Home KRYESORE Çudirat e drejtësisë shqiptare/Në burg për 7 mijë lekë…

Çudirat e drejtësisë shqiptare/Në burg për 7 mijë lekë…

Drejtësia shqiptare vijon të habisë çdo ditë e më tepër për sa i përket marrjes së vendimeve penale qoftë nga prokuroria por edhe nga gjykata. Në shumë raste një person i arrestuar për korrupsion dënohet me pak vite burgim, se një person i akuzuar për vjedhje më shumë se një herë apo nga një individ që tregton drogë afër shkollave dhe ambiente publike. “Arnimi” politik që i bëhet herë pas here Kodit Penal, ka sjellë krijimin e “xhepave” juridikë, ku gjykata dhe prokuroria shpesh herë i përdorin për qëllimet e veta. Përplasjet e shpeshta mes Gjykatës dhe Prokurorisë, ku në mes qëndron dhe që pret pasojën është qytetari, janë problemet thelbësore të legjislacionit penal në vend. Kjo tregon nevojën e domosdoshme të reformimit në tërësi të sistemit legjislativ penal, duke ndërhyrë thellësisht në Kodin Penal dhe atë Procedural. Kodi Penal favorizon më tepër një hajdut, se sa një person që mban 7 mijë lekë të vjetra në burg dhe që kërkon të mbijetojë, shkruan shqiptarja.com

Cufi 8 muaj burg për 7 mijë lekë

53-vjeçari Arben Cufi nga Tirana i dënuar me 4 muaj burgim për “Vjedhje energjie” është një nga qytetarët që po e përjeton këtë situatë të pakëndshme të legjislacionit penal Shqiptar. Teksa i ka shpëtuar dënimit me 4 muaj burgim, Arben Cufi rrezikon të dënohet me 8 muaj burgim nga gjykata e Apelit Tiranë, ku i vetmi krim që ai ka bërë është se gardianët e paraburgimit 313 në Tiranë, gjatë një kontrolli rutine i kanë gjetur 7 mijë lek të vjetra në xhaketën e tij. Mbajtja e kësaj sasie lekësh prej tij, në ambientet e paraburgimit, nga ana e prokurorisë së Tiranës është konsideruar si shkelje e dispozitës nr. 324/a/1 të Kodit Penal. Për pasojë prokuroria ka dërguar dosjen në gjykatë për akuzën e “Futja ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Në fund të gjykimit prokurori Ervin Karanxha, kërkoi dënimin me 1 vit burgim për Cufin, por duke aplikuar gjykimin e shkurtuar përfundimisht prokuroria kërkoi dënimin me 8 muaj burgim. Kjo kërkesë e prokurorisë është rrëzuar nga gjykata e Tiranës, ku gjyqtarja Adriana Bera ka vendosur pushimin e gjykimit.

Argumenti i gjykatës

Në vendimin e saj gjyqtarja Bera ka argumentuar se sipas nenit neni 324/a paragrafi i parë i K.Penal kërkohet domosdoshmërish ekzistenca e lidhjes shkakësore të drejtpërdrejtë mes veprimit apo mosveprimit të kundërligjshëm për respektimin e normave ligjore dhe ardhjes së pasojës. Gjyqtarja i kujton prokurorisë se ligji mbi të cilin Arben Cufi është proceduar, rezulton i shfuqizuar dhe për pasojë s’mund të dënojë një person, kur nuk ekziston ligji. “…Ky argumentim i akuzës është i gabuar pasi VKM Nr.303 datë 25.03.2009, “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve”, është shfuqizuar me vendimin e K.M- Nr 437 datë 20.05.2015”-thuhet në vendimin e gjykatës.

Njëherësh gjyqtarja thotë se i pandehuri Arben Cufi nuk e ka kryer me dashje veprën penale dhe për pasojë ndjekja penale nuk duhet të kishte filluar dhe nuk duhet të vazhdojë. Por ndryshe nga sa argumenton gjykata, prokurori Karanxha nuk ka qenë dakort me të dhe për pasojë ka apeluar çështjen në gjykatën e Apelit Tiranë, duke kërkuar dënimin e Arben Cufit me 8 muaj burgim.

Pretendimi i akuzës

I kontaktuar nga “Shqiptarja.com” prokurori i çështjes Ervin Karanxha nënvizoi se çështja kërkohet të zgjidhet sipas ligjit penal. ”…nuk jemi përballë faktit që i pandehuri Cufi, duhet amnistuar apo administrata e burgut ta kishte zgjidhur çështjen me masë disiplinore dhe as që nuk ka ligj. Kodi Penal e parashikon qartë se nëse kapësh me sende të paligjshme në burg, dënohesh nga 1 deri në 3 vjet heqje lirie. Unë për rastin në fjalë kam kërkuar minimumin e mundshëm që parashikon ligji, 1 vit burgim…”. Më tej prokurori shton se në rastin në fjalë gjykata e Tiranës ka përdorur dy standarde, pasi e njëjta gjykata ka dënuar të pandehur të tjerë me 1 vit burgim pasi janë akuzuar se kanë futur në burg shuma të ndryshme financiare, telefona, drogë, thika etj. Karanxha tha për “Shqiptarja.com” se në raste të tilla, problemi qëndron tek ligjvënësi, pasi ka parashikuar në kod, 1 vit burgim për një person që mban lekë në burg, dhe gjobë deri në 3 vite burgim për një person që kryen vjedhje.

Avokati: Uniforma në burgje, është zgjidhja

Nga ana tjetër avokati i Arben Cufit, Dhimitraq Konini tha për “Shqiptarja.com” se administrata e burgjeve duhet patjetër të aplikojë veshjen e uniformës për personat që hyjnë në ambientet e Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale. “…në momentin e ndalimit klientit tim nuk i kanë bërë kontrollin e imtësishëm që ti kontrollonin të gjithë xhepat. Lekët ishin të palosura me disa fletë formati të cilat i kishte harruar edhe vetë ai. Por për konceptin tim rregullorja do të vlente kur të gjithë të burgosurit apo të paraburgosurit në momentin e futjes në burg duhet ti pajisin me uniforma dhe në këtë rast vlejnë dhe kriteret e rregullores. Vetëm në këtë rast kemi pjesën që duhet të ndëshkohen personat që mbajnë sende të ndaluara…”-tha për “Shqiptarja.com” avokati Konini.

Cufi: U habita kur më gjetën lekët

Ndërsa i pandehuri Arben Cufi para gjykatës së Tiranës ka deklaruar se:”…duke qenë me rrobat e shtëpisë, jam lejuar nga policia të marr me vehte dhe rrobat e tjera dhe nga shtëpia jam çuar menjëherë tek burgu 313, ku më është bërë kontroll personal por nuk janë konstatuar shuma prej 700 lekë dhe as nuk më është lexuar rregullorja se çfarë nuk duhet të mbaja me vete. Më kanë transferuar në burgun e Fierit, dhe në datën 8 shkurt 2017,jam shoqëruar sërish në burgun 313 në Tiranë pasi do gjykohej kërkesa ime për shuarjen e dënimit për shkak të ligjit për amnistinë. Nga kontrolli tek burgu 313 është konstatuar shuma prej 700 lekë, e cila nuk dihej fare nga ana ime dhe jam çuditur kur janë gjetur lekët, pasi mua më ishin bërë disa herë kontrolle, dhe unë nuk kam qenë i vëmendshëm pasi isha i shqetësuar në lidhje me çështjen penale për të cilën isha ndaluar”. /360grade.al/

Share: