Home KRYESORE Arben Duka: Për mjekët e QSUT që më shpëtuan jetën

Arben Duka: Për mjekët e QSUT që më shpëtuan jetën

E quaj një detyrim t’ju shpjegoj miqve dhe dashamirësve të shumtë një problem të rëndë shëndetësor, që sapo kam lënë pas. Pata një krizë të fortë tensioni, që u shoqërua gati nga një gjendje kome për rreth dhjetë orë. Nipi im i dashur, Artioni dhe bashkëshortja ime e bekuar Pranvera më çuan pa hezitim në urgjencën e Qendrës Universitare Shëndetësore “Nënë Tereza”.

Për dreq qëlloi ditë pushimi, po kjo gjë nuk ndihej në urgjencë, ku unë shkova pa ndjenja. Di që në kohë rekord m’u gjet diagnoza dhe më filluan një mjekim intensiv në mjediset e urgjencës. Në gjendjen që isha unë nuk munda të fiksoj asnjë emër dhe asnjë fytyrë, por ishte ai ekip i shkëlqyer mjekësor që më nxori nga thonjtë e sigurt të vdekjes.

Mbasi ndenja disa orë në urgjencë (nga të cilat s’mbaj mend asgjë) më çuan një kat më lart, në reanimacionin qendror, ku vijoi trajtimi intensiv. Reaminacioni qendror kishte një ekip të shkëlqyer djem e vajzash të reja, të udhëhequr nga Profesor Doktor Ilir Ohri.

Nuk mund të them se kishte kushte ideale, por mund të them se kishte kushte të shkëlqyera, përkushtim maksimal të ekipit mjekësor. Terapia e tyre intensive dhe e studiuar më ngriti në këmbë për 24 orë. Dhe kjo gjë u bë pavarësisht emrit tim, mbasi orët e fillimit isha një person gati i panjohur si gjithë të shtruarit e tjerë. Aty nuk mungonte asgjë, po mbi të gjitha pavijoni sundohej nga dashuria dhe pasioni i pabesueshëm i ekipit mjekësor.

Edhe pas disa vizitave që më bëri në pavijon Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës “Nënë Tereza”, zotit Enkelejd Joti, asgjë nuk ndryshoi në trajtimin tim, mbasi kisha marrë shërbimin maksimal qysh në fillim. Do ishte në nderin tim t’i përmendja me emër e mbiemër të gjithë ata që më shërbyen pa asnjë interes, por fatkeqësisht me përjashtim të Petrit Mënkshit nga Zagoria nuk fiksova dot asnjë emër tjetër.

Kam qenë dhe në spitale me famë botërore, por askund nuk kam marrë një shërbim të tillë dhe krejtësisht-krejtësisht FALAS. Njerëzit duhet t’i provojnë një herë vetë spitalet tona shtetërore dhe pastaj të shkruajnë e të flasin, por jo për të gjetur gjilpërën në kashtë.

Mund të them pa asnjë teprim se mjekësia jonë shtetërore është bashkëkohore dhe ja kalon asaj privates nga cilësia e shërbimit dhe pasioni i parrëfyer i ekipeve mjekësore. Nuk jam në gjendje të shkruaj më shumë se kaq dhe pse rasti e do.

Po s’më mbetet gjë tjetër t’ju them njëmijë herë Faleminderit ekipit të urgjencës dhe reanimacionit, që më shpëtuan jetën. Faleminderit Profesorit Ilir Ohri, Faleminderit Profesor Ziniut, Faleminderit Enkelejd Jotit.

Faleminderit të gjithëve dhe mirënjohje pa fund. Krenar që njoha këta njerëz të jashtëzakonshëm të armatës sonë të shëndetit. Respekte pa fund!/dita.al

Arben Duka

Share: