Home KRYESORE Përqarja e ambasadorit për lirinë e Medias

Përqarja e ambasadorit për lirinë e Medias

Nga Flutura Acka

Një ditë, kur njëri nga ambasadorët europianë në Shqipëri e pyeti plot shqetësim Kryeministrin tonë se kishte shenja se liria e Medias po kërcënohet disi, përgjigjja ishte pataksëse: “Kur Media e zgjat pak gjuhën, i duhet prerë”. Jam shumë kurioze të di se ç’mendon sot ky ambasador, dhe a është ai dakort sot që një gazetar (në mos, një njeri i lirë) si Kastriot Myftaraj (që e ka gjuhën shumë të ‘gjatë’ se çdo qeveri do të duronte!), është arrestuar për fjalën e lirë.

Pavarësisht se në disa shkrime të tij, sikurse edhe në shkrimin e fundit, ka patur gjëra që i kam parë të tepruara dhe në disa raste mund të mos kem qenë plotësisht dakord me të, më ka pëlqyer guximi i tij për t’i thënë gjërat hapur, që shumë gazetarë në Shqipëri e kanë humbur prej kohësh.

Nëse Myftaraj do të kishte më shumë shokë që t’i bëjnë rezistencë këtij uzurpimi të frikshëm që ka ndodhur me Median shqiptare, sot do të kishim tjetër panoramë. Unë nuk e di se si vetë zonja Vllahutin, një përfaqësuese e Europës e pranon arrestimin e një gazetari kaq hapur. Zonja Vllahutin lirisht mund t’i drejtohet gjykatës dhe nëse ai gjendet fajtor, këtë le ta bëjë gjykata, ajo gjykatë për të cilën ajo na ka bindur se duhet ndryshuar dhe se po punon shumë të bëhet europiane.

Zonja Vllahutin duhet ta kuptojë se revolucionin për pavarësine e Medias shqiptare nuk do ta bëjnë vajzuket që shoqërojnë lalrat me pushtet për xhirot e radhës nëpër Europë, as të tjerë të shitur kokë e këmbë për nje ngastër tokë dhe një rrogë të majme, as të tjerë të privilegjuar gjithkohë nga politika, as ata që i shohin gazetaret e reja plot ëndrra si preja e radhës për lodra erotike, as ata që lëpijnë në mënyrën më të nevertshme thembrat e çdo pushteti qe ka ardhur në këta 25 vjet, as ata që përdoren si mish për top.

Lirinë e vërtetë të medias do ta sjellin njerëzit me kurajë, edhe kur bëjnë ndonjëherë ‘faje’ në shkrimet e tyre, edhe kur gabojnë rëndë. Nëse gabojnë rëndë, çojini në gjykatë. Atje të vendosë ligji, jo censorët e mbetur nga komunizmi dhe këlyshët e tyre, që gabimisht u nisën kah shtegu i demokracisë dhe rrugës iu kujtuan etërit, dhe mësimet e tyre.

Çojeni në gjykatë Kastriot Myftarajn, zonja Vllahutin, jo në pranga, ky është mësimi i Europës që presim prej jush.

Kreditet: Bujar Kapexhiu (Liria e Medias, 2017)

 
Share: