Home KRYESORE Mustafaj: Koalicioni me PS, do jetë hap fatal për Partinë Demokratike!

Mustafaj: Koalicioni me PS, do jetë hap fatal për Partinë Demokratike!

Në një intervistë për Dojçe Vele, Besnik Mustafaj është pozicionuar kundër alternativës së një koalicioni të madh PS-PD, pas zgjedhjeve. Sipas Mustafait, ky do të ishte një hap fatal për Partinë Demokratike.

“Hapi fatal për Partinë Demokratike dhe për opozitën në përgjithësi do të jetë nëse në koalicionet qeverisëse, postzgjedhore Partia Demokratike do të bëhej një shtojcë e Partisë Socialiste”

Pavarësisht përplasjes së fortë mes të majtëve, Mustafaj e sheh të natyrshëm një koalicion Rama-Meta pas zgjedhjeve, duke mos harruar se në këtë 4 vjeçar në parlament do të jetë edhe një i majtë më shumë, Ben Blushi.

“Unë vlerësoj se koalicioni më i natyrshëm postzgjedhor do të ishte midis të majtës, dmth do të kemi tre patri të majta në kuvendin e ardhshëm. Do të jetë Partia Socialiste, do të jetë LSI, do të jetë edhe LIBRA. Eksperienca gjermane qëndron vetëm për Gjermaninë. Atje o CDI do lidhej me partitë e ekstremit, që nuk është në filozofinë e saj, ose do të bënte koalicionin e gjerë që e ka për herë të dytë, në përvojën e saj. Kjo në Shqipëri, nuk është nevojë nga peisazhi politik, nga kompozimi që do të ketë parlamenti i ardhshëm. Për sa kohë nuk është nevojë, atëherë ajo ndarja e majtë e djathtë nuk duhet asgjësuar. Partia Socialiste dhe Edi Rama vetë nuk është një personalitet që di realisht të ndajë pushtet dhe të ndajë konsensuse që të qeverisë me aleatët”

Edhe periudha e bashkëqeverisjes në muajin e fushatës, për Besnik Mustafajn është një provë tjetër se me Edi Ramën nuk mund të bashkëqeveriset normalisht.

“Ministrat teknikë po bëjnë përpjekje mbinjerëzore. Këta i heqin drejtorat e involvuar në fushatë, kryeministri i kthen në punë. Në këtë kuptim ne nuk jemi në kushtet e Gjermanisë, ku ka një traditë për ndarjen e pushtetit midis forcave të koalicionit. Nuk kemi një Angela Merkel në krye të vendit, e cila vë interesat e vendit të vet përmbi interesat e veta apo të forcës politike që ka pushtet. Ne do të kemi në krye të vendit PS dhe Edi Ramën, i cili interesat e pushtetit të tij i vë përmbi interesat e vendit. E ka treguar”/lapsi.al

Share: