Home KRYESORE Kur te hyp vetja n’qef, xhentilesen e e djalit 25 vjecar e...

Kur te hyp vetja n’qef, xhentilesen e e djalit 25 vjecar e merr si gjueti ndaj teje…!

Nga Kozeta Kurti

Nuk është e rastësishme të ndeshesh në rrugët e qyteteve tona me mesoburra e mesogra, madje edhe më të mëdhenj se kaq, të cilët të bëjnë të vësh buzën në gaz, kur bie në kontakt me to.

Veshja, sjellja, qëndrimi janë pa diskutim të drejta e liri të individit që zgjedh të sillet me veten si do ai, por hajde tani; mos bëni sikur nuk gajaseni teksa shikoni një nënë që konkurron vetë vajzën e saj dhe shoqet e gocës. Nuk ka asnjë të keqe të mbash veten, të kujdesesh për të, por nëse fati, mundësitë, rrethanat, nuk të kanë lejuar të silleshe si tetëmbëdhjetë vjeçare kur ishe tetëmbëdhjetë vjeç, mos e bëj tani që je pesëdhjetë e katër. Sidomos nëse nuk i ke dhuruar vetes një pasqyrë të re.

Dekolteja jote e mbaruar, edhe pse është aq e ekspozuar, nuk ka asnjë lloj efekti, përveçse nxitjes për ta kthyer kokën tutje e për ta hequr vështrimin prej teje në sekond; ai kostumi yt i banjës, që duket sikur i ka mbetur veç llastiku, nuk bën asgjë tjetër, përveçse provokon refluks…vërtet je e paaftë të kuptosh që nuk është çasti yt? Ti je e kohës. Si të ka shpëtuar ajo shprehja e famshme “Carpe diem”. Nëse të ka ikur vapa me gushtin, kap shtatorin moj zonj’! Po që të ka hipur vetja aq shumë në qejf sa xhentilesën e atij djalit njëzet e pesë vjeçar ngjitur me çadrën tënde, e more për gjueti e fillove të merrje poza si gjimnaziste. Ishte xhentil! Nuk po të gjuante, por ti s’ke si ta kuptosh, se kur kishe kohën për këto, u martove me të parin që të doli përpara dhe s’e more vesh asnjëherë si jeton një maturante.

Kushedi se ku është në këtë moment yt shoq. Ndoshta duke joshur në një vend a plazh tjetër një të re…kushedi se ç’po i përrallis. Ai vërtet mund t’i ketë kaluar të gjashtëdhjetat, por ai është një pilot që e kap adrenalina kur bën gara në superstradat e lodhura të këtij vendi…Kur e ka zbuluar ai Europën, “xhinKset” e “aKletet”, “uiskin” e “koka kolën”, ohu, kjo e reja as kishte lindur. Harrove ti xhaxh’ kohën kur bënit shurup me trëndalifa të egër dhe pinit fërrnet; visheshit të gjithë uniformë dhe tani që u erdhi koha të vishni pantallona mustardë e bluza bordo, thoni se kështu keni qenë gjithmonë. Jo xhaxhi, nuk keni qenë kështu, edhe pse mund të keni pas’ ndonjë tipar dallues. Nejse, në të njëzetat e tua ti ndoshta nuk ke ditur të joshësh një vajzë me poezi e muzikë, se mbase rrethanat të kanë detyruar të bëhesh burri i shtëpisë e s’ke mundur ta shijosh rininë tënde si duhet. Është fat i keq, e di, por të paktën, mos na thuaj që gjuetia me çelësat e BMW-së, është mënyra më romantike për të bërë për vete dikë.

Po vajzën ku e keni? Ndoshta në ndonjë kirurg estetik me një foto në dorë, që ta bëjë si kardashianet e botës dhe Shqipërisë. S’ka faj. Është gjashtëmbëdhjetë vjeç, por dëshiron të duket si të paktën njëzet e tre… ndryshe, të tjerët e trajtojnë si fëmijë dhe ajo nuk ka kohë të presë që të tërheqë vëmendjen.

Po djalin ku e keni? Mbase në ndonjë jaht me burra që pinë “courvosier”, luajnë poker, tymosin puro…duke mësuar si bëhen paratë shpejt… E takoj në rrugë tët bir dhe më flet sikur t’i ketë thënë ai nënës time “të të rrojë vajza” dhe jo unë nënës së tij “të të rrojë djali”. Kam dyfishin e moshës së tij, por i dukem kaq e vogël përballë “muhabeteve të tij të ronda”. Dua t’i tregoj se dashurinë e parë, ashtu të pafajshme e të pa bërë kurrë pis, e pëjetova kur isha unë gjashtëmbëdhjetë dhe ai tetëmbëdhjetë… doja t’i tregoja se ruaj një ditar, ku më kanë shkruar mesazhe pa fund, nisur nga optika që çdokush që kam njohur në jetë, më ka parë… nuk janë gjithnjë me lule e aroma, por për fat janë të kohës…Sot i kam kaluar të tridhjetë e pesat dhe ndoshta do më më pëlqente të isha gjashtëmbëdhjetë, por të isha ama, ndoshta për të fituar kohë, ndoshta për ta kthyer kohës pas e për të jetuar edhe një herë njësoj,…pra të isha, jo të sillesha. Nuk dua të qeshin me mua, ndaj secila fazë në kohën e duhur…

Share: