgjithshme më shumë bëjnë keq se mirë.

Në hartimin e politikave për turizmin duhen marrë parasysh të gjithë argumentet e mësipërm me qëllim që ato të përfshijnë të gjitha mundësitë për të ndikuar mbi varfërinë, duke i integruar këto mundësi në strategjinë e turizmit kombëtar, duke përfshirë në strategjinë e turizmit kombëtar përveç turizmit për të huajt edhe atë vendas, i cili ka një rëndësi të veçantë në politikat pro – varfërisë (në raport me të ardhurat që sigurohen nga turizmi dhe shpenzimet që bëjnë shqiptarët për turizëm jashtë vendit).

Çfarë ka bërë qeveria në këto katër vite?

Mund të radhiten shumë “suksese”, që përfaqësojnë ca rrugë, ndonjë gjë tjetër, por nuk ka bërë kryesoren: nuk ka vënë në punën kapitalin më të çmuar, pikërisht, mendjen e ekspertëve të fushës.

Në qoftë se do të ishte studjuar me kujdes situatën gjeopolitike në rajon, veçanërisht, hapsirën euroaziatike, prirjet që po shfaqeshin, opinionet e gazetave me emër në hapsirën ndërkombëtare, do të ishte bërë diçka, qoftë edhe për të përballuar një kroçierë më shumë.

Një kroçierë më shumë nuk përfaqëson një individ, ose një familje por një degëzim drejt të afërmëve, miqve, kolegëve, etj.

Ja ku të çon dukuria për të mos parë “përtej hundës”.

Le të kënaqemi me ca vizita në kanione, me ca udhëtime në Alpe, e ndonjë të ngjashëm të tillë, duke humbur perspektivën e kroçierave, që lus Zotin të na vizitojnë edhe vitin tjetër.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: