Home KRYESORE E nxjerr në shitje votën time! Nga Ndriçim Kulla

E nxjerr në shitje votën time! Nga Ndriçim Kulla

Unë Ndriçim Kulla, botues, studiues, ish-pedagog, publicist, në këto zgjedhje kam nxjerrë në shitje votën time. Kushdo nga sekserët e partive që është i interesuar për ta blerë atë mund të paraqitet tek unë, për të blerë votën time sipas çmimit të tregut elektoral. Megjithëse jam plotësisht në dijeni se ligjet kundër shit-blerjes së votës janë ashpërsuar dhe parashikojnë dënime të rënda në Kodin Penal, megjithëse jam një prej njerëzve që publikisht e kam denoncuar shitblerjen e votës, unë e kam ndarë mendjen që ta marr parasysh rrezikun dhe ta “shes” votën time, madje këtë vepër penale ta bëj publikisht.

Vetëm shitja e votës sime do të jetë një gjë më e ndërlikuar se ç’bëhet zakonisht. Unë nuk do të marr paratë nga sekseri i blerjes së votës, për të dhënë në këmbim vetëm votën time, por përveç votës do të jap edhe shumën e parave që do të marr për votën të konvertuar në libra. Pra, blerja e votës sime do të quhej një gjë me leverdi, nëse partia për llogari të së cilës e blenë votën sekseri, do të kishte interes për librin. Sekseri që do të vijë për të më blerë votën duhet të ketë parasysh se librat i jap për kryetarin e partisë për llogari të së cilës do të ma blejnë votën. Sekseri që do të më blejë votën duhet të marrë përsipër si kusht që t’ ia dorëzojë librat kryetarit të partisë së tij.

Meqenëse libri shqip dhe problematika e tij është një çështje me të cilën nuk merren fare liderët e partive në këtë fushatë zgjedhore, diçka shumë tragjike kjo, sidomos për të ardhmen afatgjatë të vendit tim , unë kam gjetur këtë mënyrë për t’ i sensibilizuar rreth kësaj çështjeje. Nëse Policia dhe Prokuroria do të nisin një çështje penale ndaj meje pas deklarimit tim për nxjerrjen në shitje të votës sime, unë do të mbrohem duke thënë siç është edhe e vërteta, se mospërfillja e treguar ndaj librit shqip është një krim shumë më i rëndë se shitja e votës sime, të cilën unë e bëj për qëllimin e vetëm të sensibilizimit të problemeve të mëdha të librit shqip të cilat nuk po merren parasysh as nga Rilindja as nga Republika e Re.

Por ka kohë deri atëherë dhe me sa i njoh ligjet unë tani jam ende në fazën e tentativës për kryerjen e “krimit” elektoral. Tani më duhet të vras mendjen që sekserët të mos ma blejnë votën më lirë se çmimi i tregut elektoral. Se kam dëgjuar që bëhen edhe mashtrime në shitblerjen e votave dhe sekserët nxjerrin fitime abuzive për vete. Hallin e kam që të bëj një pako të mirë me libra për kryetarin e partisë, sidomos për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulëzim Bashën, tek i cili shpresoja shumë, dhe të cilin e nderova duke i vajtur edhe në Çadër për të prezantuar problematikën e librit, por një fjalë nuk ia dëgjova për librin dhe kulturën. Nëse do ta shes me çmim maksimal, dhe partia blerëse do të më japë edhe një pagesë shtesë si bonus, meqë po blejnë votën e një njeriu që kryetarët e partive e kanë respektuar me fjalë, si njeri që çoç ka bërë për kulturën shqiptare, shpresoj që të mund t’ i jap edhe një set të plotë të veprës së Zef Valentinit prej 32 veprash, megjithse dyshoj prapë se mos i ngatrojnë me gjëkafsh tjetër. Unë nga ana ime do të tregohem dorëlëshuar, duke hequr dorë fare nga fitimi im modest si botues dhe do t’ua jap me çmimin me të cilin botuesi ua jep librarive.

Por në qoftë se nuk do të ma blejnë votën kaq “shtrenjtë” do të bëj një pako me librin e Branko Merxhanit, me atë të Mehdi Frashërit, të Dom Ndoc Nikajt, Krist Malokit, Tajar Zavalanit, Mehdi Frashërit, Vangjel Koçës, të Mid’ hat Frashërit dhe Librin “Ylli i shkrimtarit” një biografi e shkrimtarit Ismail Kadare, e shpresoj edhe ndonjë tjetër, në mënyrë që të lexojnë ndonjë gjë dhe t’i kuptojnë së paku më mirë problemet shqiptare për të cilat votuesit e shkretë ju kanë dhënë votën duke i besuar ose do t’ua japin. Këtë herë nuk do të tregohem egoist që t’ i “mërzit” me librat e mi. Do të mjaftohem e shumta me albumin “Shqipëria dhe bota në veprën e Kadaresë” që kam përgatitur. E bëj këtë edhe që ta kem për alibi se unë nuk kam përfituar vetë nga shitja e votës, pasi nuk kam shitur librat e mi, por kam bërë që të përfitojnë korifenjtë e mendimit shqiptar, duke u mësuar së paku emrat politikanët tanë.

Nëse do të më arrestojnë do të mundohem që ta korruptoj Prokurorinë dhe Gjykatën duke iu dhënë si ryshfet librat e mi. Këtë ofertë do t’ ua bëj hapur në seancën gjyqësore, në prani të kamerave televizive nëse do të ketë. Nëse dënohem në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Gjykatën e Apelit do të ofroj si ryshfet edhe bibliotekën time personale si të vetmen pasuri që kam. Vetëm librat, jo edhe raftet, se ato më duhen për t’i mbushur përsëri me libra.

E di që kështu rrezikoj që përveç ”krimit” tim fillestar, atij të shitjes së votës, të dënohem edhe për një seri krimesh të tjerë, por nuk kam çfarë të bëj, e kam ndarë mendjen që të sakrifikohem për të sensibilizuar politikanët dhe shtetin për problematikën e madhe të librit shqip.

Nëse dënohem në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, do të fitoj të drejtën që t’ i kërkoj Gjykatës së Strasburgut që ta shqyrtojë çështjen time. Por jo për t’ i kërkuar heqjen e dënimit, por për t’ i thënë se jam bërë i vetëdijshëm për fajin tim të rëndë që kam shqetësuar politikanët e vendit tim me një çështje kot si libri shqip. Një kriminel si unë meriton dënim të rëndë. Do të kërkoj që Gjykata e Strasburgut të shikojë mundësinë që t’ i rekomandojë Shqipërisë lejimin e dënimit me vdekje në rastin tim, në mënyrë që të mund të ekzekutohem duke u djegur në turrën e librave të botuar nga unë. Por deri atëherë ka kohë. Le t’ i marrim gjërat me radhë. Tani, me botimin e këtij shkrimi, e quaj të shpallur ofertën publikisht dhe sekserët mund të vijnë ta blenë votën time. Atje pastaj do të zërë fill çdo gjë, siç e kam përshkruar më lart.

Kjo është një sarkazëm politike për politikanët tanë, të cilët nuk thonë asnjë fjalë për problemet e librit në këtë fushat elektorale, duke parashikuar që ta lenë librin shqip në fatin e tij të braktisur.
Autori

Share: