Home KRYESORE Çmendur nga liria dhe dashuria…- poetika e Rita Petros

Çmendur nga liria dhe dashuria…- poetika e Rita Petros

Nga Zija Vukaj

Të shkruarit mund të jetë produkti i një shtyse të brendshme për të mbushur boshllëqet e ekzistencës, siç po e shohim të ndodhë shpesh, por mund të jetë edhe një akt kulturor më serioz dhe një imperativ që i kalon caqet e egove personale. Kur është kështu, krijohen tekste të vërteta e të njëmendëta, leximi i të cilave lë gjurmë dhe i krijon lexuesit efektin e një evolucioni të vogël. Ai (lexuesi) provokohet të mendojë ndryshe qoftë edhe për çështje të mbyllura dhe konvencione në dukje të panegociueshme, që janë kristalizuar nga edukime të gjata dhe entitete kulturore tradicionale, në dukje të patundshme dhe të përjetshme. Dhe ajo që e shkund dhe e vë në lëvizje lexuesin mund të jetë një ese, një tregim, një tekst i gjatë apo i shkurtër në prozë, por edhe një poezi apo një vëllim poetik. Këto mendime më erdhën pas leximit të vëllimit poetik “Vrima”, të Rita Petros. Dhe jam plotësisht i bindur se tani që po i hedh në letër këto fjalë, pra që sapo shkrova fjalën e “tmerrshme” Vrima, kam hyrë edhe unë si lexues i kualifikuar dhe shpesh mendimdhënës në portën e një mëkati apo të një sakrilegji, që pa e pasë lexuar librin e kam menduar edhe vetë si të tillë. Por tani mendoj të tjera gjëra dhe vras mendjen edhe njëherë për të kuptuar dhe riformuluar për vete nga fillimi nocionin e poetit dhe të lirisë. Tradita na ka mësuar herët që t’i krahasojmë poetët me Orfeun, i cili zotëronte dhunti të mbinatyrshme. Pushteti i Orfeut që magjepsi perënditë e botës tjetër, nuk është tjetër veçse simboli i kapërcimit të kufijve të së pamundshmes. Zbritja e Orfeut në Ferr, në kërkim të Euridikës, është aventura krijuese e poetit në kërkim të thellësive të ligjërimit poetik.

Kjo simbolikë dhe njëherazi kredo estetike ka ardhur duke evoluar përgjatë historisë së kulturës njerëzore dhe me kalimin e kohës poetët u vetëdijësuan se arti i tyre më shumë se hyjnor ishte edhe gjuhësor dhe kjo arrin limitin me Malarmenë dhe me përfaqësues të tjerë të simbolizmit. Nga ana tjetër, duke menduar se akti i krijimit artistik dhe veçanërisht poezia, ajo e vërteta, është një nga çastet më problematike që individi ka në raportin e vet me lirinë, po mendoja pas leximit të vëllimit “Vrima” se njeriu, për të qenë i lirë, së pari u dashka çliruar nga vetvetja. Dhe lufta për çlirimin nga vetvetja është më e vjetra dhe më e vështira, sepse është akti i çlirimit nga burgu më i padukshëm, më i panjohur dhe më i pakuptueshëm. E bëra këtë parantezë për të shpjeguar ndjesinë që më ka shoqëruar pas leximit të këtij teksti. Ky inkursion artistik, kjo dihatje në galopin poetik prej amoku i ngjan vrapimit të një heroi të çmendur nga liria. Heroi lirik është njeriu që noton i lirë në oqeanin e jetës së tij. I lirë nga çfarë? Së pari, i lirë nga rrobat e veta, qofshin ato edhe rrobat e banjos; fare të lehta dhe që mbulojnë vetëm një pjesë krejt të vogël të trupit të tij, që poetikisht është jo thjesht trupi, por qenia e tij dhe rrobat këtu janë vetëm metonimike. Janë këmisha force ontologjike, që njeriu i ka veshur fill pas “felix culpa-s”, në trajtën e gjethes së fikut, i mban me kujdes, torturohet nën ngushtësinë e tyre dhe arrin deri edhe t’i simpatizojë e u ka krijuar edhe himne e ditirambe. Madje i ka bërë determinuese në përcaktimin e formave më të qenësishme të ekzistencës sociale të tij.Por ç’është liria? Ç’është qenia njerëzore? Ç’është poeti? Ç’është morali? Këto pyetje kaq fondamentale i provokon libri poetik “Vrima” çdo lexuesi të ndjeshëm e të kujdesshëm. “Vrima” është stacioni fillestar i rrugëtimit të njeriut në jetën e tij të përkohshme, është shkëputja e qenies njerëzore nga prehëri i krijuesit, është emocioni, ndjenja, shpjegimi i lindjes së jetës, është dualizmi. Poemat e këtij vëllimi të sjellin ndër mend paraqitjen e lashtë kineze të sistemit kozmik dualistik. Yin simbolizon femëroren, Veriun, të ftohtin, hijen, tokën, pasivitetin, lagështirën, ndërsa yang paraqet mashkulloren, qiellin, Jugun, dritën, aktivitetin, thatësirën dhe perandorin. Edhe pse në kulturën e lashtë të Kinës mund të vërehet një mbizotërim mashkullor në jetën e përditshme, gjuhësisht renditja yang- yin nuk shfaqet kurrë siç do të pritej. Një epërsi e tillë rrjedh kryesisht nga bashkimet negative në elementin yin. Por në teori që të dy elementët konsideroheshin të një rangu të barabartë. Paraqitja e tyre simboliko- figurative bazohet mbi rrethin, imazhi i njeriut të origjinës (t’ai- chi), prej të cilit, vetëm në vazhdim ka lindur polariteti yin- yang, një koncept filozofik i rimarrë në ChuHis (1130- 1200). Ndarja në dy pole është bërë përmes një dyzimi në S të sipërfaqes rrethore, ku pjesa e errët është shënuar yin, ndërsa ajo e çelura yang. Vetëm nga ky polarizim lindin pesë elementët dhe nga bashkëveprimi i tyre rrjedh shumëzimi i botës (“dhjetë mijë gjërat” ).

Kjo zgjatje më duket e nevojshme për t’i dhënë vendin e merituar një krijimi poetik, që më shumë se sa një kuturisje artistike, është një akt inteligjent dhe intelektual, që si çdo risi, është e dënuar të keqkuptohet, siç ka ndodhur edhe me “poetin e mallkuar” Rembo dhe me “anijen e tij të dehur”. Dhe këtu na vjen në ndihmë edhe titulli i poemës në prozë “Enivrez- vous” (“Dehuni”. Bodleri bën thirrje të hapur për të qenë“përherë të dehur”. Vetëm kështu mund të mos ndjejmë peshën e tmerrshme të Kohës që na thyen supet dhe na përkul drejt tokës. Nuk ka shumë rëndësi lloji i dehjes. Secili mund të zgjedhë sipas dëshirës: “verë, poezi apo virtyt.”
Tallaz poetik

Vëllimi “Vrima” është koheziv në pikëpamjen e filozofisë dualiste që e përshkon dhe ky dualizëm i transmetohet lexuesit qysh te vendimi për ta pranuar apo për ta flakur tutje. E para gjë që kam ndjerë, që para se ta hapja për t’i hedhur një sy, ka qenë neveria dhe dëshira për ta flakur. Kjo më ka ndodhur mua, sepse jam një individ që jetoj në një kohë të caktuar, i brumosur me lejimet dhe ndalesat e transmetuara nga brezat paraardhës në formën e një gjendjeje të palëvizshme dhe të pandryshueshme. Dhe ky, morali, që është natyrisht një kategori shoqërore me karakter historik, sigurisht që në çdo kohë të historisë së njeriut duhet të ketë qenë zgjidhja më adekuate, e imponuar nga faktorë jetikë të shoqërisë. Sepse gjethja e fikut ka bërë një evolucion gjigant. Fitoi kuptime dhe vlera fizike e metafizike. Prodhoi ngrohtësi dhe simbolikë. U bë identitet historik, gjeografik, etik, moral, fetar, ligjor. U bë semiotikë. Gjuhë inverbale komunikimi. U mori energjitë mendore sa e sa njerëzve të zgjuar të globit ndër shekuj. Përmes veshjes dhe programimit të efekteve të saj njeriu shprehu dhe vazhdon të shprehë egon e vet, potencën, dhunën, rangun, vuajtjen etj. Evolucioni i gjethes së fikut vazhdon të krijojë çudira. Sot po shihja ca të rinj dhe po meditoja: paskan qenë dashur 2017 vjet pas Krishtit për ta kuptuar se këmbët e pantallonave janë gjë e tepërt. Ato mund të jenë të shqyera edhe në mes të dimrit dhe nuk i prishin punë askujt. Pra paskan qenë thjesht mjet zbukurimi. Një aksesor i panevojshëm.

Por ta lëmë tretësirën meditative ku desha të shkrija lëngun e jetës që vjen nga libri “Vrima” dhe t’u drejtohemi faqeve të tij, ku ndodhen ato sakrilegje, ato mëkate apo urtësi të poetes Rita Petro. Pasi kapërceva çastin e parë dhe i rezistova tundimit për ta flakur me neveri, hyra po me një ndjenjë krupe, por tashmë me një krupë biologu që ka siklet gjarprin, por i duhet ta njohë e studiojë dhe hap pas hapi nisa të mësohem me realitetin artistik të librit dhe zura të kuptoj se ishte vendi për të medituar edhe një herë për kategorinë estetike të së bukurës. Estetët thonë se e bukura është kategori (estetike).

Unë mendoj se nuk ka kategori tjetër estetike përveç saj. Flitet për të shëmtuarën. Në fakt ajo është e bukura në dimensionin e absurdit (për ne). Në atë dimension ku syri ynë është i pastërvitur. Ku mendja jonë gjendet e topitur dhe e ngathët. E shëmtuara nuk ekziston. Ose ekzistenca e saj kushtëzohet nga krahasimi që ne i bëjmë me të bukurën sipas nesh. Është pak të themi që e bukura është kategori. E bukura është paradigma e perceptimit tonë shqisor. Paradigmën më pëlqen ta përkthej me fjalën kryerregull. E bukura është një nga kryerregullat e ontologjisë. E shëmtuara sipas nesh, është e bukura e frikshme, ajo që i thyen rregullat e perceptimit tonë, ajo që është ana e panjohur për ne e paradigmës së bukurisë.

Ajo që ne akoma nuk e kemi vënë në shinat e një kryerregulle; nuk e kemi paradigmatizuar. Nga pasqyrimi artistik i saj janë krijuar kryevepra. Mjafton të kujtojmë pjesën më të bukur të “Komedisë hyjnore”- “Ferrin”; poezinë më të bukur të Migjenit- “Poema e mjerimit”; “pikturat e famshme të VanGogut e të Edvard Munch, respektivisht “Ngrënësit e patateve” dhe “Britma”; “Traviatën” e Verdit dhe “Laokoontin” e Adriaen de Vries etj., për të kuptuar forcën e shikimit të artistëve të vërtetë dhe filozofinë intuitive të individëve që nuk mund t’u nënshtrohen paradigmave. Mirë po kush e ka ngjizur në fillim të bukurën? Njeriu? Feja? Morali? Etika? Estetika? Pse biologjia e njeriut pjesërisht quhet e shëmtuar? Pse akti i krijimit të njeriut qenka realizuar nga gjëra të shëmtuara, të turpshme? Dhe pse njeriu bëri tabu mekanizma të tëra të riprodhimit të vet? Dhe në fakt, janë vërtet të shëmtuara, të turpshme, të neveritshme pjesët e njeriut? Gjithçka mbetet në nivelin e dilemës, të dualitetit, të diskutimit. Dhe kjo dikotomi është edhe tipar i krijimit artistik. Por arti në përgjithësi dhe sidomos poezia ka parametrat, tiparet dhe ligjet e veta për t’u quajtur e tillë.

Ky libër ka poezi të vërteta, ka figuracion të mrekullueshëm dhe një gjuhë të freskët e tepër të ngrohtë e emocionuese. Kur lexuesi është shpëlarë nga komplekset fillestare, që janë më se të natyrshme, vë re dhe lexon dorën e një poeti të vërtetë që di të krijojë imazhe dhe të transmetojë emocione dhe ide. Të japë drithërimat dhe klithjet e shpirtit të njeriut në kronotopin dhe në magjinë e krijimit dhe të ekzistencës. Nervi artistik vibron përmes një verbi të shkathët, që pasqyron ritmikën e ecjes së njeriut që nga mëkati i parë e deri në fund. Në gjetjen e saj artistike autorja ka vendosur arketipin erotik, si një arenë ngazëllimi, çlirimi, natyrshmërie, kënaqësie, gëzimi, trishtimi, riprodhimi të jetës dhe një nga kuptimet më të rëndësishme të ekzistencës së qenies njerëzore. Por krah kësaj arene autorja ka vendosur edhe hipokrizinë, ndrojtjen, shtirjen, si gjëra që i ka shpikur njeriu për të mbuluar shkëlqimin hyjnor të vetive të tij të qenies. Përmes një procedimi psikologjik, filozofik dhe kozmogonik autorja ka dhënë këto emocione dhe vargje të shkëlqyera; “Hajde i dashur/ Çoma shpirtin atje lart/ Në barkun e qiellit/ Ku Ati ynë ka derdhur spermën e tij/ Për të lindur bijtë- yje/ Planetët bija/ E shikon ku ka ngrirë lëngu i bardhë/ Dhe ka krijuar Rrugën e Qumështit?/ Atje dua të jem/ Botën tonë të vockël/ Rrumbullake e budallaqe ta shoh nga lart/ Unë dhe ti jemi bij të Zotit/ na lejohet të bëjmë çdo gjë….” Pra vargjet e mësipërme janë vegime poetike që shpien në meditime për vogëlsinë dhe madhështinë e qenies njerëzore. Janë himni i vendit të qenies njerëzore në univers dhe i vullnetit hyjnor të krijimit. Dhe pastaj transmodelimi i dilemës së famshme hamletiane në formën : “Të dashurosh apo jo?/ Kjo është çështja/ Të durosh ditët që zvarriten në këmbët e tua/ Apo të kapësh yllin që bie fluturimthi?/ E di më i sigurt je shumëkëmbësh mbi tokë/ I lumtur je tek hap krahët e fluturon/ ndonëse një vrimë e zezë ka hapur krahët aty poshtë…”, shpreh edhe karakterin epikurian dhe frymën hedoniste të veprës. Kjo frymë haset në çdo qelizë të vëllimit dhe është një alternativë mendimi, leximi dhe stili jete për njeriun modern e postmodern, që pretendon të flakë klishetë dhe modelet standarde, si sindroma kolektive që e kanë ndjekur dhe e ndjekin njeriun në të gjitha kohët.

Në kundrimin e njeriut autorja nuk nguron të përçmojë modelet e dështakëve që janë viktima të konvencioneve dhe të pushteteve të rrejshme të moraliteteve false: “I frustuar nga babai/ I qullashur nga nëna/ I tredhur nga gruaja/ I tallur nga dashnorja/ I poshtëruar nga bosi/ I harruar nga zoti…” Më shumë se përçmim këtu kemi një klithmë gati niçeane. Klithmën e idealit të munguar dhe fatin e neveritshëm të një qenieje tipike urbane. Shpeshherë nëpër rreshtat e poezive të Petros takojmë imazhe me efektet e madhështores: “Një penel gjigant/ Shton bojën e zezë në horizont/ E nxin gjithçka…? Shikimi venitet dalëngadalë…”.

Këto imazhe kufizojnë me efektet e artit pamor dhe krijojnë gjendje të thella shpirtërore. Heroi lirik, i ngulitur dhe i pozicionuar brenda shpirtit të autorit, është në një lëvizje të përhershme, të vrullshme e në kërkimin ngulmues të përjetimit të çdo çasti. Dhe në këtë ngarendje syrit të tij duket sikur nuk i shpëton thuajse asgjë nga magjia dhe bukuria e kudondodhur e jetës: “Ja ku janë/ Paska burime me ujë të kulluar/ Zogj që këndojnë në kor? Ylbere që kryqëzohen me njëri- tjetrin/ Lëndina mbushur bar e lule/ Oh ja ku qenka parajsa tokësore. Pse më gënjyen me parajsën qiellore?/ Ja ku qenka? Përtej atij gardhi me tela/ me tela me gjemba/ ZONË E NDALUAR/ ZONË E DASHURISË.”

Natyrisht që këtu nuk ka ndonjë operim abstrakt dhe asociacioni i erosit është thuajse i drejtpërdrejtë, si porta e parajsës tokësore dhe himni i seksit shpaloset me forcë e mjeshtëri përmes kësaj gjuhe të bukur metonimike dhe paralelizmave të hijshëm figurativë. Ka pastaj poezi të tilla si: “Ne kemi detyrën e vështirë të duhemi”, ku luhet me bipolaritetin e dashurisë dhe të erosit si dënim dhe lumturi. Kjo lloj poezie është edhe një apoteozë e fuqishme, ku autorja ka shpalosur madhështinë, fisnikërinë dhe fuqinë e erosit, tashmë të konvertuar tërësisht në dashuri dhe humanizëm.

Përgjithësisht, ky tallaz poetik që titullohet “Vrima”, duket si një kundrim i botës nga njeriu i parë; nga njeriu që nuk i është nënshtruar asnjë përvoje të asaj çfarë kanë krijuar brezat e mëparshëm,sepse ky individ nuk ka paraardhës. Ky individ ka me vete vetëm habinë filozofike dhe parimin e kënaqësisë. Ky individ është Evë, është Adam; shoqëria njerëzore nuk i ka mësuar asgjë nga kodet e moralit dhe të etikës dhe robinsonada e tij është refraktare ndaj çdo ndjeshmërie morale, etike, kodi familjar, kodi gjenetik dhe nënshtrese sociale të mëparshme. Ky është një “i huaj”, një tip që letërsia botërore ka më se një shekull që e ka shfaqur, por akoma nuk ka marrë pasaportën e qytetarit të botës.

Share: