Home KRYESORE Kronikë e një humbje të padëshiruar

Kronikë e një humbje të [pa]padëshiruar

Nga Behar Gjoka

Pas 25 qershorit, dita e zgjedhjeve parlamentare, ku Rama fitoi, siç po thonë vëzhguesit e OSBES, me jo pak blerje votash, LSI përmes tersëllimash për armatosje të popullit, kaloi në opozitë, ka plasur sherri në PD. Një gëzim i zi dhe i paimagjinueshëm, që vjen në korr dhe solo, që u bë më mirë që humbi PD, sepse kështu do të heqim qafe Bashën. Është një situatë absurde, në dukje apokaliptike, ndonëse e shoqëruar me inate dhe shfrime personale, ku duket se palët po bëhen gati për betejën finale, për ta shkatërruar njëri-tjetrin dhe vetë PD. Agravimi i situatës, që jo pak nxitet nga media e gallatës, që Rama shumë herë e ka emërtuar si kazan, ndërsa “kazani politik” i fitimtarëve që kishin pushtetin, fërkon duart nga gëzimi, të kujton shprehjen popullore, sorra-sorrës ia nxjerrë sytë. Në PD, jo vetëm te selia, po në gjithë hapësirën, tashmë janë vënë të gjithë kundër të gjithëve. Të gjithë po copëtojnë grima-grima, ëndrrën e shqiptarëve, që dikur të ketë në skenën politike edhe forca të djathtë. Kush mund të lëshojë më me forcë heshtën e mllfefit dhe të urrejtjes.

Të ruajmë traditën, bërtet njëra palë e “sorrave”. Cilën traditë, të përzënies së Eduart Selamit në vitin 1995?! Apo të shkërmoqjes së plotë të shtetit në 1997, kur Arben Imami kishte hipur mbi tankun e qoftëlargut. Të ruajmë traditën e Berishës, si lideri historik, kur për një fjalë gojë, përpara vitit 2005, fshiheshe nga partia. PD në historinë e re shqiptare, ka një meritë të madhe, solli pluralizmin.

Më duket se tani, me këtë luftë brenda llojit, që po rezulton më e ashpra, po punon për ta rrëzuar edhe këtë shenjë. Kjo është e dhimbshme, e patolerueshme, për ëndrrën që solli PD në vitet ’90. Nëse e keni ngritur vetë ngrehinën e PD-së, e cila pati fatin të ishte lajmëtare e demokracisë, nuk ka kuptim që të jeni edhe shkatërrimtar. Nuk shembet ndërtesa që ke ngritur me kaq mund dhe sakrifica, nga vetë ndërtuesit dhe farktuesit!

E djathta, nuk shembë nga themelet botën e vjetër për të ngritur të renë, e djathta në gjithë rruzullin ka si busull atdheun dhe kombin, në çdo rrethanë. Të shkatërrosh PD, programin dhe ëndrrën e shqiptarëve, është si të shkatërrosh një pjesë të atdheut dhe të kombit. Pala tjetër, pra “sorrat” që heshtin, që fshihen prapa gishtit, me gjasë pas kulisave të statutit dhe normave të ngrira, jo vetëm e kanë humbur turruan, por me mëdyshjet dhe lëkundjet e shkruara në mjegullë, që në politikë sjellin pasoja të pariparueshme, e kanë dorëzuar PD në anarki.

Ta varuar në statutin që kanë endur vetë, me gropa dhe hone, ngallica dhe klecka, të pushtuar nga intatet personale, më tepër nuk dinë se çfarë bëjnë dhe çfarë thonë. Mjerim dhe shterpësi idesh dhe alternativash, që uluret secilën orë të këtyre ditëve, nëpër televizione dhe gazeta. Mjerim, absurdi ka mbërritur deri këtu, se mundet që të jetë një opsion dalldie, se me siguri që po të kishte fituar mandatin

A. Ristani, do kishte thënë se Basha është mbështetur në statut, e anasjelltas, po qe se dy nënkryetarët, Paloka dhe Spaho, të ishin humbës, do kishin thënë se nuk është mbështetur në statut. Sa poshtë ka rënë PD, me gjithë historinë e vetë. E rrëzuat, me dashje dhe padashje, të gjithë bashkë, ju që fituat dhe humbët mandatet, me përgjegjësi të ndryshme, në këmbët e Ramës dhe Metës PD.

E rrëzuat për tokë, më keq se në vitin e mbrapshtë 1997. Palët, të përfshirë në filozofinë e asgjëkundit, ngriva-shkriva, ashtu si “sorrat” vetëm po luftojnë me nxjerrë sytë e njëri-tjetrit. Palët, e përfshira në konfliktin e reve të statutit, ndonëse në mënyra të ndryshme e kërkojnë shpëtimin te Berisha. Kjo rrethanë, në këto momente, të vështira dhe paradoksale, është nyja gordiane e mbijetesës së PD.

Berisha, ndërkaq është problemi që ka fare pak në dorë për ta zgjidhur, në mënyrë që të lërë të kënaqur të dyja palët. Djajtë, duket sheshit, se kanë dalë nga shishja. Në logjikën time, si qytetar i lirë, që vijoj të mendoj se PD, do të gjejë forcë të ringrihet, kurrësesi në bashkimin formal, të mbylljes në “kutinë e pandorës” përkohësisht të problemeve, të mprehta dhe të ndërlikuara, reale dhe artificiale. Fetishizimi i statutit, i pikëpresjeve të hatuara nga të dy skalionet e “sorrave”, harresa e programit, e detyrimit të PD për idealin e lirisë, për fjalën e lirë, për votën e lirë, po bëhet një shaka e hidhur, që ndihmon për të rrënuar më shumë demokracinë e brishtë shqiptare.

Marrëdhënien me demokracinë e brendshme, PD dhe të gjithë partitë në Shqipëri, e kanë ende të pazgjidhur. Megjithatë, PD në historinë e vetë, që tashmë mbrohet si traditë, ka patur një marrëdhënie më të ashpër, madje në këtë pikë Rama, duket sikur po ecën në udhën e PD dhe Berishës, se sa të Nanos.

Pa dashur të bëjmë historinë e gjatë të ikjeve dhe ardhjeve të Imamit, Rulit dhe Zogajt, për shkak të përplasjes së interesave dhe idealeve të ndryshme, PD në jetën e brendshme, nuk ka një histori të lakmueshme. Pas një historie të gjatë, të mbajtjes së detyrës së kryetarit, Berisha vetëm në vitin 2013 dha dorëheqje të parevokueshme. Nuk e di a ka njeri nga palët në konflikt, të më thotë se u bë analiza e humbjes së atij viti.

A mbajti përgjegjësi zonja Topalli për humbjen e bastionit të djathtë, të Shkodrës, për herë të parë?! Basha fitoi me bekimin e Berishës, këtë e di edhe bufi e jo antarësia e PD. Pra, zanafilla e konflikteve dhe egërsisë së “bibave dhe bibanëve të marrë”, kishin me thanë në Shkodër, është aty, ku nuk u bë fare analiza. Palët e “sorrave që nxjerrin sytë”, duket se as dora e fortë e Berishës, nuk ka se çfarë tu bëjë më.

Në bindjen time, që ende shpresoj se ky vend mund të bëhet, se Shqipëria mundet që të bëhet nëse e djathta do të këtë hapësirën për të marrë përgjegjësitë, rrënjët e humbjes janë edhe më të thella. Ato, në mënyrë të veçantë, zënë fill me 2009 kur Berisha bëri aleancë me Metën dhe LSI, që “politikën e pazarit”, e ndarjes së copave të administratës në principatat e partive, e solli në qeverisje. Nuk di si ta shpjegosh miklimin e Metës për Berishën, në parlament, por edhe më gjerë si “kryetari” real i PD. Mjerisht, gjatë gjithë kësaj kohe, por edhe tani në “krizën e thellë statuore”, edhe media ka vijuar me të njëjtin miklim, që ka ndikuar në defaktorizmin e Bashës si kryetar i zgjedhur i PD.

U thelluan, pa asnjë diskutim, sa nuk përshkruhet me humbjen e pësuar në 2013, e cila as sot e kësaj dite, nuk ka patur asnjë analizë serioze. Nga ana tjetër, marrëveshja Rama-Basha, sidomos përfshirja në qeverisje me ministra teknikë, që tashma u kuptua që kishin çelsat e kashtës, i vuri kapakun rezultatit, pa u bërë zgjedhjet. Për të ardhur te hartimi i listave për kandidim, që nxorri përfundimisht të gjithë shejtanët nga shishja e “shtëpisë së përbashkët” të PD. Humbja e 25 qershorit është përgaditur gjithë këto vite.

Humbja së pari është përgjegjësi e Bashës, si kryetari që mori përsipër gjikthçka që lidhje me listat, fushatën dhe personalizmin e skajshëm. Megjithatë, humbja nuk është vetëm e Bashës. Humbja është për demokracinë, sepse e djathta sa vjen dhe humbet terren në skenën politike shqiptare. Marrëveshjen për të hyrë në zgjedhje, e kërkuam të gjithë, madje edhe Bregu dhe Selami.

Basha bëri gabimin fatal që u përfshi në qeverisje me ministra teknikë, sepse humbi shansin e kontestimit të blerjes së votë së lirë. Fill pas marrëveshjes, tepër të diskutueshme, por edhe të pashmangshme për të hyrë PD në zgjedhje, Imami dhe Topalli, kërkuan dorëheqjen e parevokueshme të Bashës. Në kulmin e fushatës sa ndikoi kjo thirrje? Le ta gjykojnë të parët ata që e bënë thirrjen.

Kur kishte nisur numërimi i votave, Besnik Mustafaj bën thirrje për dorëheqje të parevokueshme të Bashës. Beteja e numërimit të votave është beteja reale e votimeve në Shqipëri. Sa ndikon për të ulur përgjegjësinë kominisionerët? Është e pamatshme, është një zhvlerësim në mesin e betejës. Zhurma e madhe krijoi rrethanën që të humbin gjurmët e vjedhjes së votave, e shitblerjes spektakolare, e pohuar edhe nga vëzhguesit e huaj. A nuk e patë se çamët fituan në Dibër? A nuk e patë se si PD nuk kishte mundësi të bënte fushatë në Durrës, Elbasan e kudogjetkë? Rama po bëhet gati për Vetingun dhe qeverinë e vazhdimit të aksionit të vetë, tanimë me timonin dhe tepsinë në një dorë. Të nderuar, krerë dhe ish-krerë të PD, hani njëri-tjetrin se po i krijoni hapësirë të lira që Rama të bëjë çfarë të dojë me këtë vend.

Pasi e gjetëm fajtorin, Bashën, le të kujtohemi një çast të vetëm se të gjithë bashkë, në luftë të egër, po ndihmoni për ta hedhur në greminë PD. Harruat si thoshte Rama para marrëveshjes nuk na prish punë se ikën nga skena politike partia demokratike. Keni rënë në lojën e tij për të vetëshkatërruar PD, vetë ju nga brenda. Sistemi që kanë ngritur Rama dhe Berisha, Meta dhe Basha, pra që janë të interesuar të gjithë që ta mbajnë në këmbë, nuk e shpëton nga shitblerja votën e lire. Për të gjithë ata, që janë kundër vetes, së pari duhet të vërtetojnë se a u bënë pjesë e fushatës për fitoren dhe humbjen.

A votuat PD? Nëse po e vlen beteja, për të mundur kundërshtarin dhe jo për të kafshuar bijtë e vetë, siç ka ngjarë me Selamin në 1995 dhe në vitet e tjera, me të tjerë. PD, ka nevojë për maturi, gjakftohtësi, analizë të thellë, përtej klaneve që i ka sjellë vetë Berishanë gjirin e PD. Nëse zgjedhjet e 25 qershorit plotësuan të gjithë standardet, edhe Basha, tani pas mbarimit të numrimit, duhet të zbatoj kriterin e standardeve. Zgjedhje ishin kalueshëm, sipas OSBES, si përherë ama, e prandaj PD, mëtonjësit e mbajtjes dhe rrëmbimit të detyrës së kryetarit, kanë nisur lojën, ngriva-shkriva.

Basha një orë e më parë, duhet të rikthehet te kauza e zgjedhjeve të lira, që e shpalli në çadër për 90 ditë. Duke nisur nga vetja, nga barazia në garë. Beteja me vetveten, duke harruar kundërshtarin, që e ka shpallur si qëllim asgjësimin e PD, është rruga më e mbrapshtë. Dilni nga ofiqet e detyrave, që janë shumë më të vogla, se aspirata për liri, se sa ëndrra e shqiptarëve për të qenë zot të vetes dhe të ardhmërisë.

Kavaja e dha një model, se e vlen sakrifica dhe ideali për të shkëputur lidhjen me krimin!

Share: