Home KRYESORE Kemi harruar të flasim!

Kemi harruar të flasim!

Nga Irma Kurti

Kemi harruar të flasim. Bota virtuale është futur midis nesh si një fantazmë dhe ne po e harrojmë magjinë e fjalës, tingullin e saj.

Çdo mëngjes marr autobuzin dhe shikoj të njejtën pamje: njerëz kokulur, të përqendruar në ekranin e vogël të telefonit, gishta që shkruajnë me shpejtësi marramendëse, fytyra të vrenjtura apo buzëqeshje të përhumbura.

Komplikohen raportet midis prindërve dhe fëmijve teksa këta të fundit e gjejnë shpëtimin gjithnjë e më shumë brenda botës virtuale, si të duan të mbrohen nga një realitet tepër i egër dhe i papërballueshëm për ta. Janë bërë më të vështira edhe raportet në çift.

Jo vetëm për një xhelozi që lind nga një kompliment i tepërt, po dhe pse brenda katër mureve të shtëpisë flitet shumë pak. Pyetje plot mbeten në ajër e s’gjejnë përgjigje sepse burri apo gruaja “harrohet” në rrjetet sociale, atje ku u kalojnë përpara syve foto, bukuri, datëlindje e drama, detaje nga jeta e gjithkujt. Bota virtuale po e sfidon realen.

Pak vite më parë s’do të mund ta imagjinonim kurrë se jeta jonë do të bëhej kaq publike: tipa të rezervuar apo jo, të gjithë kemi vendosur të mos mbajmë më sekrete. Dimë me saktësi se sa fëmijë ka njëri apo tjetri, sa nipër dhe mbesa, kur i kanë datëlindjet, nëse kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në shkollë apo jo, në çfarë dege studiojnë në universitet, kush është i dashuruar apo cili është ende në kërkim të shpirtit binjak.

Bota virtuale po na tërheq në kurthin e saj, sepse atje ndihemi në qendër të vëmendjes, krijojmë iluzione e shpresa, me të cilat realiteti tregohet më i kursyer. Të gjithë jemi shndërruar në poetë e shkrimtarë të paparë, të gjithë jemi “të bukur si yje”, zemërmirë, bujarë, të ndershëm, inteligjentë, ndërsa në të përditshmen bukurinë fizike e shpirtërore e takojmë aq rrallë!

Edhe për sa kohë do t’i shmangemi jetës së vërtetë, të mos e dëgjojmë me vëmendje një shok, një shoqe, të dashurin, burrin, gruan përpara një filxhani kafeje sepse na ka mbërritur një mesazh, sepse njoftohemi se dikush na ka bërë një “like”?

Dhe për sa kohë do të vazhdojmë të pozojmë përpara objektivit të aparatit fotografik me një buzëqeshje të sforcuar, me mendimin fiks që këtë fotografi do ta ndajmë me miqtë tanë në Facebook ndërsa shpesh shpirti ynë derdh lot sepse ka nevojë për një fjalë të mirë, për një vështrim të ngrohtë, për një përkëdhelje që kurrsesi bota virtuale s’mund të na i falë dot?

Edhe për sa kohë do ta lemë pjatën të na ftohet, picën të bëhet bajate duke kërkuar të bëjmë fotografinë më perfekte për ta shpërndarë në rrjet?

Kemi filluar të jetojmë për të tjerët, jetën tonë po e ndajmë lehtësisht me qindra e mijra njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve mund të jenë çdo gjë, por jo miq. Nuk mund ta përfytyrojmë më një udhëtim, një pushim, një shtrat spitali pa e fotografuar, pa e ndarë statusin me të tjerët.

Po e lemë jetën tonë të na rrëshqasë nga duart për ta përcjellë në të tjerë duar, në të tjera gjykime e vlerësime që shpesh janë hipokrite dhe false.

Ndërkohë që kërkojmë miqësi, vëmendje apo diçka më tepër online, vazhdojmë ta varfërojmë jetën reale, t’i lëndojmë padashur dhe t’i humbasim pak e nga pak njerëzit që kemi përkrah.

Share: