Home KRYESORE Putin: Nuk jam takuar asnjëherë me Trumpin

Putin: Nuk jam takuar asnjëherë me Trumpin

Presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë akuzat se Moska kishte informacione komprometuese mbi homologun e tij amerikan, presidentin Donald Trump dhe tha se ai nuk kurrë nuk ishte takuar me presidentin Trump. Zoti Putin i bëri këto komente në një intervistë me gazetaren e rrjetit NBC Megyn Kelly.

Intervista me presidentin rus Vladimir Putin ishte zhvilluar javën e kaluar. Disa pjesë të intervistës u transmetuan të dielën në mbrëmje.

Kur u pyet nëse ai kishte ndonjë informacion të dëmshëm në lidhje me Presidentin Trump, zoti Putin e quajti këtë “një tjetër absurditet” .

“Ku do ta merrnim këtë informacion? Përse duhet të kishim një marrëdhënie të veçantë me të? Nuk kishim asnjë lidhje me të. Në një kohë në të kaluarën ai vinte në Moskë, por ju e dini se unë kurrë nuk jam takuar me të. Ka shumë amerikanë që na vizitojnë, mendoj se tani kemi përfaqësues nga 100 kompani amerikane që kanë ardhur në Rusi. A mendoni se ne po mbledhim informacion kundër të gjithë këtyre njerëzve? Ju të gjithë e keni humbur logjikën?”

Presidenti rus përsëri mohoi ndërhyrjen e Kremlinit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, duke publikuar në mënyrë të paligjshme emailet e Partisë Demokratike.

“Hakerët mund të jenë kudo, në Rusi, në Azi, madje edhe në Amerikë, në Amerikën Latine. Madje mund të ketë hakerë edhe në Shtetet e Bashkuara, të cilët me shkathtësi dhe profesionalizëm kanë zhvendosur fajin siç themi ne tek Rusia. A është e pranueshme kjo? Në mes të një beteje politike bazuar në disa llogaritje, ishte e përshtatshme për ta që të publikonin këtë informacion, kështu që i publikuan dhe ia hodhën fajin Rusisë”.

Presidenti Putin tha se nuk ka kuptim që Rusia të ndërhyjë, sepse sipas tij pavarësisht se kush është president, rusët e dinë se çfarë mund të presin nga një udhëheqës i Shteteve të Bashkuara.

Ai gjithashtu mohoi çdo kontakt me gjeneralin në pension Michael Flynn, i cili në shkurt të këtij viti u shkarkua nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare.

Ekziston një fotografi, e përdorur shumë herë në media, në të cilën Flynn dhe Putin janë të ulur në tryezën e njëjtë në një banket në Moskë në vitin 2015, kur Flynn po këshillonte fushatën presidenciale të zotit Trump.

Zoti Putin mbajti një fjalim në darkë ku ishe i pranishëm edhe gjenerali Flynn. Ai i tha gazetares Kelly se kishte folur shumë pak me gjeneralin Flynn dhe se ai më vonë ishte njoftuar mbi atë se kush ishte gjenerali Flynn.

Presidenti Trump e pushoi zotin Flynn nga puna për mos raportim të takimeve që ai kishte patur me zyrtarë rusë. /360grade.al

Share: