Home KRYESORE Pse u shkalafit PD? Dhe të pathënat e marrëveshjes së 18 majit

Pse u shkalafit PD? Dhe të pathënat e marrëveshjes së 18 majit

Nga Endri Xhafo

Kur fëmijët e vegjël mësojnë figurat gjeometrike, edukatoret vizatojnë fillimisht disa pika, që fëmijët më pas i bashkojnë. Nga mënyra se si bashkohen pikat dalin katrorët, drejtkëndëshat, trekëndëshat apo rombet. Le të lidhim pikat kyç të aktualitetit politik, për të parë se çfarë rezultati japin.

Teoria e komplotit dhe reforma në drejtësi

Zhvillimet kryesore të japin përshtypjen se jeta politike ka qenë një elektron i lirë, përplasur andej-këndej në mënyrë kaotike. Gjatë katër viteve të shkuara qeveria ka qeverisur, opozita ka reaguar rast pas rasti dhe kështu, në rrëmujë e sipër, palët paraqiten tani përpara zgjedhësve, secila me bilancin e vet. Por kjo, vetëm në shikim të parë. Sepse po të përqëndrohesh pak, sheh se filli lidhës ka qenë reforma në drejtësi. Dhe për të gjitha zhvillimet e kohëve të fundit, disa prej të cilave vërtet të pazakonta, ka një shpjegim të thjeshtëzuar, ai i një pakti Rama-Basha për reformën në drejtësi, të arritur më 6 dhjetor 2014 me ndërmjetësinë e Xhorxh Sorosit!

Për shumëkënd, përfshirë edhe ne, kjo nuk është veçse një teori konspiracioni. Këto teori bëjnë interpretime spekulative të fakteve të njohura dhe hamendësojnë për të panjohurat. Disa teori, si kjo e paktit Rama-Basha me ndërmjetësinë e Sorosit, kanë edhe një dozë fatalizmi, sepse i shpjegojnë zhvillimet sipas një rendi të paracaktuar. Por njeriut i pëlqen të jetojë me bindjen se gjendja e tij është fryt i zgjedhjeve të caktuara që ka bërë në jetë. Njeriu është gati të heqë dorë nga iluzioni i zgjedhjes së lirë vetëm për shkak të një qenie supreme, Zotit! Por jo për shkak të Sorosit, Ramës, dhe akoma më pak, – mos e dhëntë Zoti! – të Lul Bashës! Nëse njerëzit do të pranonin, për shembull, se është vendosur që Shqipëria të ketë për kryeministër Ramën, pas tij Bashën dhe pas Bashës Veliajn, atëhere fatalizmi do të dekurajonte çdo ambicie tjetër, duke sjellë si reaksion zinxhir mpirjen e mendimit intelektual, margjinalizimin e kritikës shoqërore dhe të rolit të medias, dhe shpërhapjen e një pandemie servilizmi, deformuese për karakterin!” Njeriu i ri” do të prodhohej në seri pranë universiteteve private dhe do të paketohej direkt për te partitë, si te “Komisioni për krijimin e Lej Fenit” të Kadaresë. Prandaj arsyeja e refuzon gati instiktivisht këtë Antinjeri!

Në lidhje me reformën në drejtësi është e vërtetë që ajo u zhvillua sipas një ideje të fondacionit Soros, por aty ku disa shohin konspiracion, ne shohim largpamësi. Grupet e mëdha të refleksionit, qendrat kërkimore, ato vendimmarrëse, qeveritë në Perëndim, veprojnë me plane afatgjatë, që bazohen mbi konsiderata gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Fondacioni Soros nuk bën përjashtim. Ndonëse po ta lexosh me kujdes strategjinë e degës së Tiranës, duket se nuk bëhet fjalë për një direktivë të qendrës të ardhur si porosi e centralizuar, por për një nevojë të degës për të justifikuar ekzistencën e vet, në një vend ku, sipas perceptimit publik, “fondacioni është zhdukur”. Sepse fondacioni, dikur aktiv me financime, sot mungon në debatin publik, duke u shndërruar në një institucion studimor, “institut i politikave aktiviste” siç e quan veten ai. Por në momentin kur strategjia pranohet nga qendra, atëhere rrjeti i Xhorxh Sorosit i ka mjetet dhe fuqinë për t’ia imponuar atë axhendave euro-amerikane për Shqipërinë, duke e vendosur reformën në drejtësi si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, sipas sugjerimit të degës së Tiranës (cf. OSFA 2014-2017 Strategy Plan). Dhe këtu nuk ka asgjë për të ardhur turp, sepse bëhet fjalë për individin që mund të ndikojë në zgjedhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, apo në çështjet globale. Megjithatë vullneti i Sorosit nuk do të përvetësohej deri në detaje, sikur reforma në drejtësi të mos mendohej kaq vendimtare për stabilitetin e Shqipërisë dhe më gjerë. Si?
Për një moment mos e shikoni Shqipërinë nga këtu poshtë, nga qyteti juaj, shtëpia juaj, kafja juaj e lagjes, por ngrihuni ca në nivel dhe shikojeni Shqipërinë si pjesë të botës. Si paraqitet bota sot? Ajo ka katër fuqi globale: SHBA, BE, Rusi, Kinë (diçka më pak India). Gjithçka tjetër poshtë këtij kuadrati është rajonale. Sigurisht, nga poshtë vijnë ngacmime që japin dridhje në nivel global, si psh. përplasjet ushtarake për Kashmirin mes dy fuqive bërthamore Indisë dhe Pakistanit, programi bërthamor i Iranit, provokimet e Koresë së Veriut, lufta në Siri, lëvizjet migratore të popullsisë, çmimi i naftës, luhatjet në bursë, Brexit, etj. Por, që fuqitë e mëdha të mos shpërqëndrohen nga çështjet globale, priren t’i mbyllin një herë e mirë çështjet lokale që mund t’u hanë kohë dhe burime, sidomos ato çështje që ndodhen në rrethin e tyre imediat, në “oborrin e shtëpisë”: çështja e Tajvanit dhe politika e një Kine të vetme, pavarësia e Çeçenisë, aneksimi i Krimesë, integrimi i Ballkanit… Për shembull, flaka që shpërtheu në vitet ’90 në ish-Jugosllavi, vuri në pikëpyetje kohezionin brenda BE-së fiks në kohën kur BE po përgatitej për të hedhur hapin e madh të integrimit që e shndërroi në aktor global, krijimin e Bashkimit Ekonomik e Monetar, me kulmin e vet, euron. Ndaj Ballkani perëndimor, qoftë nga pikëpamja gjeopolitike, si enklavë e rrethuar nga vende të BE-së, qoftë nga pikëpamja gjeostrategjike, si vatër e rëndësishme për stabilitetin e Europës, është i destinuar të integrohet. Dhe sot kohët kanë ndryshuar, nuk bëhet fjalë më për luftë. Por, paqëndrueshmëria politike dhe korrupsioni në një vend ballkanik, që sjellin si pasojë largimin e investitorëve të huaj dhe fuqizimin e një grushti sipërmarrësish vendas që kap shtetin (oligarkia), që provokojnë stanjacionin e përgjithshëm ekonomik dhe thellimin e pabarazisë sociale, që nuk frenojnë dot valët e reja të azilkërkuesve dhe, në përgjithësi dobësojnë administratën nga ndikimet politike dhe rryshfeti, e bëjnë atë vend të paaftë për të luajtur sipas rregullave të përbashkëta. Kujtoni rastin e atij investitorit libanez që u largua me barrelë nga Shqipëria si pasojë e dhunës fizike, pasi një palë e tretë, për shkak të një vendimi gjyqësor, pretendonte pronësinë mbi një pjesë të tokës ku do të bëhej investimi. Apo kujtoni shqetësimin e ngritur nga një sipërmarrës gjerman në konferencën e përbashkët për shtyp të kancelares Merkel me kryeministrin Rama në Tiranë, në lidhje me vendimet e dyshimta gjyqësore për biznesin, që vënë në pikëpyetje sigurinë juridike. Rasti i Rumanisë dhe i Bullgarisë tregoi se korrupsioni mund të rezultojë shumë problematik për një vend, edhe kur ai është anëtar i Bashkimit europian. Ndaj lufta kundër korrupsionit dhe zbatimi i një kuadri ligjor që do të siguronte zgjedhje të lira dhe të ndershme, – në çdo rast të pakontestuara gjatë rotacionit politik, – janë parakushte për integrimin në Bashkimin europian. BE i di këto, se vetë i ka evidentuar si kritere që në vitet ’90, fondacioni vetëm sa ofroi një mënyrë për t’i arritur.

Kjo shpjegon presionin e madh për rezultate konkrete, SMS-në e ambasadës amerikane për disa deputetë kur kërkoheshin vota në mungesë të konsensusit, vizitën e ndihmës-sekretares Nuland për ndërmjetësimin e konsensusit, njoftimin publik për pasojat negative dhe afatgjata në marrëdhëniet me SHBA-në të atyre politikanëve që nuk do ta votonin reformën, revokimin e vizave për 30 gjyqtarë dhe prokurorë, shpërthimin e ambasadorit Lu ndaj kryeprokurorit Lalla, etj. Kjo shpjegon interesin thuajse ekskluziv të BE-së për reformën në drejtësi; qeveria mund të bënte të gjitha reformat e mundshme dhe prapë, përveç disa fjalëve inkurajuese, nuk do të merrte më shumë vëmendje se kaq. Sepse, nëse reforma territoriale redukton shpenzimet për administratën vendore dhe pritet të sjellë një shërbim më të mirë për qytetarët; nëse reforma e arsimit bën një shpërndarje më të mirë (apo më të keqe) të burimeve financiare, numrit të studentëve, ngarkesës mësimore, degëve, etj.; nëse reforma e pensioneve bën një vlerësim më të mirë të kontributeve të gjithësecilit dhe nuk lë askënd pa pension, qoftë edhe simbolik siç është pensioni social, të gjitha këto janë masa që prekin direkt për mirë apo për keq vetëm cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. Por nuk ka asnjë reformë tjetër përveç asaj në drejtësi që të japë efekt në reaksionin zinxhir lokal → rajonal → kontinental → global.

Prandaj ky fill lidhës ndikoi në krejt axhendat e partive politike dhe jo vetëm. Parimisht reforma në drejtësi pret degën e kalbur ku politika dhe gjyqësori janë ulur. Por kur partitë panë se nuk kishin forcë për ta zhbërë këtë dhe ishin përfshirë në një momentum, atëhere u përpoqën që të paktën ta formëzojnë reformën sipas interesave vetjake. Kjo përplasje interesash ishte edhe loja politike e katër viteve të fundit.

Sjellja e aktorëve është një tjetër provë kundër teorisë së komplotit. Shpjegimi njëshkakësor i teorisë konspirative, pra vetëm vullneti i Sorosit i materializuar në një marrëvëshje okulte, do të ishte shoqëruar me një rezultat më të shpejtë, të arritur në mënyrë më paqësore, më pak teatrale, më uniforme. Sigurisht, në fund rezultoi se fondacioni Soros ia arriti qëllimit të vet, madje respektoi edhe afatet që i vuri vetes, vitin 2014 për përfundimin e punës përgatitore dhe vitin 2017 për miratimin e ndryshimeve ligjore. Por, për të arritur te produkti final, pati disa produkte rrugës, që tregon për ndërveprim të shumë aktorëve me interesa antagoniste.
Partia Socialiste, që është më e afërt me fondacionin Soros se çdo forcë tjetër politike në Shqipëri (cf. DCLeaks), përshtati parimin e strategjisë 2014-2017 se “njerëzit mobilizohen më lehtë për një çështje sesa për vlera”. Revolucioni frëng për shembull nuk filloi prej ideve përparimtare të Lumierëve, por se fshatarët nuk kishin bukë të hanin. Kur kryeministri i mvesh korrupsionit fytyrën dhe emrin e përveçëm të një gjyqtari me vilë 500 mijë euro, ai e bën kauzën e reformës më të prekshme për qytetarët se sa po të flasë për parimet e shtetit të së drejtës, ndonëse vila e tij private mund të jetë dyfish më e shtrenjtë se e gjyqtarit. Apo kur kryetari i Bashkisë së Tiranës del përpara gjykatës administrative dhe akuzon nominalisht një trupë gjyqtarësh si të lidhur me firmën e ndërtimit me të cilën Bashkia është në gjyq, kjo e bën opionin publik të mallkojë “gjyqtarët e korruptuar” që pengojnë Bashkinë të bëjë punë të mira, duke harruar se kullat që Bashkia lufton t’i ndalojë te Diga, do t’i ndërtojë më të larta në Qendër! Partia Socialiste u udhëhoq kështu nga interesi për të kontrolluar të tëra ose pjesërisht institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, nëpërmjet varësisë institucionale (versioni i parë i Byrosë Kombëtare të Hetimit), ose njerëzve në sistem (versionet e propozuara për emërimet në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë).

E gjendur përballë Partisë Socialiste, që e shiti veten si mbrojtësen e vetme të reformës në drejtësi, dhe nën presionin e ndërkombëtarëve, Partia Demokratike përdori kartën parimore të një arbitri ekstrapolitik, Komisionit të Venecias dhe/apo Gjykatës Kushtetuese, të paktën për t’i larguar institucionet e reja nga ndikimi i qeverisë, pa rrezikuar shumë që në sy të ndërkombëtarëve të dukej si refraktare. Për këtë hoqi hoqi dorë edhe nga “stina e re e protestave” të 2016-ës, për t’i përqëndruar energjitë të puna në komisionin e reformës në drejtësi, aty ku gjërat mund t’i dilnin nga kontrolli.

LSI përdori sa mundi Prokurorin e Përgjithshëm, emërtim ekskluziv i Ilir Metës, u fsheh shumë kohë pas qëndrimeve të PD-së dhe, në fund, bëri presion me qeverinë teknike.
Kurse vetë sistemi pati disa spazma kontraksioni, me tre padi të ndryshme në Gjykatën Kushtetuese të dy shoqatave që mbrojnë interesat e gjyqtarëve.

Fenomeni “Çadër” dhe listat e Lulit

Leximi i ngjarjeve kyç të aktualitetit nxjerr në pah edhe dy fakte të tjerë domethënës. I pari ka të bëjë me pakënaqësinë popullore kundër qeverisjes, për arsye nga më të ndryshmet:
– armët kimike të Sirisë,
– fushata kundër informalitetit, shoqëruar me gjoba ndaj biznesit, ndërprerje të energjisë elektrike për debitorët dhe burg për abuzuesit,

– rritja e taksave dhe e tarifave,
– papunësia e lartë dhe thellimi i varfërisë,
– koncesionet në shëndetësi,
– perceptimi i lartë për korrupsionin,
– premtimet e pambajtura,
– kriminalizimi i Parlamentit dhe i administratës,
– projektligji për importin e mbetjeve,
– projektet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Vjosë dhe Valbonë,
– rikthimi mendjelehtë i simboleve të diktaturës,
– kanabizimi i vendit, etj.etj.

Praktikisht, pavarësisht arsyeve, ka pasur nga një protestë të madhe çdo vit! Dhe ka pasur një opinion mjaft të përhapur se kjo qeveri bëri në dy vjet aq zullume sa për dy mandate rresht. Por, dhe ky është fakti i dytë, PD, ndonëse u vu në krye të disa prej protestave, nuk mundi ta kapitalizojë këtë pakënaqësi. Ku duket kjo? Te rezultatet e çdo palë zgjedhje të mbajtura pas 2013-ës, të humbura me rezultat të thellë. Pse? Sepse PD nën drejtimin e Lulzim Bashës nuk ka frymëzuar! Nën drejtimin e Lulzim Bashës PD as ka mundur (s’ka dashur?) të riorganizohet. Degët e Durrësit, Kavajës, Vlorës, Peshkopisë, etj., janë edhe sot totalisht të çorganizuara. Mirëpo zgjedhjet, – që parimisht fitohen ose me frymë ose me strukturë, dhe shpesh me të dyja bashkë, – në Shqipëri janë fituar me frymë vetëm në ’92-shin dhe në ’97-ën. Pa struktura një parti nuk mund të organizohet. Pa struktura partia humbet militantët, që fillojnë e shpërndahen. Pa struktura partia humbet besueshmërinë në bazë.

Mirëpo mungesa e besueshmërisë në bazë dhe në qendër ka qenë problemi kyç i Partisë Demokratike dhe i lidershipit të saj këto katër vjet. Lul Basha erdhi në krye të partisë nëpërmjet një gare pjesërisht të manipuluar, dhe pjesërisht të ndikuar nga vullneti i ish-kryetarit, sepse, edhe një pjesë e mirë e atyre që nuk e deshën, e votuan duke menduar se ishte zgjedhja e Doktorit. Kompleksi i Bashës përballë grupit parlamentar, pjesa dërrmuese e të cilit mbështeti Sokol Olldashin, nuk e çliroi dot deri ditën e fundit kur bëri listat. Ai më shumë se kushdo e ka ditur që nuk do t’i fitonte këto zgjedhje. “Çadra” që Basha krijoi, që shumëkush e interpretoi si përpjekje për të karikuar njerëzit, për të krijuar frymën që do të kompensonte mungesën e strukturave, nuk kishte këtë për qëllim. Sigurisht, “Çadra” e krijoi një frymë pavarësisht qëllimit të vërtetë të saj. Sepse pakënaqësia ndaj qeverisë ishte ende reale. Por kjo frymë u shpërbë sa hap e mbyll sytë me nxjerrjen e listave.

Listat e lanë opinionin publik pa fjalë! Të munguarit e mëdhenj të listave janë Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Genc Ruli (që e ndjeu dhe deklaroi tërheqjen disa ditë përpara), Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami, Myqerem Tafaj, Eduard Selami, Kastriot Islami, Keltis Kruja, Igli Cara, Enno Bozdo, etj. Nuk janë personat në vetvete se sa numri i lartë i tyre, që habiti opinionin publik. Një spastrim të tillë, me një të rënë të lapsit, nuk e bëri as Edi Rama në PS. Sipas vetë Lul Bashës, 82% e emrave në listat e PD-së nuk kanë qenë asnjëherë deputetë. Ai e ka quajtur këtë “ripërtëritje” dhe “qarkullim elitash”, që bëhet me “largimin e politikanëve të vjetër”. Mirëpo në lista mungon edhe vetë sekretariati i PD-së, që janë njerëz të rinj të afruar nga Basha.

Mbështetësit e listave, që janë më shumë tifozë të Bashës se sa të PD-së, kanë avancuar edhe një argument tjetër: Që në lista nuk mund të ishin ata që sollën humbjen e PD-së në 2013-ën.

Pra, në thelb kemi dy argumenta: të vjetër/të rinj dhe shkaktarët e humbjes. Por kjo lloj qasje ka dy inkoherenca logjike :

1) E para, përveç të ikurve, duhet të ndalemi sidomos te prurjet! Se mirë po heq disa, por me kë po i zëvendëson?
2) Dhe e dyta, në lidhje më të parën, ka të bëjë me kriteret. Mbi çfarë kriteresh disa “të vjetër” i largon dhe disa i mban?

Për prurjet, vetë Basha ka thënë se kandidatët e rinj janë njerëz të spikatur në politikë, shoqërinë civile dhe akademike. Po kush? Ervin Salianji, djaloshi që ka frymëzuar personazhin e drejtorit të “Portokallisë” dhe që garën e vetme që bëri në jetë, atë për kreun e FRPD-së, e humbi me nder? Basha futi në listë këtë Salianjin, por la jashtë kreun e FRPD-së, që fitoi kundër Salianjit! Mos vallë është i spikatur Klevis Balliu, që edhe ato 2 herë që ka dalë në televizor ka ndërhyrë i ati, Fahriu? Apo numri 1 i listës së Vlorës, një biznesmen krejtësisht i panjohur nga strukturat? Apo Dashamir Tahiri, po në Vlorë, të cilit KQZ në legjislaturën e fundit i hoqi mandatin si subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe që në kronikat e ’97-ës shfaqet në krah të Zani Çaushit, duke paralajmëruar diçka të keqe nëse Berisha do të shkonte në Vlorë? Basha ricikloi këtë njeri, duke lënë jashtë listës pikërisht atë prej nga nisi procesi i dekriminalizimit, Jozefina Topallin, që denonconte në Parlament Mark Frokun, kur këtë s’e bënte askush tjetër! Për më tepër Basha, i cili pret që Dashamir Tahiri t’i sjellë votën çame, i ka vënë atij përpara në listë minoritarin Vangjel Dule, çka do të thotë që Tahiri, për të nxjerrë veten deputet, duhet më parë të punojë për kreun e PBDNJ-së! Për çfarë është i spikatur Lefter Maliqi, ish-kryetari i komunës Otllak, që i ka provuar të treja partitë dhe deklaroi divorcin me PD-në dhe rikalimin te PS ende pa u zhvilluar zgjedhjet? Një situatë absurdi e denjë për PD-në e Bashës, ku numri 3 i listës së Beratit bën fushatë për kundërshtarin! Kurse Grida Duma dhe Enkelejd Alibeaj spikatën për humbjet e thella në garat respektive për kryetar bashkie në Durrës dhe Fier në 2015-ën (pa folur për humbjen e Alibeajt edhe në garën për sekretarin e përgjithshëm të PD-së). Kurse Valentina Duka, historiane dhe pedagoge e njohur, ka në CV-në saj politike një angazhim anti-PD njësoj si Genc Pollo dhe Nard Ndoka, që në vitet 2000 krijuan PDr-në, partinë që i vodhi PD-së emrin dhe logon. Nëse Basha hoqi “të vjetrit”, përse e mbajti Genc Pollon dhe Tritan Shehun, ky i fundit deputet i ’91-shit? Pa folur për Fatbardh Plakun dhe Besnik Fuçian, dy ish-kryetarët e komunave të Farkës dhe Kasharit, që nën shembullin e Ramës në Tiranë betonizuan kurorën e gjelbër të kryeqytetit. Apo ai profesori i Shkodrës, që citonte Qemal Stafën, duke menduar se po citonte Migjenin! Si mund t’u kërkosh votën demokratëve durrsakë, degës më të përçarë të partisë, kur të dytën në listë ke vënë vajzën e një babai që në kronikat televizive ka dalë si simpatizant i madh i Edi Ramës? Teorikisht vajza nuk është përgjegjëse për babanë, por praktikisht kjo nuk ndodh në PD, ku militantët janë edukuar nga udhëheqësit me idenë e “bijve të etërve”. Nëse Ridvan Bode, Genc Ruli dhe Jozefina Topalli ishin humbësit e 2013-ës në Korçë, Gjirokastër e Shkodër, a nuk ishte Sali Berisha humbësi i krejt Shqipërisë, arsye për të cilën ai dha edhe dorëheqjen? Atëherë përse u fut Sali Berisha? Po vetë Basha? Sepse në 2015-ën në Tiranë, aty ku Halim Kosova pagoi kusuret e katër viteve të inekzistencës së Lulit në krye të bashkisë, humbësi real i Tiranës ishte vetëm Luli!

Dhe e fundit, që nuk është inkoherencë logjike, por tregues thelbësor i karakterit të Bashës që kërkon votën për kryeministër: Cili proces prodhoi këto lista? Sepse procesi është shprehje e demokracisë ose e mungesës së saj! Procesi është prova pararendëse se Basha do të bëjë me “Republikën e Re” atë që bëri me partinë! Por Basha injoroi strukturat, dhe këtë e pranon!

Si përfundim, në çështjen e listave asgjë nuk garanton se emrat e hequr do t’i sillnin PD-së një rezultat më të mirë. Por e sigurt është që listat e Bashës nuk i nënshtrohen asnjë argumenti racional nga ata që janë përmendur deri më sot, sepse “i ri”, “i vjetër”, “vlerë e spikatur” apo “humbës”, të gjitha këto bien! Atëhere përse këto lista?

Duke kërkuar racionalen te irracionalja, shfaqet e qartë një gjë: Njeriu “lufton” në të tashmen, sepse projekton veten në të ardhmen. Por nëse njeriu e di se ç’i rezervon e ardhmja, ai nuk ka arsye të lodhet, as të përpiqet! A e njeh pra Lul Basha të ardhmen e vet?

Roli i Sali Berishës dhe ujdia e 18 majit

Mediat kanë raportuar se kur Lulzim Basha priste MekAllisterin, pastaj takohej me Ramën në Presidencë, dhe në fund me Hoit Brajan Li, ai ka bërë vajtje-ardhje në zyrën e Berishës.

Negociatori i vërtetë ka qenë Berisha. Ai foli për një “marrëveshje të gjerë” tre javë përpara 18 majit. Më 26 prill, në një intervistë për Ora News, Berisha tha se politikanët që do ta arrinin këtë marrëveshje do të kishin meritë, sepse “me gjëra të pjesshme nuk zgjidhet gjë”, por duhen “ndryshime kushtetuese frymëzuese, që do ta çojnë vendin të sigurt në BE”.

Por Doktori sot është pre e fobive të veta. Ai vuan nga ankthi i madh për të mbrojtur familjen. Kur kërkonte dorëheqjen e Ilir Metës pas akuzave të Tom Doshit në mars 2015, ai u trondit dhe e humbi qetësinë kur Ilir Meta ia ktheu në mes të Parlamentit se e kishte dhënë një herë dorëheqjen për Zenin në 2011-ën dhe se nuk kishte ndër mend ta jepte për herë të dytë. Kurse konkluzionet e komisionit hetimor parlamentar për privatizimin e OSSH-së përmbajnë akuza të forta për të birin. Po a është fajtor Shkëlzen Berisha për akuzat e socialistëve? Në bazë të prezumimit të pafajësisë ai është i pafajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës. Gjithsesi çdo hetim apo marrje i pandehur do të ishte kokëçarje më vete. Kur Berisha kuptoi se nuk mund ta bllokonte reformën në drejtësi, u përpoq ta kontrollojë disi. Të paktën të marrë garanci për të birin. Ndaj atij i duhej një ujdi me Ramën dhe e vetmja kartë që kishte ishte mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje. “Çadra” ishte vetëm një mjet për të negociuar. Çfarë arritën palët nga marrëveshja?

Berisha mori garancitë e tij, dhe kjo është pjesa jopublike e marrëveshjes.

Rama futi PD-në në zgjedhje, është bërë gati të lajë hesapet me LSI-në duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor dhe, me një PD të dobët, do të sigurojë një mandat të dytë qeverisës. Institucionalizimi i dialogut të kryetarit të mazhorancës me të opozitës duket sikur e merr të mirëqenë PD-në në opozitë. Madje në Bruksel, në darkën me Mogerinin, Edi Rama deklaroi se BE duhet të bëhet gati për kërkesën e përbashkët që do t’i vijë nga mazhoranca dhe opozita për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Basha, instrumenti në dorë të Berishës, fitoi partinë. Sepse që ujdia të vazhdojë, Bashës i duhet një parti e dobët, që të mos vërë në dyshim lidershipin e tij. Pra Basha e vrau PD-në, me bekimin e Doktorit! Përveç kësaj, në listat e të përjashtuarve janë disa që mund të bëhen “koka turku” në luftën e Kryeministrit kundër korrupsionit në kuadër të reformës në drejtësi. Kush ka dosje në Prokurori? Bode, Tafaj, Imami. Duke mos i pasur më në grup parlamentar, Basha nuk ka detyrim politik për t’i mbrojtur (si me Spiro Kserën). Kurse me Jozefinën dhe Patozin ai largoi ata që mund të kishin ambicie për t’i marrë partinë. Basha në krye të një Partie Demokratike të dobët është interlokutori ideal për kryeministrin Rama. Ngjan ironike ta mendosh, por sot, kryetarin e PD-së, e vendos Kryeministri! Në këto kushte, Basha pret t’i vijë radha. Atij i duket se e njeh të ardhmen e vet dhe nuk ka nevojë të rrethohet sot nga bashkëpunëtorë të fortë për ta ndërtuar atë. Basha ka zënë radhën dhe shpreson te konstantja historike, pra dy mandate rresht, 8 vjet në total për PS-në, konsum nga pushteti dhe rotacion në fund.

Në këtë pikë Rama nuk përjashtohet të ketë luajtur me dy porta, sepse pas mandatit të dytë asgjë nuk e detyron t’ia dorëzojë pushtetin Bashës, përkundrazi, mund të tentojë një mandat të tretë për PS-në, por me asin nën mëngë, Erion Veliajn.

Pra, marrëveshja e 18 majit nuk është një marrëveshje xhentëllmenësh, por një kalkulim, si në një lojë shahu. Vetëm se ndryshimet kushtetuese marrin të mirëqenë që në Parlamentin e ardhshëm PS dhe PD do të kenë sëbashku 93 vota. Por 71 kush do t’i bëjë? Shumica qeverisëse është variabli i parë i panjohur, prej nga varen gjithë të tjerat.

Share: