Home KRYESORE Dështimi i Reformës administrative dhe Konçensionet e të ardhurave

Dështimi i Reformës administrative dhe Konçensionet e të ardhurave

0

Nga Dr. Sorina Koti*

Reforma territoriale u hartua dhe u miratua nga forcat politike të majta, me forcën e kartonave, pa u konsultuar dhe marrë parasysh kritikat, sugjerimet apo rekomandimet e ekspertëve të fushës apo opozitës shqiptare.

Një reformë, që do përmirësonte administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve; një reformë, që do përmirësonte shërbimet e ofruara ndaj qytetarëve dhe do të ulte koston e funksionimit të administratave të njësive vendore; një reformë, që do të kursente para nga buxheti i shtetit. Sot, pas 2 vitesh miratimi dhe aplikimi të reformës territoriale, mund të mbajmë qëndrime. Më shumë se reformë territoriale për t’i shërbyer njerëzve më mirë, ajo ka qenë reformë elektorale në territor për t’i shërbyer partisë në pushtet, që të rriste në maksimum numrin e deputetëve në Parlament. Siç mund ta shohim tani pas zgjedhjeve, reforma elektorale ne territor pati sukses, por reforma territoriale në shërbim të njerëzve dështoi …

Reforma dështoi në qëllimin e saj për të ulur shpenzimet administrative dhe kostot operacionale. Reforma dështoi në qëllimin për t’i kursyer para arkës së shtetit. Reforma dështoi në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe cilësisë së shërbimeve. Bashkitë e reja të mëdha, të cilat përfshijnë njësitë administrative (ish-komunat) nuk arrijnë të ofrojnë në gjithë territorin e tyre, shërbime me cilësi të njëjtë, ose të përafërt me qendrat e qyteteve (ndriçim, pastrim, gjelbërim), pasi në periferitë e tyre problemet janë ende të shumta dhe të lëna pas dore.

Reforma dështoi në qëllimin për uljen e shpenzimeve dhe uljen e numrit të punonjësve. Bashkitë e reja kanë punësuar më shumë njerëz, me pretekstin për të përballuar rritjen e nivelit të punës nga shtimi i njësive administrative. Tani, çdo bashki e re e madhe ka rreth 20-25% më shumë të punësuar.

Bilancet e bashkive na tregojnë se rreth 80% e të ardhurave bashkiake shkojnë për të mbuluar shpenzimet korrente dhe pagat e administratës. Investimet publike kapitale kapin vlera qesharake rreth 12-16% të të ardhurave, ku çdo investim kapital kryhet nga Fondi i Zhvillimi të Rajoneve. Ky fond përdoret vetëm për projekte nga Bashki “mike” të Qeverisë dhe “shpërdorohet”, duke investuar në vepra fasadë, në investime, që nuk nxitin punësimin, tregtinë dhe zhvillimin rajonal. Ky fond shpërdorohet, duke mos u shpërndarë në formë të njëtrajtshme në të gjitha njësitë vendore.

Mos-realizimi i të ardhurave nga njësitë administrative është problem i trashëguar dhe po thellohet nga viti në vit. Menaxhimi jo-efiçent i të ardhurave ka shkaktuar mos-mbledhjen e detyrimeve, çka ka sjellë më pak të ardhura në buxhetin e bashkive.

Në këto kushte, Qeveria po u ndez dritën jeshile Bashkive, që të japin me konçension mbledhjen e të ardhurave bashkiake. A mund të jetë zgjidhje konçensioni? Ky konçesion është sukses apo dështim i reformës territoriale? A duhet ta pranojë Qeveria se Reforma territoriale dështoi? Dështoi nga mos-efiçenca e administratës bashkiake, keq-menaxhimi i burimeve apo nga neglizhimi, që në fillimet e hartimit të reformës?

Dhënia me konçension ka edhe një efekt negativ tjetër për buxhetet e bashkiake, pasi kompanitë konçensionare do të mbajnë një tarifë fikse dhe një përqindje në bazë të shumës, që ato do të mbledhin. Kjo tarifë dhe kjo përqindje do të zbritet nga të ardhurat e bashkive. Por, nëse kompanitë konçensionarë dështojnë në mbledhjen e të ardhurave, kush mban përgjegjësi për këtë? Kush do mbajë përgjegjësi për arkën bosh të bashkive dhe mos dhënien e shërbimeve? Përsëri fajin do e ketë qytetari… Paaftësinë e administratës bashkiake për të mbledhur të ardhurat, do e paguajnë përsëri taksapaguesit. Nëse kjo miratohet, atëherë me shumë shanse, Paketa fiskale për vitin 2018 do të ketë rritje të taksave ose tarifave bashkiake, për të mbuluar kostot shtesë, që vijnë nga mos-realizimi i të ardhurave.

Meqënëse bashkive u duhen më shumë burime njerëzore dhe mbështetje nga jashtë për të realizuar detyrimet dhe objektivat për të cilat janë krijuar, atëherë më bindje të plotë mund të themi se Reforma territoriale dështoi. Haptazi dhe qartë, keq-menaxhimet dhe fryrjet e administratës me militantë partie, do na sjellin rritjen e detyrimeve bashkiake të cilat do paguhen me taksa të reja, si edhe me rritjen e taksave që kemi aktualisht. Kjo do të sjellë nevojën urgjentë të rishikimit të Reformës territoriale, efiçencën e administratave publike dhe anullimin e konçensioneve, si një mënyrë për të vënë rend e rregull në vet-shkatërrimin financiar, që po bëjnë njësitë vendore.

*Anëtare e Këshillit Bashkiak, Partia Demokratike

Share:
Reklama juaj