Home KRYESORE Psikologja Tocila: Për gratë e sulmuara!

Psikologja Tocila: Për gratë e sulmuara!

Nga Jeta TOÇILA

-Sa e sigurt është një grua nëse sillet krejtësisht si grua në vendin tonë? A është e sigurt në punë, në mjedise publike apo në familje? Druaj se jo. Statistikat e dhunës në familje tregojnë se gratë vazhdojnë të rrihen e vriten në masë aty ku do duhej të ishin më të sigurtat, në familje. Ato rrihen për një fjalë goje, për një gjellë të pagatuar, për pluhura të pamarra, për një kafe të derdhur mbi sobë.

Ato vriten për një dalje në penxhere ose sokak, për një veshje të padenjë apo për një mendim kundër në bisedë. Gratë rrihen nga burrat, nga vëllezërit nga baballarët madje dhe nga vetë fëmijët e tyre. Mbi to vë dorë kushdo që i jep të drejtën vetes sipas pozitës që ka në trungun familjar e fisnor. Por nuk ngelet me kaq. Mbi gratë vënë dorë edhe ata që janë jashtë këtij rrethi. Janë ata që pasi kanë dhunuar e përçmuar nënat, gratë e motrat e vajzat e tyre, drejtohen mbi gratë e mëhallës apo gratë përtej gardheve të tyre. Ata janë në gjueti të vazhdueshme për të kënaqur nevojën e tyre përmes lëndimit të një gruaje.

Këta gjuetarë kanë dalë në masë këto ditë, si për fushatë elektorale. Ata shohin që gratë janë në lëvizje, janë në lista, janë në sheshe, janë rrugëve shtëpi më shtëpi. Këta gjuetarët, të zanatit ose jo, të paguar ose for free, guxojnë të gjuajnë për gra. Rasti i rrahjes se grave kandidate të një partie në Pukë, ishte tronditës. Në një kohë që flitet për barazi gjinore dhe luftohet për kuota të barabarta, gratë sulmohen e shenjestrohen. As kanuni nuk do e justifikonte një sjellje të tillë? Mos vallë duhet të marrin bodyguard-et e kryeministrit me vete për të trembur këta “burra trima”?

Por “burrat trima” krekosen me lirinë dhe fuqinë e dominimit fizik të një gruaje, dy grave apo shumë grave. Ata e dinë se në shoqërinë tonë për interesa të caktuara partiake apo gjinore, lidhje fisnore apo shoqërore, sjelljet antigrua, glorifikohen kafeneve si burrnore, dhe madje viktimat cilësohen si provokatoret që e kërkojnë hurin e drurin. I keni parë komentet në rrjete sociale?? “U bënë dhe këto bundrat …” Uh filania, ka qenë dashnorja e filanit…” Unë vetëm kaq mund të sjell si shembull për shkak të etikës, për të treguar se sidomos gratë e jetës publike vishen me epitete të ndyra. Dhe janë pikërisht ata që fshihen pas anonimatit që hedhin baltën, për të cilët jam e sigurt që të gjithë këta trima e kanë një nënë, një motër apo një grua. Por fakti që nëna, motra apo gruaja e tyre nuk janë persona publik, nuk i bën ato më shumë të dlira se të tjerat që dalin.

Ka të tjerë që nuk shajnë, por ankohen për gratë që sillen si burra. Për ato gra të politikës së të gjitha partive, të cilat shfaqen me trashje zëri, gjuhë të ashpër në studio televizive, që përdorin kërcënime, ngritje e çirrje zëri për të zotëruar panelin ose audiencën. Nuk është aspak e stilit femëror që njohim, por a ka leverdi një grua në vendin tonë të shfaqet me gjithë feminilitetin e saj sot? Është e sigurt që do pëlqehej, por jo aq sa të përfshihej në lista zgjedhore. Sepse shoqëria jonë kërkon burra, të hurit e të litarit, madje ka ikur koha e pushkës dhe e penës. Prandaj dhe gratë e sotme të jetës politike kryesisht, sforcohen të brendësojnë dhe të shfaqin sjellje mashkullore. Për vetëmbrojtje, për mbijetesë në tregun e hipokrizisë së pafund shqiptare

Share: