Home KRYESORE Nga cili shtet vijnë investimet e huaja? Banka e Shqipërisë: Është sekret!

Nga cili shtet vijnë investimet e huaja? Banka e Shqipërisë: Është sekret!

Shtetet e origjinës nga të cilët kanë ardhur 80% e Investimeve të Huaja Direkte për tremujorin e parë 2017 mbeten të “panjohura”.

Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e Investimeve të Huaja Direkte sipas shtetit të origjinës dhe aktivitetit ekonomik për periudhën janar-mars të këtij viti. Në total, investimet e huaja ishin 168 milionë euro.

Sipas aktivitetit ekonomik, sektorët që po tërheqin më shumë investime janë tepër të kufizuar. Në tre muajt e parë të vitit, 70 milionë euro kanë ardhur nga industria nxjerrëse, ku investitori më i madh është Bankers Petroleum. Këto investime janë kryesisht në hapjen e puseve. Pasi ishin zero në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, për shkak të çmimeve të pafavorshme të naftës në bursa, në 6 muajt e fundit, investimet në naftë rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm (në tremujorin e katërt 2016 ishin 56 mln euro).

Sektori i dytë, që arrin në 69 milionë euro, nuk jepet për arsye konfidencialiteti, por këtu përfshihen investimet në energji dhe kryesisht ato për punimet e gazsjellësit TAP, i cili edhe këtë vit është në një fazë intensive punimesh, që pritet të përfundojnë në 2019-n, raporton Monitor.

Të dy këta sektorë përbënin 82% të totalit të investimeve në tremujorin e parë të vitit. Përqendrimi i investimeve jep alarmin për nevojën e diversifikimit të tyre në të ardhmen.

Sipas sektorëve, 14 milionë euro të tjera janë Aktivitete financiare dhe të sigurimit dhe 10 milionë euro janë Aktivitete të pasurive të paluajtshme.

Sipas shtetit, për 134 milionë euro, ose 80% e investimeve nuk jepet origjina për arsye konfidencialiteti. Këtu përfshihen sërish investimet e TAP, që është një konglomerat kompanish nga shumë vende. Edhe për investimet e Bankers nuk jepet origjina, pasi kompania u shit në fund të vitit të kaluar te kinezët e Jeo jade (më parë Bankers konsiderohej investim kanadez.)

Më pas renditen Austria me 20 milionë euro dhe Italia me 17 milionë euro. Franca dhe Kosova kanë investuar nga 2 milionë euro secila në tre muajt e parë të vitit./opinion.al

Share: