Home KRYESORE Ristani: Marrëveshja me Ramën, ja paketa e re që propozojmë…

Ristani: Marrëveshja me Ramën, ja paketa e re që propozojmë…

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, e ka cilësuar si madhështore protestën e opozitës, ndonëse ka vënë në dyshim numrin prej 600 mijë pjesëmarrësish që u deklarua zyrtarisht nga ish-Kryeministri Berisha dhe kreu demokrat Lulzim Basha.

“Ndoshta nuk ishin 600 mijë qytetarë, por ishin shumë, ishte një protest madhëshore”, tha Ristani.

Ndërkohë numri dy i selisë blu foli edhe për “çadrën e PD”, duke pohuar se ajo do të vazhdojë dhe nuk ka asnjë vendim për mbylljen e saj.

“Nuk ka asnjë vendim për mbylljen e çadrës. Në këto 3 muaj “çadra e lirisë” ka arritje të mëdha”, tha Ristani.

Gjithashtu ai foli edhe për gadishmërinë e opozitës për të negociuar me mazhorancën. Në këtë kuadër, Ristani tha se opozita është e gatshme për të diskutuar një paketë “McAllisterplus”, duke u ndalur konkretisht edhe tek dy shtyllat e kërkesave gjatë protestës.

Në emisionin “Kjo javë” në “News24”, sekretari i Përgjithshëm i PD tha se e sheh të vështirë arritjen e një marrëveshje të hënën me mbërritjen në Tiranë të një zyrtari amerikan. Sipas Ristanit, çështja nuk është tek ndërhyrja e ndërkombëtarëve, por tek kryeministri Rama që sipas tij është edhe shkaktari i krizës.

“Ne kemi bërë të qartë se kemi dy shtylla kryesore: qeveria teknike pa Ramën kryeministër, dhe së dyti votimi dhe numërimi elektronik. Në negociatat që janë zhvilluar Basha ka lëshuar, duke kërkuar që të zbatohet të paktën njëra nga shtyllat në mënyrë të plotë, dhe tjetra të zbatohet pjesërisht. Oferta është shumë e ndershme dhe e sinqertë. Paketa McAllister realizonte një pjesë të gjësë, por nuk realizonte të plotë as qeverinë teknike pa Ramën, dhe as numërimin dhe votimin elektronik. Për një “McAllister plus” mund të diskutojmë. Rama përveçse është një shkaktar i krizës, është edhe një mashtrues ordiner. Nga paketa McAllister filloi të bënte numra, jo zv.ministra. E bënte si pazari i Roskovecit, të jap një rosë, me jep një bibë. i ka të gjitha mashtrimet me radhë, siç bëri edhe mashtrimin me 300 mijë vendet e punës”, tha deputeti Ristani. /360grade.al/

Share: