Home KRYESORE “Balena Blu”, 15-vjeçarja nga Korça gati të hidhet nga pallati

“Balena Blu”, 15-vjeçarja nga Korça gati të hidhet nga pallati

Balena Blu kthehet sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë pre e saj ka rënë një vajzë moshës 15-vjeçare nga qyteti i Korçës. Ajo është ngjitur në katin e fundit të një pallati dhe ka qenë duke u hedhur, në momentin që ka ndërhyrë policia e qytetit dhe ka parandaluar ngjarjen e rëndë.

Vajza është kontaktuar nga persona të panjohur përmes rrjetit social Facebook. Ata i kanë kërkuar të miturës të bëjë veprime të ndryshme në dëm të vetes së saj. Dyshohet se vajza ishte në nivelin e 30-të dhe të fundit të kësaj loje.

Njoftimi i policisë

Më datë 29.06.2017, në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ardhur disa informacione në rrugë operative, se një shtetase 15-vjeçare, banuese në Qarkun e Korçës, duke qenë përdoruese e rrjetit social “Facebook”, mund të kishte marrë disa udhëzime nga një adresë ende e paidentifikuar me përdorues “Balena Blu”.

Duke luajtur dhe duke arritur në nivelin e tridhjetë të kësaj loje, dyshohej se e mitura mund të kalonte deri në vetëvrasje.

Si rezultat i bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të veprimeve, midis strukturës të lartpërmendur dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi i kësaj shtetaseje, si edhe ndërprerja e veprimeve të mëtejshme që mund ta kishin çuar këtë të fundit, deri në vetëvrasje.

Sqarojmë se shtetasja e mitur ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore nën kujdesin dhe kontrollin e prindërve të saj, duke u asistuar edhe nga një psikologe.

Nga ana e Policisë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Të dhëna të tjera, nuk mund të jepen pasi rasti i mësipërm është nën hetim. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale : “Shkaktimi i vetëvrasjes, mbetur në tentative”, parashikuar nga nenet 99 e 22 të Kodit Penal.

Share: