Home KRYESORE Për thertoret e pacientëve në kioska e hotele dhe mungesa e përgjegjësisë...

Për thertoret e pacientëve në kioska e hotele dhe mungesa e përgjegjësisë së një shteti karton

0

Nga Eglantina Bardhi

Kam plot 5 vite që nuk shkruaj. Nuk shkruaj si gazetare, sepse të jesh e tillë është përgjegjësi e madhe. Edhe sot nuk po e marr guximin të shkruaj si gazetare, edhe pse e kam ushtuar 12 vite si profesion. Madje 12 vite që kam mbuluar vetëm sektorin e shëndetësisë. Por ama dy fjalë kam ndërmend t’i them për ngjarjen e vdekjes së një 16-vjecarje në sallën e operacionit, vdekje nga  këputje ligamenti.

Sot në orën 8 e 30 të mëngjesit një ish kolegu im më mori në telefon dhe më rrëfeu ngjarjen i tronditur, sepse viktima ishte e njohura e tij. Sërish nuk mora guximin të shkruaj vetë, por ja dërgova koleges time që ta ndiqte duke ditur përkushtim dhe korrektësinë e saj në raportim. Në fakt kështu ndodhi.

Histori të tilla kam shkruar dhe dëgjuar pa fund kur punoja çdo ditë në terren. Mbuloja gjithnjë sektorin e shëndetësisë në gazetën Shekulli. Edhe pse histori të tilla janë thellë të trishta, jetë njerëzish humbasin diku nga pakujdesia, diku nga mangësitë, diku nga tafmanlliku për të fituar, por fajtori kurrë nuk është gjetur.

Nuk dua të ndalem tek profesionalizmi i bluzave të bardha, sepse jam askushi t’i gjykoj. Tek ajo që do ndalem janë kioskat apo hotelet me 5 yje që i gjen në çdo cep e në çdo skut të atdheut tonë. Janë klinikat e spitalet private të cilat makuteria për të fituar i ka kthyer në thertore të tmerrshme, dhe viktimat janë pacientët. Pjesë e kësaj makuteria janë edhe bluzat e bardha, ndoshta viktima të sistemit, por janë kthyer në robot.

Duke ditur se sistemi shëndetësor publik është kalbëzuar dhe, përveç mjekëve dhe mureve të spitaleve (tashmë së fundi për hir të së vërtetës janë lyer), nuk kanë asgjë tjetër, pacientët kërkojnë alternativa dhe alternativa janë ca spitale të bukura në dukje nga jashtë, por hale nga brenda.

Në këto thertore na vijnë ca mjekë e profesor e doktor fantastik nga Italia, Gjermania, Turqia e ngado, sepse kanë shkëlqyer në vendet e tyre dhe vijnë në këto spitalet private. Kur vijnë këta shkencëtarët, pacientët i fusin një nga një gjithë ditën e natën për t’u operuar me shumicë e normë që ti “sajdisin” të gjithë.

Për të mos folur që një pjesë ë mirë e mjekëve dhe doktorëve pacientët pasi ua kanë parë fytyrat te spitali publik, i shohin sërish në thertore, sepse vetë këta të fundit i kanë referuar si spitalet më të mira (këtu mjekët marrin rrogën e  dytë dhe përqindje për çdo pacient (më falni klient) që dërgojnë në spital.

Këto klinika e spitale punojnë për hesap të vet, pa asnjë kontroll nga askush. Fjala shtet, ministri, inspektorat janë koncepte të panjohura për këto thertoret që vjedhin para pa hesap dhe dëmtojnë shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Duke ditur se kam mbuluar këtë sektor shëndetësie të kalbur e të degraduar prej 12 vitesh, njerëzit që njoh më marrin në telefon dhe më pyesin ku mund të bëjnë një vizitë, ku mund bëjë analizat, a njoh ndonjë mjek të mirë. Në fakt nuk kam asnjë përgjigje për t’u dhënë, sepse nuk di asgjë. Ky vend i mallkuar nuk të siguron asgjë, asnjë siguri edhe për dikë që ka 5 lekë më shumë dhe do të marrë një shërbim më të mirë dhe të specializuar.

Meqë ra fjala, më besoni, kam vite shumë vite që nuk shkoj të bëj as një analizë të thjeshtë gjaku. Kjo jo se jam indiferente ndaj shëndetit tim, përkundrazi e dua shumë jetën dhe shëndetin, por sepse kurrë nuk kam pasur besim as të sistemi i kalbur i shtetit tonë, as tek këto thertore që rrjepin deri në pikën fundit.

Në këto kushte, lus Zotin të më mbajë sa më larg sëmundjeve, sepse as hasmin nuk dua ta shoh në këtë llum spitalesh që të dëmtojnë shëndetin e të marrin jetën./ ProPacientit.com/

Share:
Reklama juaj