Home KRYESORE Helmi na serviret si ushqim! Nga JETA TOÇILA

Helmi na serviret si ushqim! Nga JETA TOÇILA

Ushqimi zë një vend të rëndësishëm të ditës sonë, të të menduarit tonë, të sjelljes sonë, të ndjesive tona. Ai është i rëndësishëm për shëndetin fizik e mendor. Ka një ndikim të madh në humorin tonë, në marrëdhëniet tona, në festat tona, në gëzime e hidhërime, në trishtime dhe hutime. Ai është kudo, në rrugë e në shtëpi, i lirë e i shtrenjtë. Organik ose jo. I pastër ose modifikuar. Ne flasim e shkruajmë shumë për të. Disa e duan, disa e refuzojnë, por të gjithëve na bashkon nevoja për të.

Ushqim ! – thërret me shaka im bir sapo shtrohet tavolina! Si person në dietë të vazhdueshme, unë nuk entuziazmohem si ai, megjithatë, nuk i shpëtoj dot konsumit të ushqimit. Por ja që është një nevojë fiziologjike, në pashmangshmërinë e së cilës ne të gjithë po helmohemi dita–ditës. Ju do thoni nuk janë vetëm ushqimet…Sigurisht që ka plot faktorë, por mos ta shpërndajmë vëmendjen siç ndodh me politikanët kur bëjnë ndonjë proçkë e sajojnë lajme rozë për të sfumuar problemin.
Të bësh sot pazaret e më pas të gatuash është kthyer në merak konstant. Ku do blej, sa të sigurta janë produktet, çfarë ti ndaloj ose jo fëmijës tim??

Bisedojmë me miqtë e shkëmbejmë informacione se ku të blejmë me garanci. Kemi përfunduar me blerje me porosi anë e mbanë vendit. Mjaltin e gështenjës në Tropojë, mjaltin e luleve në Kolonjë, mishin në Gramsh, reçelrat në Përmet, bulmetin në Gjirokastër, vajin në Berat, fasulet në Pogradec, patatet në Kukës, qumështin me ambalazhim austriak, kosin, gjalpin, gjizën i blejmë me tahmin në dyqane me marka jugu, gjithsesi me frikë i kemi.

Mendohemi e i vimë rrotull fruta e perimeve në tregje duke i vëzhguar nëse janë bio apo jo. Harrojeni që të gjeni etiketë në ndonjë domate që të të informojë nëse është OMGJ apo BIO. Disa vende e kanë detyrim ligjor këtë dhe e zbatojnë.

Gëzojmë kur shtohen miqtë meraklinj të shëndetit, të cilët mbjellin fruta e perime në baçet e tyre. Ata nuk investojnë më në shtëpitë e plazhit, por në ferma. Zemërgjerët për fat kanë edhe bollëk, furnizojnë hera-herës miqtë e ngujuar kullave të qytetit.

Por sërish problemi mbetet. Rrekesh t’u mbushësh mendjen fëmijëve që sallami është i rrezikshëm, apo çokokremi është i përbërë me qumësht pluhur apo soje joorganike dhe me sheqer sintetik, të cilët mund të shkaktojnë depresion, shkatërrim të qelizave të trurit, autizëm, apo se luleshtrydhet gjigande e të bukura janë me kimikate apo pesticide. Ti mendon se i ke shpëtuar fëmijët e tu duke mos ua blerë disa produkte të dëmshme, por në të vërtetë ke bërë një vrimë në ujë.

E vërteta është që ushqimet po helmojnë popullatën pa dallim moshe e gjinie!

Kudo ndodhen fëmijë të pasurish apo të varfërish, në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e të cilëve ushqimet nuk janë bio. Nuk janë një e dy produkte, janë një koloni syresh. Ushqime të tilla po na rrisin fëmijët para kohe, njëlloj si domatet e kastravecët brenda natës, po rriten fëmijët në vendin tonë. Vajzat e vogla pa hequr ende nga dora kukullat bwhen zonjusha.

Djemtë po dallohen nga pavëmendja dhe hiperaktiviteti i theksuar, për të cilët popullorçe thuhet “çuna të shkathët ose mistrec”. Fëmijët po hanë kopshteve bukë të gatuar me miell pa masën e duhur të proteinave, të gjalpuar me vaj palme. Studimet thonë se vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit.

Edhe të rriturit, të pasur apo të varfër qofshin, me pushtet ose jo, kur shkojnë për të blerë, sado të shpenzojnë nuk do t’u shpëtojnë produkteve të modifikuara apo me përmbajtje të dëmshme për shëndetin. Ato gjenden supermarketeve e tregjeve, restoranteve e spitaleve.

Ato gjenden në shtëpitë e të moshuarve, burgje dhe qendrat sociale, pasi dyshoj që këto institucione të tenderojnë produkte cilësore. Nuk besoj se kanë luksin dhe interesin të zgjedhin produktet bio. Sigurisht që leverdia është tek produktet me kosto sa më të ulët. Tek mishi nga Brazili apo tek mielli nga Serbia.

Gjithë popullata në vendin tonë është në rrezik. Prandaj dhe vendi ynë është nënvijëzuar me të kuqe nga Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), autoriteti më prestigjioz në botë që mat problematikat e sëmundjeve në çdo vend. Sipas këtij, sëmundjet vdekjeprurëse në Shqipëri janë rritur frikshëm. Po ta mendoni e të ktheni sytë nga historiku i shëndetit të familjes apo fisit tuaj sot e në të kaluarën, jam e bindur se shumica prej jush do gjejë raste në shtim të humbjes së të dashurve nga kanceri. E kam thënë që në fillim, nuk janë vetëm ushqimet faktorë risku, por ama janë.

Por ushqimet, as nuk dinë të shkruajnë e as të mbajnë fjalime. Ato thjesht janë ndër mjetet që ndikojnë në qarkullimin e parave në botë nga ATA që dinë edhe të flasin edhe të shkruajnë për të drejtat dhe liritë themelore, për garantimin e tyre, për mbrojtjen e jetës e të shëndetit.

Pfffff…..Po ATA me çfarë ushqehen dreqi ta hajë ??!!

Share: