Home KRYESORE Kush do të jetë kandidati i 3-të në garën për kreun e...

Kush do të jetë kandidati i 3-të në garën për kreun e PD/Prapaskenat

Partia Demokratike do të zhvillojë më 22 Korrik zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike, proçes që do të kryhet sipas parimit “një anëtar, një votë”.

Zyrtarisht proçesi për regjistrimin e kandidatëve përfundon më 2 Korrik, ndërsa në zgjedhje do të marrin pjesë vetëm ata anëtarë që rezultojnë të regjistruar si të tillë deri më 28 Qershor 2017, ditë në të cilën u çelën edhe proçedurat për garën brenda Partisë Demokratike.

Deri më tani si kandidatë zyrtarë janë regjistruar Lulzim Basha, i cili ka ngrirë kompetencat e tij, dhe Eduard Selami, ish-Kryetar i PD-së në periudhën 1992-1995.

Por deri më tani grupimi i kundërshtarëve të Bashës në Partinë Demokratike ende nuk ka nxjerrë një emër që mund të kandidojë përballë Bashës dhe Selamit.

Ky i fundit pavarësisht kritikave ndaj Bashës nuk ka qenë pjesë e asnjë prej kërkesave që kërkojnë largimin e kreut demokrat Lulzim Basha, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit. Kjo do të thotë se Selami nuk përfaqëson asnjë nga grupimet qofshin anëtarë të Kryesisë, Drejtues Departamentesh, anëtarë të Këshillit Kombëtar, të cilët po mbajnë një qëndrim më të ashpër sesa Selami kundrejt Lulzim Bashës.

Burimet thonë për 360grade.al se janë të paktën dy emra nga grupimi anti-Basha në PD që mund t’i bashkohen garës për postin e Kryetarit të PD-së. Jo zyrtarisht mësohet se Arben Imami dhe Astrit Patozi mund të vendosin për të kandiduar përballë Bashës dhe Selamit, por duket se pengesa ka të bëjë pikërisht me faktin se Lulzim Basha nuk ka dhënë dorëheqjen, por ka ngrirë kompetencat, çka e bën garën jo të barabartë.

360grade.al ka mësuar se ky grupim do të përfaqësohet nga vetëm një kandidat, nëse vendos të përfaqësohet në garë.

Burimet bëjnë të ditur se më pranë kandidimit është ish-deputeti Astrit Patozi, por sikundër mësohet zyrtarizimi i kandidaturës së tij në garë pritet të mos bëhet, nëse Basha në ditët në vazhdim nuk do të japë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të PD-së. Propozimi i hedhur është një mbledhje e Këshillit Kombëtar, i cili përbën edhe forumin më të lartë politik dhe vendimmarrës të kësaj partie, që duhet të përcaktojë rregullat e lojës, duke garantuar një garë të barabartë mes kandidatëve.

Ndoshta kjo kërkesë nuk do të gjejë zbatim, çka duket se gara mund të zhvillohet vetëm mes dy emrave, Basha e Selami, ndërsa grupimi më i ashpër kundër kreut aktual të PD-së, duket se do të qëndrojë neutral në garën e 22 Korrikut. Por në 3 ditët në vazhdim ndoshta, garës mund t’i bashkohet edhe një kandidat i 3-të, çka mund të bënte një garë më interesante, por edhe me më shumë tensione, kjo referuar akuzave dhe krititikave të ashpra. /360grade.al/

Share: