Home KRYESORE Konflikti Karabina-Ndreca lë pezull rrogat e punonjësve të MAS

Konflikti Karabina-Ndreca lë pezull rrogat e punonjësve të MAS

Konflikti i vazhdueshëm politik i ministres së Arsimit, Mirela Karabina, me Sekretarin e Përgjithshëm të MAS, Plarent Ndreca duket se po mban pezull rrogat e punonjësve të kësaj ministrie.

Ministrja Mirela Karabina deklaroi se në mënyrë të qëllimshme, isntitucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 qershor 2017. Por, Plarent Ndreca deklaroi se ka firmosur urdhër pagesat për pagat e aparatit të MAS. Problemi qëndron se ministrja Karabina nuk e njeh Ndrecën si nëpunësin autorizues të ministrisë, ndërsa ky i fundit ende firmos si sekretar i këtij institucioni.

Deklarata e Ndrecës:

“Është e paimagjinueshme që drejtuesja e institucionit godet në mënyrë absurde institucionin e saj, duke dalë në konkluzione krejtësisht të pabazuara dhe që i përkasin një realiteti që nuk ekziston në Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit.
Pagat e të gjithë sistemit arsimor janë firmosur rregullisht nga drejtoritë arsimore rajonale dhe kaluar nga sistemi i thesarit të Ministrisë së Financave.
Njëkohësisht nga unë si nëpunës autorizues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit janë firmosur që dje urdhër pagesat për pagat e aparatit të MAS.
Pavarësisht pengesave, goditjeve të paligjshme dhe të padrejta që po i bëhen administratës publike në MAS, ajo është në detyrë dhe në mbrojtje të ligjit dhe interesave të qytetarëve të shqiptar.” – deklaroi Ndreca.

Deklarata e ministres, Mirela Karabina:

Në detyrën e Titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dëshiroj të bëj publike një çështje të rëndësishme siç është kryerja e pagave të punonjësve të administratës shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në mënyrë të qëllimshme, institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017.

Pavarësisht informimit të të gjithë instancave të larta shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për zhbllokimin e situatës, kjo problematikë absurde po vijon të mbetet e njëjtë.

Burokracia e administratës dhe manifestimet e ngjyrimeve politike nuk duhet të prekë pagat e punonjësve të administratës shtetërore.

Bëj një apel institucional për angazhimin e të gjithë aktorëve të ngarkuar nga ligji, për të dhënë zgjidhjen e menjëhershme të problemit të krijuar artificialisht.

Si Ministër i Arsimit dhe Sportit distancohem nga apatia e krijuar mes Departamentit të Administratës Publike dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave që nuk sjell zgjidhje.

Garantoj zbatueshmërinë e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave kushtuese të institucionit që unë drejtoj.

Share: