Home KRYESORE Keqtrajtimi i studentit, Trump mund të veprojë ndaj Koresë së Veriut

Keqtrajtimi i studentit, Trump mund të veprojë ndaj Koresë së Veriut

Prindërit e Otto Warmbier, studentit amerikan të liruar këtë javë nga Koreja e Veriut, por që është në koma, reaguan me zemërim ndaj atij që e quajnë “një regjim i flakur tej”, i cili është treguar sipas tyre vërtet brutal me 22-vjeçarin.

Warmbier po trajtohet në spital, pasi avioni që e ktheu në atdhe u ul në Ohio të martën. Studenti ishte dënuar me 15 vite burgim nga autoritetet koreano-veriore, për shkak se kishte tentuar të vidhte një tabelë propagande nga hoteli ku qëndronte.

Sipas Penianit, atij i është dhënë një tabletë për gjumë, pasi ishte ndierë keq, por nga ai moment nuk u zgjua më. Prindërit e tij, Fred dhe Cindy thonë se tashmë duan që e gjithë bota ta dijë sesi është dhunuar e terrorizuar i biri nga regjimi i izoluar komunist.

Mbetet për t’u parë, sipas korrespondentëve të huaj, nëse sëmundja e Ottos është pasojë e drejtpërdrejtë e egërsisë me të cilën është përballur në burg. Nëse rezulton që po, atëherë presidenti Donald Trump mund të gjendet përballë presioneve për të kaluar në veprim ndaj qeverisë së Kim Jong-un.

Warmbier, student ekonomie, ndodhej në Korenë e Veriut si turist, kur u arrestua më 2 janar të vitit 2016. Një muaj më vonë, ai u shfaq në një konferencë për shtyp i mbytur nga emocionet dhe pranoi mes lotëve se ishte përpjekur të merrte një tabelë si “trofe” për një kishë në Amerikë. /360grade.al

Share: