Home HISTORIA IME TEUTA.

TEUTA.

0

Nga Agim Xhafka

Kur mbusha 10 vjeç para pallatit tonë në Korçë u ngrit një ndërtesë tjetër. Deri atëhere ishte një lëndinë e bukur,me bar të shkurtër dhe verës rrinin plakat e mëhallës me nipërit e mbesat e një pjesë ishte fusha jonë e futbollit. Vendosnim dy gurë si porta e hareje hare,gëzim e britma pa fund. Ende më oshëtijnë thirrjet gooollll,ende më sjellin flutura në stomak e në lukth.

Edhe pasi u ngrit godina përballë sërish fusha nuk na u zvogëlua shumë se u la hapesirë e madhe. Veç të moshuarat delnin,por nuk rrinin në lëndinë,por në ca stolka të vegjël. Por nuk u qanë fare,bënin tifo për ndeshjet tona.

Mbaj mend se fiks perballë dritares së kuzhinës sonë në pallatin perballë,pas ca muajsh që ajo u popullua,delte e nderte rrobat një gocë shumë e bukur. Me sy bajame,me vetull të dukshme që larg,ezmere dhe përherë këndonte. Siç ndodh vetëm në Korçë brenda disa oresh u mësua se ajo sapo ishte martuar me Gaqon,mekanik në park,nuk punonte,ishte nga qyteti,por na qenkej jevgë. Sot quhen romë,por atëhere kjo fjalë nuk njihej.

E bukur peri.e qeshur si vetë gëzimi. Pa dashje vinin sytë andej e Teuta,se kështu quhej,vraponte nga dhoma në kuzhinë,nga aneksi në banjë. Dritaret përherë hapur në ditët e ngrohta dhe dukej lëvizja e saj se të gjitha binin nga ne,pallati përballë.

Nuk e di për gocat,por ne çunat filluam të thurrnim ca histori për të. Sikur Gaqo e rrëmbeu se prindërit e Teutës, nuk ia jepnin. Na dukej absurde se Gaqo ishte punëtor,i pafjalë dhe shpesh ,sa herë vinte nga puna e përqafonte gruan,i përkëdhelte flokët e të dy veç qeshnin. Nuk e di pse,por qeshnin shumë.

Ca thoshin se prindërit e Gaqos nuk e donin Teutën nga që ishte jevgë. Ndaj ai iku dhe mori këtë hyrje.

Kur përmendej fjala jevgë për Teutën,Calja,shoku im i klasës thoshte:

-Të kem dhe unë një nuse jevgë!

Mbase kështu mendonim të gjithë,por vetëm ai e thoshte me zë.
Kaluan vite dhe Teuta zbukurohej. U rritëm ne kalamajtë e pallatit,shkuam në gjimnaz e ajo këndonte,lante rroba,i nderte t’i thaheshin e çudi se kaq vite asnjë fëmijë nuk pati.Tani e shihnim edhe si personazh të ëndërrave tona. Na u fut në erotizmin e moshës dhe Teutën me siguri e shijonim mbase të gjithë brenda një nate. Na u bë si personazh filmash,si Sofia Loren apo Ana Manjani që shihnim në kinema. Kaq e bukur e kaq e dashur na dukej.

Shkova në universitet e u ndesha me plot vajza e plot ëndërra. Por pse çdo gocë të bukur e krahasoja me Teutën. A i ka sytë si ajo,po dhëmbët aq të bardhë,po lëkurën aq të qashtër…? Kështu më gjeti vera e parë në Korcë për pushime. Që në mëngjes sa u zgjova drejt tek dritarja. E pamja perpara më gëzoi. Teuta duke lyer dhomën e gjumit. Me një kapele prej gazete në kokë,me një shkop lidhur një furcë në majë e këndonte. Kur po kundroja këtë gravurë lumturie hyn babai.

-Si gjithnjë këndon ajo.- më tha.
-Po pse nuk e pamë njëherë në rrugë? Asnjëherë,pse?-e pyeta.
-Gaqo e ka dashur që kur ajo ishte në tetëvjeçare. E parritur. I kishin shtëpitë pranë. Ai e mbronte nga babai i saj që e rrihte sapo dehej nga alkooli.-nisi të më tregojë babai.- Teuta shihte tek ai kalanë që e mbronte. Kaluan vite dhe u deshën aq shumë sa u grind Gaqo edhe me atin e Teutës se e quajti grabitës të një zemre të vogël,edhe nga prindërit e vet që nuk pranonin një jevgë për nuse.

Atëhere Gaqo mori këtë shtëpi e u mbyllën brenda. Se jashtë si çift do përfliten e do përgojohen. Kur edhe farëëfisi nuk u shkel në shtëpi gjetën zgjidhje të ndërtojnë lumturinë brenda mureve. Korridorin e kanë bulevard,atje bëjnë shëtitje, dritaren e kanë kinema,shohin çfarë bëhet e cfarë ndodh,lulet,ti e di që kanë shumë,është Parku Rinia e tyre. Pra mbyllen brenda se nuk e çajnë dot mentalitetin,por edhe nuk duan të luftojnë. Se jeta është e shkurtër,nuk ia vlen. Po sikur të humbasin?!

-Po pse nuk bëjnë fëmijë?
-Se babai i Teutës është fajtori,e ka rrahur kaq shumë një ditë sa ka pasur dëmtime te pakthyeshme. E dinte Gaqo me kohë dhe qysh atëhere e quajti gjë pa rëndësi në dashurinë e tyre.

Kaq më tha babai e Teuta m’u hyjnizua. M’u bë më e bukur,më njerëzore,si një zanë nga ato të librave.

E kujtoj shpesh Teutën. Kur shkoj në Korcë nuk hedh më sytë nga dritarja e saj. Se nuk dua të mësoj se Gaqo mbase nuk rron,apo se ajo është sëmurë apo veshur me të zeza. Dua që ajo zeshkane të rrijë mbi syrin tim si një gaz i madh,si një burim rrezatimi mirësie,si një orbitë dashurie. Dua Teutën që kam parë përballë e që u rrit me mua,gruan e dashur të Gaqos dhe zonjën e mbyllur mes katër mureve të pallatit përbri. Ajo nuk u internua larg,por u burgos nga mendësia e mbrapshtë e njerëzve,nga racizmi i shfaqur hapur. Teuta,rrofsh,se më mësove që dashuria është e para në jetë,kryesorja.Të tjerat vijnë varg,më pas.Ende të kam në sy bukurane,ndonjëherë,nuk gënjej,më vjen edhe në ëndërra…

Share:
Reklama juaj