Home KRYESORE E djatha shqiptare, Lulzim Basha dhe kundërshtarët e tij në PD

E djatha shqiptare, Lulzim Basha dhe kundërshtarët e tij në PD

Nga Enver Bytyçi

Prej disa javësh në kampin e demokratëve po zhvillohet një betejë. Duke e vështruar nga larg ajo duket si një betejë për keun e Partisë Demokratike. Në substancë mbetet një luftë gladiatorësh se kush prej njërës palë ta fusë ose rifusë në dorë partinë më të madhe opozitare të sotme, e quajtur ndryshe si partia që themeloi pluralizmin politik në Shqipëri, që e çoi vendin në Këshillin e Europës, mbylli Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me BE-në, çoi në liberalizimin e vizave dhe e anëtarësoi Shqipërinë në Aleancën më të madhe të globit, NATO.

Do të mjaftonin këto arritje që Partia Demokratike të bashkohej në qëllimet e përpjekjet e saj për të qenë edhe në të ardhmen jo vetëm pretenduese e pushtetit, por një subjekt politik i dëshmuar për një qeverisje të suksesshme, pavarësisht gabimeve të saj. Po të analizojmë rezultatin e votimit të vitit 2013 e deri te ai i 25 qershorit të këtij viti, duket qartë se kemi të bëjmë me një asimitri midis vizionit dhe përkushtimit të Partisë Demokratike për zhvillimin e Shqipërisë dhe numrave të saj në parlamentin shqiptar. Kjo diferencë kërkon një analizë të plotë, të veçantë, serioze, pa inate, pa hakmarrje, pa përjashtimin e palëve që sot janë në konflikt me njëra-tjetrën.

Jam nga ata që e ndjek çdo ditë debatin në mesin e demokratëve. Përpiqem te secili që shfaqet në ekran të gjej pikën e fortë e të dobët të tij në fushatën që zhvillohet. E ndërkohë më është dashur të rikthehem në retrospektivën e zhvillimeve në Shqipëri e në PD gjatë këtyre 27 viteve, me qëllim që të shkoj deri te një analizë dhe përfundim logjik. Me të dy palët kam ndarë jetën time të një çerek shekulli, jo si politikan, por si studiues i politikës. Me disa kemi qenë kolegë në media, me disa të tjerë në fushatat elektorale, diku jemi takuar në përpjekjet për të dhënë ekspertizën tonë për çeshtjet e zhvillimit të vendit. Pra, nga kjo pikëpamje e kam shumë të vështirë të mbaj një qëndrim ndaj palëve, aq më pak të qëndroj mbi palët.

Por kjo nuk më pengon të jap disa mendime, të cilat në ndërgjegjen time i shoh si të sinqerta.

Së pari: Asnjëra palë, as zoti Basha, as zoti Selami, as grupi që i kundërvihet procesit, nuk shoh që të elaborojnë pikëpamjen dhe domozdoshmërinë e pozicionimit të qartë të Partisë Demokratike si parti konservatore e së djathtës. Ideja se me këtë pozicionim zvoglohet elektorati është ideja më rrënuese e PD-së dhe drejtuesve të saj. Madje këtë ide dhe mentalitet do ta quaja një klishe të së majtës, e cila ka mundur t’i bindë demokratët se “Shqipëria është e majtë”?!!! Një absurditet ky që ka zvogluar dhe dobësuar përpjekjet e PD-së për suksesin e saj politik dhe elektoral.

Me logon “Shqipëria është e majtë”, PS dhe partitë e saj simotra në këtë vend kanë krijuar mitin e “pathyeshmërisë’, veçmas nëse e majta është e bashkuar. Prej këtij momenti fillon dështimi i Partisë Demokratike. Madje ky dështim merr shpesh herë format e pragmatizmit politik të flirtimit, kontrabandimit, blerjes e shitjes së deputetëve me mazhorancën e majtë, pa folur për votat e votuesit. Sot Majlinda Bregu paska drekuar me Vlahutinin. Nuk do shihja asgjë të keqe, nëse do ta kisha parë zonjën Bregu të shqetësuar e të përkushtuar për fatin e Partisë Demokratike, sa për fatin e qeverisë së zotit Rama.

Ndërkaq shumë e ndoshta shumica e atyre që janë në krah të Bashës, Selamit apo Astrit Patozit i shoh aty jo si idealistë, por si njerëz pragmatistë që udhëtojnë nga një parti te tjetra, nga një fraksion te tjetri për interesa personale, për përfitime politike dhe materiale e financiare. Ata që e kanë shitur PD-në disa herë në këtë një çerek shekulli janë bashkuar rreth Astrit Patozit dhe akuzojnë Lulzim Bashën se paska shitur PD-në te Edi Rama. Ndërsa disa të tjerë, që Lulzim Basha i mban afër, si ish drejtorin e policisë bashkiake, përsëri qëndrojnë pranë tij për të përfituar materialisht dhe jo për idealizmin e tyre konservator. Ky konglomerat pragmatistësh e materialistësh militantë nuk i lejon grupet që të dalin me programe politike të djathta dhe konservatore para anëtarësisë së kësaj partie.

Pikëpamja se “Çfarëdo të bëjmë ne, fitorja do jetë e së majtës”, është një pikëpamje disfatiste dhe kjo buron nga fakti se as Lulzim Basha, as Eduard Selami dhe as Astrit Patozi nuk kanë shfaqur deri tani një projekt ambicioz konservator për zhvillimin e Shqipërisë. Nëse do të ndërtohej një platformë konservatore në modelin euro-atlantik dhe sipas eksperiencës së të djathtës shqiptare nga viti 1920 e këtej, atëherë do të kishim një Parti Demokratike më solide, më të orientuar, më të bashkuar, me më pak fraksione dhe me më shumë konsensus brenda saj.

Së dyti, ashtu si në ballafaqimin politik pozitë-opozitë edhe në këtë betejë brenda PD-së duket se politika te ne di të bëjë mirë vetëm një gjë: – Të denoncojë gabimet e palës tjetër dhe të mos marrë përgjegjësi për veten e saj. Debati politik është ndërtuar i tillë: – O burra të sulmojmë Lulzim Bashën dhe ta denigrojmë atë. Lulzim Basha ka faje dhe përgjegjësi të padiskutueshme. Ai nxiti dhe i çoi deri diku disa iniciativa politike të rëndësishme në pikëpamjen e zhvillimeve politike në Shqipëri, siç ishte dekriminalizimi, pengimi i kryeminisrtit për të kapur drejtësinë, lufta kundër krimit, drogës e trafiqeve dhe u përpoq të sensibilizojë opinionin e brendshëm e të jashtëm për deformimin e votës së shqiptarëve. Por në katër vite nuk u kujdes për të riorganizuar Partinë Demokratike, që ajo të funksionojë si një e tërë nga kryesia e deri te seksioni. Madje katër vjet i la disa degë në ditë të hallit.

Si kryetar i PD-së ai solli një program politik konkret, por pa një frymë, dhe shumë vonë. Lulzim Basha ra në kurthin e Edi Ramës, së paku kaq di unë, jo kur nënshkroi marrëveshjen me të, por kur i lejoi vetes të bëhej bashkëfajtor për vjedhjen dhe deformimin e votës, edhe pse e dinte se nuk kishte ansjë fuqi praktike ta ndalonte këtë. Se një ministër i brendshëm, pa mandat për të urdhëruar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pa nisur punën do të dështonte. Shih si tallet një sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arësimit me ministren teknike që Basha dërgoi aty. Basha është në krye të PD-së për të bërë llogari të sakta dhe për të marrë vendime të drejta në favor të partisë që drejton. Edhe mënjanimi i forumeve të partisë ishte gafë e tij. Aq sa mundej ai kishte mundësi të bashkëvepronte.

Por a mund të kthehet beteja për kreun e PD-së në një betejë sulmesh për gabimet që bëri Basha, duke mohuar disa fakte pozitive të punës së tij?! Eshtë një nga absurdet e markës shqiptare. Aq më tepër këtë e bëjnë ata që janë më shumë përgjegjës për dështimet sesa për sukseset, pasi për t’i ngrënë kokën kryetarit, i vune gurë nën rrota. Prandaj kjo betejë është e pandershme, e pakalkuluar qartë. Dhe kjo rrejrdh nga fakti se asnjëra palë nuk frymëzohet nga filozofia e të djathtës, nga doktrina politike konservatore e evolucionit. Ndërsa hiqemi të djathtë dhe konservatorë, bëjmë të fortin dhe udhëhiqemi nga dokrinat e majta revolucionare, se kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari duket si më e dobishme për eleminimin e kundërshtarit.

Një parti, cilado qoftë ajo, që pranon luftën përjashtuese të rivalëve brenda saj, ajo ka probleme me programin, me doktrinën, me orientimin, pozicionimin e saj. PD është një përzierje e të gjitha rrymave dhe pikëpamjeve për politikën, por ende nuk është e nuk e di deri kur nuk do të bëhet përfaqësuese e denjë e konservatorizmit në Shqipëri, për të synuar që e gjithë popullsia e këtij vendi të ngrihet në shtresën e mesme e në statusin e të pasurve, si bartëse e kësaj filozofie.

Share: