Home KRYESORE “DOKTORI”!!! Nga Armir SHKURTI

“DOKTORI”!!! Nga Armir SHKURTI

Dita që kalon, sa më keq kalbëzohet situata në PD, aq më shumë po i rriten kostot Sali Berishës. Legjenda “Saliu” e shoqëroi në fakt Partinë Demokratike këta 4 vjet si “xhindi që ka pushtuar Bashën”. Se kush e hapi e kush e ushqeu, zyrtarist s’dihet. Por “s’ka ça bën Luli o burr’ se s’e le doktori” mbetet sllogani i këtij katërvjeçari.

Gjatë “çadrës” e këtej, sa herë ka patur ndonjë hap për të hedhur, Pi Ari i Bashës ka shpërndarë lajmin se “Basha ka shkuar për një takim kokë më kokë në zyrën e Berishës”

Sot jemi në një krizë të mirëfilltë brenda kësaj force politike. Krizë e gjithanshme, por më e rënda është kriza e besimit. Në këtë situatë të gjithë, brenda e jashtë PD-së, kanë kthyer kokën nga doktori. Dhe jo vetëm kokën.

Doli Topalli me Ben Imamin? – “Lëvizje e doktorit!” – siguronin “ekspertët”. Pastaj dolën dy grupe që kërkuan dorëheqjen e Bashës. “Doktori”! – sërish. Por Basha nuk u dorëhoq. “Po ku e le doktori të tërhiqet atë o burr’”! “Po mirë, po kur doktori do Bashën të rrijë kryetar, pse i paskësh nxjerrë këta të tjerët kundër tij”? – pyet ti i hutuar. “Ehuuu! Lojrat e doktorit, kush i merr vesh”?

Pra në çdo ekuacion folkpolitika shqiptare nxjerr Doktorin si faktorin bazë. Pa atë asgjë nuk zbërthehet dot. Por këto dy javë doktori ka zgjedhur të heshtë për situatën në partinë e tij. Kjo e ndërlikon më shumë situatën, pasi folku e vesh me gjithë misteret dhe konspiracione t e mundshme këtë heshtje.

Qymyri po s’të dogji – të nxin, thotë populli. Pèr Berishën, si rrallëherë, sot kjo shprehje vlen. Ç’ nuk kanë thënë për të në 27 vjet, por “shëndet i është bërë”. Ndërsa tek partia puna ndryshon. PD është identiteti, trashëgimia, historia e Sali Berishës, edhe personale. Mënyra se si po trajtohet sot, herë nga injoranca herë nga intriga, jo vetëm po e djeg e tjetërson këtë kontribut e histori, por edhe vet Berishën po e “nxin”, si intriganti e shkatërrimtari i forcës që udhëhoqi vet. Po po! Sa nga ju, miq të mirë demokratë, na keni pyetur nëpër tryeza: “Po sikur Doktori të ketë qëllim ta shkatërrojë me duart e tij atë që ndërtoi”? Sa të tjerë thonë se “Doktori ka bërë pazar për të fshirë mëkatet e së kaluarës”…?

Të gjitha përgjigjet në fakt i ka vetëm një njeri: Sali Berisha, i cili sot ndodhet në kurthin e njejtë me lojën “ç’ujë i ke dhënë gomarit”? Po heshti – “e dogji”, po foli -“e ftofi”…./parrena.com

Share: