Home KRYESORE Përtej betejës elektorale. Vota një ceshtje delikate!

Përtej betejës elektorale. Vota një ceshtje delikate!

Nga Jeta Katro

Në prag të zgjedhjeve parlamentare gjithnjë e më shumë ndihet në komunitet dëshpërimi, zhgënjimi dhe revoltimi. Në fakt janë shumë arësye dhe faktorë që stimulojnë këtë gjëndje emocionale. Korrupsioni pa fre, rritja e varfërisë, pasurimi i tejskajshëm i një pakice, bollëku i bizneseve shtetërore menaxhuar nga kjo pakicë tashmë të lidhur jo vetëm me njeri tjetrin por dhe pushtetin e politikën, rënia e fuqisë të institucioneve politike, konsumimi si rrjedhojë e grindjeve ndërmejt grupeve të elitës që konkurojnë për të mbushur vakumin e fuqisë, e të tjera si këto janë kthyer në burim të kësaj gjëndjeje emocionale.

Pasqyrimi i këtyre çështjeve në postimet e shpeshta në fb reflekton krizën që ka mbërthyer komunitetin në prag të zgjedhjeve. Të organizuara në formën e skuadrave të llojit dixhital (sidomos fb. e twitter), grupimet e ngritura kryesisht mbi networket bazuar mbi rrethet miqësore, shoqërore e njohjeje përpiqen të vokalizojnë shqetësimet mbi zhvillimet politike e sociale nga më të fundit e ndër vite në këtë prag zgjedhor, duke i kthyer kështu zgjedhjet në kryefjalë të postimeve.

Lënë mënjëanë militantët e dy krahëve, që sa vijnë dhe më shumë rrudhen brënda rradhëve të tyre, për shumë prej tyre shtrohet çështja e pavendosmërisë për të adresuar votën. Për disa të tjerë synohet bojkoti në votim me arsyetimin se i duhet dhënë mësim politikës. E për një pjesë tjetër vihet re indiferentizmi deri në alergji ndaj diksutimeve politike e zgjedhore, të konsideruara si burim stresi e lodhjeje topitëse. Të gjithë të vënë nën trysninë e zhvillimeve dhe transmetimeve bombarduese, mjegullnajë e të polarizuara mediatike të çdo ore e të çdo dite, ku vetëm për atë, votuesin nuk flitet.

Dhe ja ku jemi vetëm pak ditë larg asaj të votimit, më të pasigurt se kurrë për votën e shumë e shumë votuesve. Gjithsesi, zhgënjimi dhe dëshpërimi i këtyre ditëve nuk lejon qartësinë për të kuptuar se akti i votimit nuk është veçse delegim autoriteti tek të zgjedhurit, të cilët nga ana e tyre duhet të jenë përgjegjës për çdo veprim të tyre, veprim ky i miratuar nga ai, votuesi. Është pikërisht kjo lidhje ndërmjet votuesit dhe të zgjedhurve përgjat mandatit të tyre që krijon besimin dhe shpresën se proçeset e zhvillimit nuk do mund të ndalen.

Për fat të keq, ndryshe nga shumë vënde të tjera, ky raport tek ne ndërpritet shumë shpejt pas votimit. Kjo kryesisht për shkak të mungesës së ndjeshme të strukturave dhe sistemit që shërbejnë si barriera për të penguar e ngadalësuar këto fenomene që grryejnë dhe shkatërrojnë shoqërinë, e për rrjedhojë dhe zhvillimet. Por dhe për shkak të indifferencës e mungesës të organizimit jashtë influencës të elitave, ku fjalët integritet, krenari e dinjitet kanë humbur pothuaj kuptimin e mirfilltë.

E po ashtu nuk duhet harruar ajo çka kemi mësuar në këto vite, se pritjet e gjata dhe jo aktive sjellin dhe të papritura, që kur ndodhin i përjetojmë me zhgënjim. Është në dorën e vetë komunitetit apo votuesit për të mos qenë të pakujdesshëm, apo të paralizuar. Eshtë pikërisht ky kontroll ose jo emocional që sjell apo nuk sjell ndryshimin.

Për më tepër, dialogu serioz post zgjedhor ndërmjet komunitetit votues dhe të zgjedhurve për të gjetur zgjidhje të prekshme të problemeve nëpërmjet sistemit dhe srtukturave funksionale që duhet të ngrihen është dhe në dorë të komunitetit.

Marshimi i Grave në Washington DC në 21 janar të këtij viti (i organizuar menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale), me pjesëmarrjen e mbi 1 milion e gjysëm përfaqësuesve të gjithë komuniteteve të DC e shumë shteteve të Amerikës, sot është kthyer një lëvizje ku përfaqësuesit e komuniteteve bashkërisht dhe kolektivisht kanë riafirmuar dhe nisur angazhimin dhe solidaritetin me njëri tjetrin për veprime kolektive në mbrojtje të interesave të komuniteteve të tyre. Me një plan veprimi mbi çështjet më kryesore të komuniteteve, si të drejtat e grave, reforma në shëndetësi, arsimi, emigracioni dhe politikat ekonomike ndër të tjera, ata i janë drejtuar këshillave bashkiak, duke mos rreshtur njëherazi kontaktet me kongresmenë dhe senatorë të zonave të tyre për zgjidhjen e këtyre problemeve. Dhe ja kanë dalë të zgjidhin apo të mbajnë të bllokuar disa prej tyre, e për disa të tjera janë në proçes.

Është në dorë të komunitetit të kuptojë sa serioze janë tashmë problemet në vënd dhe çfarë është e nevojshme për t’i rregulluar ato. Sëbashku mund të demostrohen kapacitetet për të sjellë ndryshimin transformues.E rëndësishme kjo sidomos tani që hendeku klasor është rritur në një sërë dimensionesh, që nis nga struktura e familjes, arsimi, e deri tek stili i jetesës, që gjithnjë e më shumë rrit shkallën e ndarjes të pakicës nga shumica deri në breza. Sikundër më shumë rrit interesin apo aktivizmin e kësaj pakice në zgjedhje në mbrojtje të interesave të saj.

Ka ndodhur e po ndodh dhe në vënde të tjera të botës ku vrapit galopant të korrupsionit po i vihet fre falë këtij sistemi dhe strukturave të ngritura rrishtazi. Madje, pushtetarëve të disa vëndeve po u kërkohet ligjërisht llogari për paligjshmërinë e veprimeve të tyre. Dhe jo vetëm. Konfiskimi i pasurive të paligjshme po i kthehet pronës publike. Protesta masive ne Rumani për çështje të përbashkëta po ashtu tregoi se duhet kapërcyer kjo topitje e duhet reaguar. Mbi të gjitha duhet kuptuar se zgjedhjet dhe ndryshimi janë dhe përgjegjësia jonë.

Ne mund të mos e detyrojmë politikën të bëjë atë që ne duam, por ne mund t’a detyrojmë atë të na dëgjojë e të mendohet mirë për atë ç’do mund të bëjë më pas, ku pushtetet do të duhet të ndahen në marrjen dhe mbajtjen e përgjegjësive. Në të kundërtën do jemi pre e zgjedhjeve dhe realiteteve që do vazhdojnë të jenë modeli i kaosit dhe pandryshushmërisë, ku pengimi i drejtësisë s’do jetë më çështje kohe.

E nëse vendoset bojkoti dhe jo marrja e përgjegjësisë për t’u vetëorganizuar e për t’u konsideruar si forca që i japim autoritet politikbërësve do të vazhdojmë të jemi gjithnjë e më të kërcënuar e të pa sigurt për të ardhmen.

Gjithshka mbetet në dorën e votuesit, që kësaj here do t’i duhet të jetë shumë herë më i menduar dhe më i përgjegjshëm si në dhënien e votës ashtu dhe marrjen e përgjegjësisë për rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Eksperiencat e fundit zgjedhore në një sërë vëndesh në botë e rajon kanë treguar tashmë se rezultatet elektorale jo gjithnjë kanë treguar efektet e dëshiruara, prandaj dhe duhen seriozisht konsideruar.

Pjesëmarrja e gjërë dhe jo bojkoti ndihmon në miratimin e qeverisë nga publiku. Sa më i madh numuri i votuesve, aq më shumë mundësohet mbështetja ose jo e qeverisë të zgjedhur nga elektorati. Sa më i madh angazhimi publik në zgjedhje aq më i gjërë përfaqësimi i votuesve, e për rrjedhojë aq më e mundshme dalja e një qeverie më legjitime e më efektive, por dhe zgjedhja nga publiku e pushtetit të kapur e të dominuar nga grupet e interesit, sikundër dhe ka ndodhur.

Sikundër dhe shprehet autori i “Dream Hoarders” Reeves: Ndryshimet në politikë dhe ndërgjegjen shoqërore janë e vetmja mënyrë për të rregulluar sistemin e shkatërruar. Një arësye më shumë për të dhënë një votë sociale se sa atë politike. Le të mos ngelemi tek e djeshmja, dhe as të hipnotizohemi nga joshjet iluzioniste. Nëse duam të jemi sovranë ashtu sikundër rëndom na quan me sarkazëm lidershipi politik është koha të shohim përtej betejës elektorale duke vendosur sëbashku për të formuar të ardhmen.

Share: