Home KRYESORE Sëmundja e Artur Lekbellos, grekët mobilizohen për të mbledhur para për t’i...

Sëmundja e Artur Lekbellos, grekët mobilizohen për të mbledhur para për t’i zgjatur jetën

Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares shqiptare dhe Tiranës, Artur Lekbello, është në gjendje kritike. 51-vjeçari vuan nga një sëmundje e rrallë dhe për t’u diagnostikuar ka një kosto të papërballueshme nga familja Lekbello e cila po e ndjek atë në Selanik për vizita.

Sipas asaj që shkruajnë gazetat sportive helene, kryetari i veteranëve të Arisit, Janis Venos, ka njoftuar se më 17 maj do të zhvillohet një ndeshje miqësore për të mbledhur para për terapinë e ish-futbollistit.

 Lekbello po jeton një dramë personale kohët e fundit, duke qenë se vuan nga një sëmundje e muskujve.

“Jemi këtu për të ndarë me tifozët e Arisit dhe gjithë Selanikun mbështetjen që duhet të japim për ish-lojtarin tonë, Artur Lekbello.

Do të zhvillohet një ndeshje miqësore për të ndihmuar Arturin më 17 maj, me një ekip të përbërë nga ish-lojtarët e Arisit kundër atyre që shpallën Greqinë kampione Europe në vitin 2004. Duhet të mbledhim disa të ardhura, të cilat  do ia dorëzojmë Arturit, me qëllim që të fillojë terapinë për kurimin e sëmundjes së muskujve në Berlin ose Amerikë.

Ky është një rast që ndodh 1 herë në 2 milionë. Është shumë e rrallë… Ai është ende i ri, vetëm 51 vjeç dhe ka dy fëmijë. Majat e gjymtyrëve nuk mund t’i lëvizë fare. Nuk mundet as të ngrejë telefonin, nuk mundet të ngrejë dorën të përshëndesë dikë. Rasti i tij na ka shtangur. Shanset për të jetuar me këtë sëmundje janë deri në 3 vjet dhe Arturi ndodhet në vitin e pestë. Duhet ta ndihmojmë të arrijë të pamundurën. Sëmundja po përparon, kështu që të gjithë të vijnë në stadium, të mbështesim Arturin të zgjasë jetën”, deklaroi Venos.

Sëmundja e rrallë

Artur Lekbello, ish-lojtari i njohur i Tiranës në vitet ’80-’90, ka ende forcë ka folur për mediat greke rreth problemit të rëndë që ka me shëndetin. Teksa falënderoi veteranët e Arisit të Selanikut, që i ndodhen pranë në këto çaste, Lekbello theksoi se po merr shumë forcë nga mbështetja e tifozëve. Klubi selanikas, ku ish-mbrojtësi luajti për katër sezone dhe la gjurmë të paharruara, ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese, për të mbledhur sa më shumë para të jetë e mundur, në mënyrë që Lekbello të kurohet në një nga klinikat e specializuara.

 “Së pari, dua t’i falënderoj të gjithë veteranët e klubit të Arisit, që ndërmorën këtë nismë për të zhvilluar një ndeshje miqësore për mua dhe të më ndihmojnë. Kam një sëmundje, ku maksimalja që mund të jetosh është 3 vjet, por falë Zotit unë kam arritur në vitin e pestë. Pasi kuptova për sëmundjen që kisha, fëmijët e mi e morën në dorë këtë situatë dhe bënë disa kërkime jashtë Greqisë. Për fat të mirë, ndodhet një klinikë e specializuar në Gjermani dhe një në Amerikë, që janë shumë të përparuara për sa i përket kësaj sëmundjeje”, thotë fillimisht Lekbello.

Mirëpo, problemin e tij nuk e dinë shumë njerëz dhe Arturi mundohet ta shpjegojë hollësisht. “Unë nuk doja që kjo çështje të merrte përmasa të tilla, pasi doja të bëja luftën time. Prita se mos ndoshta sëmundja do të ndalonte vetvetiu, pra nëse do të reagonte organizmi im. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot. Sëmundja quhet ‘pamjaftueshmëri muskujsh’. Ajo fillon nga duart ose këmbët”, tregon ish-futbollisti i Arsit të Selanikut.

 Kush është talenti bardheblu?                 

Lekbello ka luajtur 32 ndeshje me fanellën kuqezi të përfaqësueses, duke qenë një prej lojtarëve të rëndësishëm të viteve ’80-’90. 51-vjeçari ia ka kushtuar karrierën e tij fanellës bardheblu të Tiranës, përpara se të emigronte në Greqi, ku u bë idhull për tifozët selanikas të Arisit. Për herë të fundit, Lekbello ka qenë në sezonin 2012-2013 në krye të Tiranës, të cilën e drejtoi për herë të parë si trajner. Megjithatë, aventura e tij zgjati pak dhe pas kthimit në Selanik, iu shfaq sëmundja e rrallë që po e mundon shumë.

 Artur Lekbello ka lindur më 23 shkurt 1966 në Tiranë.

Karriera si lojtar: 1986-1991- Tirana, 1991-1998- Aris Selanik.

Me ekipin kombëtar: 30 ndeshje.

Pas viteve 2000, trajner i të rinjve të Arisit.

2012-2013: trajner i Tiranës./Dita.al

Share: